“Haradinaj veproi kundërligjshëm, të revokojë vendimin e tij”

Politika

“Haradinaj veproi kundërligjshëm, të revokojë vendimin e tij”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 tetor 2017 Në ora: 10:38
Ramush Haradinaj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit, po konsiderohet si i kundërligjshëm.

Institute si GAB, GSJP dhe INDEP, kanë kundërshtuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për faljen e rreth 60 milionë eurove.

Në komunikatën e këtyre instituteve, ky vendim është cilësuar si i kundërligjshëm.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore”.

Po ashtu në komunikatë thuhet se “falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”.

“Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës”.

AAK: Vepruam si qeveritë e kaluara

Mirëpo në partinë e Haradinajt, vendimin e tillë nuk e shohin si të tillë, pasi Qeveria mund të veprojë në drejtimin e tillë të faljes së borxheve.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, anëtari i AAK-së Muhamet Kelmendi, ka thënë se Qeveria mund të propozojë masa konkrete për shërimin e gjendjes ekonomike.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në kuptimin e politikës ekonomike, natyrisht se Qeveria ka një plan zhvillimor ekonomik dhe mund të veprojë në drejtimin e tillë të faljeve të borxheve. Qeveria me ministrit përkatëse, të cilat propozojnë masa konkrete të shërimit të gjendjes ekonomike, e cila ka për qëllim të jetë sipas planifikimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Kelmendi.

Ai më tej ka thënë se njëjtë sikurse Qeveria e tanishme, kanë vepruar edhe ato të kaluara.

“Kemi parë se edhe Qeveria e kaluar dhe ato menjëherë pas luftës shumë borxhe kanë fal, kemi parë poashtu se edhe minoriteteve u janë falur dhe nuk kanë gabuar, pastaj kemi pasur borxhe të rrymës, për forma të ndryshme, e kam fjalën për ngrohje etj.”, është shprehur ai.

Se as është vendimi i Haradinajt i ligjshëm, apo jo, sipas anëtarit të AAK-së, këtë mund ta vërtetojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Është një çështje, të cilën nuk mund ta analizojë askush është ligjore apo nuk është ligjore, sepse është një çështje që Qeveria e planifikon dhe e cilëson si pozitive apo negative. Në bazë të përcaktimeve të tilla, qeveria edhe e merr një vendim të tillë për të konstatuar se a është ligjore apo nuk është i tillë. Unë nuk jam i ligjeve të natyrës së tillë, dhe për fat të keq i takon Gjykatës Kushtetuese, përfundimisht të vendos se a është ligjore apo jo”, ka theksuar Muhamet Kelmendi.

Nga ana tjetër, analistët politikë dhe deputetë opozitarë, kanë vlerësuar se vendimi i Haradinajt është i kundërligjshëm dhe se ai duhet të revokohet.

Pantina: Vendimi i Haradinajt, të revokohet

Image
Shqipe Pantina

Duke folur në lidhje me këtë çështje deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Shqipe Pantina, ka thënë se pikërisht pyetja e saj parlamentare, kishte të bënte për këtë temë. Por, sipas saj, ajo nuk ka marrë ende përgjgjje për shkak të mosmbajtjes së seancës parlamentare.

Ajo ka thënë në prononcimin për “Bota sot” se Haradinaj duhet të tregojë se ku e ka marrë bazën ligjore për faljen e borxheve.

“Unë e kam pasur këtë pyetje parlamentare për kryeministrin, por nuk kemi mbajtur seancë ende për të pyetur atë se ku e ka gjet ai bazën ligjore, mbi të cilën është bazuar ai për faljen e borxheve”, ka thënë deputetja Pantina.

Ajo e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e Haradinajt, duke thënë se afati për aplikimin e kompanive të shlyerjen e borxheve ka skaduar në shtator. Sipas saj, ky vendim vetëm sa do ta inkurajojë krimin ekonomik, prandaj siç ka theksuar Pantina, vendimi i kryeministrit duhet të revokohet.

“Për faljen e borxheve ka pasur një afat të caktuar në bazë të të cilit kompanitë kanë mundur të aplikojnë për faljen e borxheve deri në vitin 2009. Dhe afati ka skaduar në shtator të këtij viti. Prandaj, për mua vendimi I kryeministrit është i paligjshëm dhe e dyta vetam sa e inkurajon krimin ekonomik, sepse kompani të caktuara mund të mos paguajnë detyrimet që kanë ndaj shtetit dhe të bëjnë marrëveshje pastaj me një politikan, një subjekt politik ose me kryeministrin për më saktë që këto borxhe të falen. Ky është precedent tejet i keq dhe tejet i dëmshëm, prandaj si i tillë mendoj se duhet që vendimi i kryeministrit të revokohet”, ka deklaruar deputetja e VV-së, për “Bota sot”.

“Qeverisë po i ngutet”

Image
Faton Abdullahu

Ndërsa, ish-zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Faton Abdullahu, ka thënë se vendimi për faljen e borxheve, është marrë me nguti dhe pa i respektuar procedurat ligjore.

“Që të mblidhet borxhi, të shpeshtën është më e vështirë për institucionet se sa që ai të falet. Për më shumë, falja mund të determinojë për një pushtet lavdata dhe pikë politike më kollaj, të cilat mund të shpërblehen në ndonjë mënyrë, sidomos kur kjo nuk bëhet për qytetarin e thjeshtë, por për biznese përkatëse. Sa i përket konkretisht vendimit, për të cilin po flisni, kjo është bërë me nguti, pa e menduar gjatë dhe pa i respektuar procedurat”, është shprehur Abdullahu.

Sipas tij, Qeveria më shumë po “merret për të lënë përshtypje se kryen punë shpejt”, mirëpo ai ka thënë se kjo “nguti” është brengosëse.

“Duket se ky është stili i punës i kësaj qeverie e cila brengoset shumë që të lë përshtypje se është qeveri e cila kryn punë shpejtë. Kjo nguti është brengosëse. Në rastin konkret për mua është posaçërishtë kështu sepse, tash më shumë se një muaj opozitarëve aktual, të zënë me zgjedhjet lokale, duket se nuk ju ka mbetur energji e mjaftueshme politike, për tu marrë me këtë çështje, në përpjestim të drejtë me dëmin që do ta determinojë kjo qasje”, ka thënë Faton Abdullahu në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Vendimi i Haradinajt, në kundërshtim me Kushtetutën

Image
Mentor Tahiri

Edhe sipas politologut Mentor Tahiri, falje të tilla, mund të merren vetëm nga Kuvendi i Kosovës.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tahiri e ka quajtur arbitrar dhe joligjor këtë vendim të Qeverisë, pasi siç ka thënë ai, ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Falje të tilla mund të bëhen vetëm me vendime të Kuvendit. Fatkeqësisht falja e borxhit për ambalazhuesit e ujit, është në vazhdën e vendimeve arbitrare dhe joligjore të Qeverisë. Ambienti institucional i krijuar në Kosovë bie ndesh me përkufizimin e shtyllave të shtetit të parapara në Kushtetutën e Kosovës. Kam frikë se ngadalë Kosova po hyn në një diktaturë qeveritare, e cila qëllimshëm mu për këtë po e saboton edhe thirrjen e seancave në Kuvend”, ka thënë Mentor Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat