“Aktivitet paralele” të Murat Mehës për Demarkacionin, Bulliqi flet për kërkesën e tij

Politika

“Aktivitet paralele” të Murat Mehës për Demarkacionin, Bulliqi flet për kërkesën e tij

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 tetor 2017 Në ora: 12:05
Foto ilustrim, Shpejtim Bulliqi dhe Murat Meha

Komisioni i mëparshëm shtetëror për matjen e kufirit i udhëhequr nga Murat Meha është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës me të filluar punën,  dhe është formuar një komision me anëtarë të ri, duke emëruar Shpejtim Bulliqin në krye të këtij komisioni.

Tani, komisioni aktual për matjen e kufirit, ka kërkuar nga Qeveria që Agjencia kadastrale e Kosovës, e udhëhequr nga Murat Meha, të ndalojë punën që shkakton dualizma me punën e komisionit.

Image
Dokumenti përmes të cilit Bulliqi ka parashtruar këtë kërkesë.

Gazeta “Bota sot” ka siguruar dokumentin përmes të cilit Bulliqi ka parashtruar këtë kërkesë.

Mirëpo, Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka hedhur poshtë këtë kërkesë duke thënë se kërkesa e tillë nga komisioni nuk do të merret parasysh dhe do të vazhdojë punën në bazë të ligjeve në fuqi.

“Agjencia Kadastrale e Kosovës s’ka të bëjë fare me punën e Komisionit që e ka dërguar kërkesën, dhe që ai komision tenton të ndërhyjë në aktivitetet e institucionit ekzekutiv shtetëror. Agjencia Kadastrale e Kosovës do të vazhdoj në ushtrimin e mandatit të saj, duke mos lejuar që shkresat konspirative të pengojnë ofrimin e shërbimeve për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Njëherësh, AKK hedh poshtë këto praktika të ngjashme me ato të kohës se inkuzicionit kur njerëz njolloseshin pa argumente por në bazë të dëshirave, dhe për të njëjtat beson se i takojnë të kaluarës. Prandaj, një shkresë e tillë, konspirative e shantazhuese nga KMSHKSH nuk do të merret parasysh nga AKK-ja, e cila do vazhdoje aktivitetet e saja konform ligjeve në fuqi të cekura sipër”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.

Image
Shpejtim Bulliqi

Flet Shpejtim Bulliqi

Lidhur me këtë kërkesë, kryetari i Komisionit Shtetëror për matjen e kufirit, Shpejtim Bulliqi, ka treguar për gazetën “Bota sot” arsyet pse e ka bërë një kërkesë të tillë, duke thënë se nuk i intereson se kush është në krye të atij agjencioni.

“Puna jonë dhe puna e kadastrës lidhen bashkë, fatmirësisht apo fatkeqësisht ai ka qenë edhe kryetar i komisionit edhe i Agjencionit, prandaj këtu ka qenë esenca. Tani i dërgova tjera kërkesa për agjencinë kadastrale. Mua nuk më intereson se kush është atje, më intereson që ta respektoj institucionin. Unë kam kërkuar që të ndalen dualimzat në raport me këtë punë, për tjerat ajo i ka punët e veta nuk përzihem. Por për shembull, ne e nisim një punë si komision, që të shkojmë në X shtetin, cilido qoftë dhe agjencia kadastrale në të njëjtin shtet dhe e bëjmë shtetin të dalë keq. Ne nuk kemi asgjë të keqe me agjencinë por për fat të keq na rastisi që dy vizita që i planifikuam në të njëjtën kohë edhe agjencia i kishte të njëjtat. Andaj për shkak të kësaj, unë thashë që të mos dalim keq si shtet, sepse nëse shkojmë në një vend, të njëjtën kohë, ne shkojmë me një kërkesë tjetër, ata me një tjetër dhe del keq shteti, esenca është këtu”, ka deklaruar Bulliqi.

Ai thotë se qëllimi i vetëm i shkresës ka qenë që të ruhet autoriteti i institucioneve të Kosovës, por që thotë se duket se Agjencia e ka keqkuptuar.

“Ky ka qenë qëllimi i vetëm i asaj shkrese dhe asnjë tjetër por si duket ata e kanë keqkuptuar, por nuk është esenca të pengoj në punët e tjerëve, të paktën jo nga ana ime sepse nuk kam asnjë nevojë të merrem me këtë pasi ne jemi kolegë. Por si duket kolegu Murat mund ta ketë marrë pak më ndryshe. Mund ta ketë marrë edhe pse ka qenë më herët në këtë komision, nuk e di, nuk jam në lëkurën e tij për ta ditur se çfarë ka menduar por që nuk jemi askush që ta pengojmë punën e askujt, jemi komision shtetëror. Por meqë puna jonë lidhet në disa raste, dualizmi në një vizitë zyrtare nuk më duket e arsyeshme. Mirëpo nuk kam qëllim të pengimit të askujt sepse ata i kanë punët e veta, me rregullore me status e me ligj e me krejt, sikur ne që i kemi të rregulluara”, është shprehur më tej Bulliqi për “Bota sot”.

Sipas tij kjo është kërkuar pasi tash është duke u bërë raporti i vlerësimit për demarkacionin me Malin e Zi, që duhet të dalë sa më real, ndërsa sa i përket faktit që a merret parasysh apo jo kërkesa, Bulliqi thotë se me këtë merret qeveria apo ministria e Agjencionit.

“Në këtë fazë jemi duke bërë një raport vlerësimi dhe ky raport duhet të dalë sa më real, prandaj në këtë fazë kemi nevojë për një koordinim, më vonë le të bëjnë, edhe tash por vetëm të mos shkohet në të njëjtat pika se dalim shumë qesharak para opinionit publik, sepse  ai shkon me një kërkesë tjetër dhe ne me një tjetër humb autoriteti i institucioneve, qëllimi është që të ruhet autoriteti i shtetit. Ai mund ta ketë marrë si të dojë, është e drejtë e tij, por nëse kërkon sqarime unë jam i gatshëm të jap sqarime, por jo me shkresa e shantazhe, nuk jemi ne për të bërë shantazhe. Ne jemi këtu për ta bërë punën tonë, e kryejmë ua vendosim në tavolinë, për mua s’është problem. Nuk është komision që e marrë me kushedi sa nam, por është kërkuar, kanë shprehur besimin në punën tonë dhe do ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme. A e merr a se merr parasysh janë institucionet tjera. Vendos qeveria apo ministria e tij nuk e di, ne nuk kemi pse të përzihemi në punët e tyre”, ka thënë ai.

Për këtë çështje, gazeta “Bota sot” ka kërkuar përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, por që zyra për komunikim me media nuk është përgjigjur.

Image
Ramush Tahiri

Një gjë e tillë, është jo ligjore

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se një gjë e tillë nuk ligjore e as morale të bëhet.

“Budallallëk.. Më herët kritikonin për jotransparencë të komisionit Meha a tash janë bërë inkuizitor.., I bie që Agjencia e kadastrit mos të pnuojë fare pasi ata frikësohen nga paralelizmat që se dinë çka është kjo. Këta duhet të kenë ballafaqim mendimesh e argumentesh e jo t’ua mbyllin gojën me shkresa ndalesa që nuk është as ligjore, as morale e as profesionale”, ka deklaruar Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat