Analisti politik: Haradinaj fali 60 milionë euro, për fushatë elektorale dhe shkëmbim të votave

Politika

Analisti politik: Haradinaj fali 60 milionë euro, për fushatë elektorale dhe shkëmbim të votave

Nga: A.Zh Më: 21 tetor 2017 Në ora: 15:38
Ramush Haradinaj

Analisti i çështjeve politike Ali Hertica, ka komentuar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve për ambalanzhuesit e ujit.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Hertica ka thënë se falja e borxheve është bërë trend, por ato sipas tij, nuk janë lehtësim për qytetarin e rëndomtë.

“Është bërë një lloj trendi falja e borxheve nga qeveritarët, të cilët sapo vijnë në pushtet, po bëjnë një lloj falje kinse të borxheve, por këto falje nuk janë si lehtësim për qytetarët e rëndomtë, sepse ai e ka situatën e rënduar mu nga qeveritarët, që sot po shkëlqejnë në politika mashtruese. Një gjest të tillë e bëri edhe ish-kryeministri Mustafa, i cili bëri falje për të gjithë ata që kishin borxh për energji elektrike, ku kjo i shkoi për shtati vetëm bizneseve të mëdha, ku kishte me qindra borxhe, ndërsa qytetarët janë detyruar edhe me këste t’i paguajnë. Kjo tregon se barometri politik, se tani lidershipi i Kosovës po di ta shfrytëzojë këtë dukuri në varfërinë e qytetarit”, është shprehur Hertica.

Image
Ali Hertica

Ai e ka quajtur të çuditshme dhe të pakuptimtë faljen 60 milionëshe të Haradinajt.

“Falja 60 milionëshe nga Haradinaj, është diçka shumë e çudtishme dhe e pakuptimtë pse ju fali prodhuesve të ujit që burimin e marrin nga toka e Kosovës, pa shpenzuar fare lëndë të parë dhe për përfitime personale, por vetëm si prodhim e kanë ambalazhën dhe distribuimin nëpër markete, duke mashtruar qytetarin, duke ju shitur këtë ujë me një çmim të lartë nga lënda e parë që e marrin falas, pa paguar asgjë”, është shprehur analisti.

Sipas tij, faljet e tilla, mund të bëhen, duke bërë marrëveshje me bizneset për mbështetje gjatë fushatës elektorale dhe shkëmbim të votave, që siç ka thënë ai, paraqet shkelje të Kushtetutës së vendit.

“Falja e tillë nga një kryeministër është diçka që mund të fshihet, duke iu premtuar bizneseve që ta ndihmojnë në fushata elektorale dhe shkëmbim të votave. E gjithë kjo është një shkelje kushtetuese e shtetit dhe fyerje për shtresën e varfër të qytetarëve të Republikës, ku sipas statistikave evropiane, një qytetar i Kosovës, jeton me vetëm 1,60 euro, që do të thotë se për këtë kategori nuk ka falje, por vetëm për bizneset që nuk paguajnë as TVSH me vite”, ka vlerësuar Hertica për “Bota sot”.

Ndryshe, vendimi i Haradinajt për faljen e rreth 60 milionë eurove, është kritikuar ashpër nga institute si GAB, INDEP si dhe nga shoqëria civile, të cilët konsiderojnë se falja duhej të bëhej përmes Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat