Përfshirja e SHBA-ve në dialogun me Serbinë, pse Qeveria nuk zbulon strategjinë?

Politika

Përfshirja e SHBA-ve në dialogun me Serbinë, pse Qeveria nuk zbulon strategjinë?

ALBULENË MUJI Nga ALBULENË MUJI Më 19 tetor 2017 Në ora: 22:03
Ilustrim

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të përfshihet në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas analistëve, nuk dihet strategjia e Qeverisë për vazhdimin e dialogut, mirëpo përfshirja e SHBA-ve, do të jepte rezultate më të shpejta në zbatimin e marrëveshjeve mes të dyja vendeve.

Analisti Faik Krasniqi ka thënë se qëllimi i këtij dialogu relaksimi i raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe se deri më tani nuk ka dhënë ndonjë rezultat.

Image
Faik Krasniqi

“Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian. Mirëpo, deri më tash dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel, nuk ka dhënë asnjë frut për shtetin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, ai ka shtuar se nuk dihet strategjia e Qeverisë së Kosovës rreth vazhdimit të dialogu, por përfshirja e ShBA-ve do të jepte një ritëm më të shpejtë zbatimit të procesit.

“Nuk e dimë saktësisht strategjinë e Qeverisë së Kosovës rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë. Por, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, do t'i jepte një ritëm më të shpejtë zbatimit të marrëveshjeve dhe vetë procesit”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se përfshirja e SHBA-ve në procesin e dialogut do të jepte një garanci që marrëveshjet do të zbatoheshin edhe në praktikë nga Serbia.

“Njëkohësisht do të kishim edhe garanci të çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur dihet se pala serbe nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje në praktikë të nënshkruar në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat