LDK çon presidentin Thaçi në Kushtetuese?

Politika

LDK çon presidentin Thaçi në Kushtetuese?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 20 tetor 2017 Në ora: 12:20
Hashim Thaçi

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë deklaruar se janë duke mbledhur fakte që Presidentin Kosovës ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Involvimi i Presidentit në fushatën elektorale e sidomos vizitat e tij në Vushtrri dhe Klinë si dhe takimet publike të tij më kandidatet e PDK-së, janë pikat ku kjo parti politike po bën përpjekje të mbledhë fakte për ta dërguar Thacin në Kushtetuese.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj ka thënë për “Bota sot” se fillimisht duhet të mblidhen faktet. Ai ka thënë LDK beson se Presidenti ka bërë shkelje kushtetuese.

Image
Bajram Gecaj

“Ne besojmë se Presidenti definitivisht ka bërë shkelje kushtetuese, por tani mbetet që kjo të faktohet si dhe të binden gjyqtarët për një vendim të tillë”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve politike në vend Haki Abazi ka thënë se LDK e ka për obligim që ta ruaj pozitën e presidentit pikërisht për faktin që i ka ndihmuar  Thaçit të behët president dhe kjo është bërë në rrethana të jashtëzakonshme.

Image
Haki Abazi

“Tani LDK duhet patjetër që ta mbaj përgjegjëse Thaçin për veprimet e tij dhe besoj që do të jetë vështire duke ditur kompozicionin e shumicës se Gjykatës Kushtetuese përveç Z. Sejdiu që ka treguar nivel të lartë të profesionalizmit të tjerët nuk është se kanë treguar pavarësi të veprimit nga politika. Në fakt Gjykata Kushtetuese është ndër fajtoret kryesorë të gjendjes se tanishme në Kosovë dhe kryesisht ish kryetari i saj Enver Hasani” ka thënë Abazi. Sipas tij ndërhyrja e presidentit të vendit në bërjen e qeverisë dhe tani pjesëmarrja në fushatën elektorale për zgjedhjet komunale por edhe përzierja në kompetencat për dialogun më Serbinë përbëjnë shkelje kushtetuese.

Analisti politik Nexhat Haziri ka shpjeguar se detyrat e presidentit të vendit janë të përshkruara në Kushtetutën e vendit, më anë të së cilës presidenti thirret të jetë institucion mbi partitë politike, që ofron unitet qytetar e politik dhe garanton funksionim demokratik të institucioneve të vendit.  Dhe si garadian për ta mbrojtur Kushtetutën e vendit nga kush do që mund ta shkel është Gjykata Kushtetuese, e cila deri më tani ka rrezuar dy presidentet e vendit Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin.

Image
Nexhat Haziri

“Po ashtu ne kemi vërejtur se presidenti aktual  Hashim Thaçi edhe në fushatën e zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit dhe në këto lokale është përfshirë në mënyrë të fshehtë në aktivitete partiake, apo më mirë të themi që nga zgjedhja e tij në postin e të parti të vendit ai asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet tij më PDK-në, parti këtë që e ka udhëhequr me vite, qoftë në politik bërje apo vendimmarrje në këtë subjekt politik. Dhe pikërisht për këtë shohë se LDK-ja është e mobilizuar për ta dërguar presidentin në Gjykatën Kushtetuese për këtë shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit Thaçi” ka thenë Haziri.

Sipas tij nuk mund të paragjykohet vendimin që do të jap më pas Gjykata Kushtetuese, por është shumë me rëndësi, sidomos tani në këtë periudhë të vështire izolimi që po kalon Kosova, që vendi të ketë një president i cili ofron dhe garanton një unitet politik në proceset politike të cilën e presin Kosovën. Ndërsa presidenti aktual Thaçi, nuk është një person i tillë.

E analisti tjetër Blerim Burjani ka thënë se duhet të ketë prova të mjaftueshme për të përpiluar kërkesën për kushtetutshmërinë e veprimeve të presidentit, për veprimet e tij ose çfarëdo përzierje në fushatë të partive duhet të ketë edhe fakte të mjaftueshme , prova pra me te cilat do te pasqyrohet si shkelje e kushtetutës dhe kompetencave që ka apo edhe veprimet e tij të palejueshme.

Image
Blerim Burjani

Ndryshe, Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se LDK është duke i mbledhur të gjitha provat për ta dëshmuar se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, po shkel rëndë duke keqpërdorur pozitën e tij si president në fushatë zgjedhore.

LDK po mbledhë fakte

Për këtë Osmani ka thënë se deputetët e LDK-së në pajtim me Kushtetutën janë duke i mbudhur faktet që të kenë mundësi  të ngritin këtë çështje në gjykatën kushtetuese për shkeljet të rëndë të kushtetutës nga Hashim Thaçi.

LDK-ja është duke e përcjell me shqetësim të jashtëzakonshme involvimin e presidentit të Kosovës në fushatën elektorale . Më saktësisht vizitat e tij në Vushtrri dhe Klinë si dhe takimet e tij publike me kandidatët e PDK-së dëshmojnë  mbi paaftësinë e presidentit për të ushtruar rolin e tij kushtetues. Një anim i tillë dëshmon dy gjëra së pari se presidenti i Republikës vazhdon të jetë i lidhur ngushta me interesa partiake të PDK-së. E dyta se PDK është në krizë të thellë elektorale , pra është në panik. Në këtë panik e krizë e njëjta ka mobilizuar , gjitha resurset politike që i ka përfshirë edhe presidencën. LDK është e bindur se krizën e PDK-së s’mund ta ndaloj as presidenti i venit. Sepse rënia e PDK-së në këto zgjedhje është e  pashmangshme “, tha Osmani.

Image
Vjosa Osmani

Ajo njëkohësisht e ka ftuar presidentin që të  përmbahet nga animet partiake , të ushtrojë rolin e tij të përcaktuar me Kushtetutë  dhe të lejojë një garë të drejtë dhe demokratike pavarësisht konsekuencave që në këto zgjedhje do të vijnë në partinë e tij. Në kundërtat sipas saj, do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Është tërësisht e qartë se si kapitull kushtetues për kompetencat e presidentit po ashtu dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 në mënyrë strikte ndalojnë involvimin e presidentit në çfarëdo aktiviteti partiak. Kjo në veçanti është e ndaluar gjatë fushatës zgjedhore . Pra presidenti është duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën. LDK është duke i mbledhur të gjitha provat për ta dëshmuar atë në mënyrë që deputetët e LDK-së në pajtim me kushtetutën të kenë mundësin dhe të ngrisin këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet të rëndë të Kushtetutës nga Hashim Thaçi. Prandaj bëjmë thirrje që të ndalojë me veprimet tilla antikushtetuese sepse pavarësisht se sa angazhohet ai është e pashmangshme rënia dhe humbja e PDK-së në të gjitha komunat “, tha Osmani.

Ndryshe Presidenca nuk është përgjigjur fare në akuzat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat