Qeveria në krizë të re pas arrestimit të Milaim Zekës

Politika

Qeveria në krizë të re pas arrestimit të Milaim Zekës

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 18 tetor 2017 Në ora: 16:20
Milaim Zeka

Arrestimi i deputetit të NISMA-s për Kosovën, Milaim Zeka rrezikon rënien e Qeverisë Haradinaj, pasi që ekzekutivi nuk e ka shumicën minimale të votave në Kuvend për të qeverisur me vendin.

Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar deputetin Miliam Zeka si të dyshuar për veprën penale që ndërlidhet me “mashtrim” dhe shmangie nga tatimi”. Kurse, Prokuroria i ka caktuar 48 orë paraburgim për Milaim Zekën.

Përfaqësuesit e qeverisë nuk kanë një përgjigje konkrete në pyetjet me shkrim të gazetës “Bota sot” se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të ekzekutivit për të siguruar votën e një deputeti pas arrestimit të deputetit Zeka.

“Zyra e Kryeministrit nuk e komenton arrestimin e deputetit si pjesë e legjislativit. Në demokraci pushtetet janë të ndara”, është përgjigja e shkurtë e qeverisë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se qysh prej fillimit ekzekutivi ka qenë në rrezik për shkak të numrit të kufizuar të votave.

Image
Albulena Haxhiu

“Kjo qeveri është e rrezikuar prej momentit të krijimit. Jo-stabiliteti i saj që nga krijimi është dëshmia më e qartë se interesi i tyre ka qenë pushteti me çdo kusht dhe varësia nga votat e Listës Serbe e bën edhe më të rëndë situatën, sepse këta kanë qenë në gjendje të bëjnë pazare edhe me vendin vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet”, tha Haxhiu për “Bota sot”.

Kërkohet dënimi i deputetit Milaim Zeka

Po ashtu Haxhiu thotë se Zeka duhet të marrë dënimin e miratuar.

“Mbi deputetin e Nismës dhe të koalicionit rëndojnë akuza të rënda andaj unë uroj që sistemi i drejtësisë sa më parë t'i jap dënimin e merituar. Ne jemi të vetëdijshëm për problemet në sistemin e drejtësisë, ndikimet e pushtetit apo eksponentëve të caktuar mbi të, por për rastin aktual nuk mund të paragjykoj përveç se të uroj që i njëjti sa më parë të marrë dënimin e merituar, jo vetëm për shkak të humbjes se një vote, por para se gjithash për shkak se dyshohet se ka mashtruar 920 qytetare me viza. Kjo është vepër e rende penale, andaj edhe duhet të dënohet” tha për Bota sot”, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike thonë se rasti Zeka e vë qeverinë Haradinaj nën mëshirën e Listës Serbe dhe të partive opozitare.

“Arrestimi i deputetit Zeka paraqet një krizë të re institucionale për ekzekutivin, sepse tash edhe zyrtarisht qeveria është pakicë. Hiq deputetin Milaim Zeka, plus deklaratat e Zafir Berishës që nuk është më pjesë e shumicës, sepse ai u deklaruar botërisht se është pro rrëzimit të kësaj qeverie, tregon se Haradinaj nuk i ka më numrat e mjaftueshëm për të qeverisur vendin”, tha për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Sipas tij, pas këtij momentumi të fundit Qeveria lihet në mëshirën e dy faktorëve.

“ Faktori i parë është mëshira e Listës Serbe për qeverinë, dhe fakti i dytë është mëshira e opozitës. Prandaj, kjo qeveri do të jetë jetëshkurtër. Kështu që unë pres që nëntori ose dhjetori të jetë fundi i kësaj qeverie”, shtoi Kelmendi.

Qeveria e rrezikuar që në fillim të formimit të saj

Kurse, politologu Belul Beqaj thotë se prej fillimit, kjo qeveri ka qenë e brishtë dhe e varur nga individ të caktuar.

“Qeveria e ndërtuar  me kushtëzime të shumëfishta është qeveri e brishtë, aventuriste. Vetëm pushtetarët e paepur për pushtet formojnë qeveri fati i së cilës varet nga individi. Pra, jo vetëm ,kur është në pyetje e ky rast, por mënyra e formimit të qeverisë tregon sëmundjen nga pushtetofobia që i ka kapluar këta politikanë”, tha politologu Beqa për “Bota sot”.

Image
Belul Beqaj

Edhe, Jeton Kelmendi shprehet pesimist tek institucionet e drejtësisë sa i përket rastit të deputetit Zeka.

Por, Kelmendi thotë se Zekaj mund të jetë arrestuar edhe për shkak të kritikave që ai i bënte për presidentin Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

 “Veprimi i fundit i Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë për arrestimin e deputetit Milaim Zeka tregon se në këtë vend ka filluar pak a shumë të funksionojë ligji dhe drejtësi, edhe pse dorën në zemër nuk jam shumë entuziast në këtë drejtim”, tha për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.

“Rasti i Milaim Zekës ka kuptim të thellë, por dihet qasja e tij kritike ndaj kreut të shtetit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli”, shtoi Kelmendi.

Dorëheqja e Zekës është obligim moral

Analistët thonë se ligji nuk e obligon Zekën që të jap dorëheqja, por sipas tyre është obligim moral që ai ta paraqet dorëheqjen e tij nga posti i deputetit pas arrestimit dhe dyshimit që ai ka mashtruar rreth 920 qytetarë se gjëja do tu bënte viza për të shkuar në gjermani.

Image
Blerim Burjani

“Çështja e dorëheqjes është çështje  e integritetit moral të deputetit. Me që është një përqindje e madhe e dokumentuar, të shumë personave publik (Lekaj,Buja,Rexhepi) të dyshuar ,mbase edhe që kanë pasur aktakuza që janë shpall të pafajshëm ,mesin e të cilëve edhe të atillë që janë përcjell me kamera televizive, këtë çështje duhet trajtuar parimisht me shpresë se Milaimi nuk është eksperiment i politikës, por i veprave konkrete që i ka bërë apo jo”, thotë Beqaj.

Edhe njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani thotë se dorëheqja varet nga Zeka, sepse sipas tij dorëheqja është akt i pavarur personale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat