Parashikimi i analistëve: Do të ketë befasi në zgjedhje, ja sa komuna do të shkojnë në balotazh

Politika

Parashikimi i analistëve: Do të ketë befasi në zgjedhje, ja sa komuna do të shkojnë në balotazh

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 tetor 2017 Në ora: 13:45
Zgjedhjet në Kosovë, 22 tetor

Zgjedhjet e sotme lokale në Republikën e Kosovës do të shërbejnë si një test i demokracisë dhe si dënim për kandidatët e përfshirë në krim dhe në afera korruptive, thonë analistët politik.

“Qytetarët, sot me votën e tyre të lirë do t'i ndëshkojnë partitë e dështuara politike dhe kandidatët e implikuar në afera korruptive dhe kriminale. Mundësitë dhe format e ndëshkimit qytetar janë vetëm tri; votimi i kandidatëve të pastër, mos dalja në zgjedhje dhe "prishja" e fletëvotimeve”, thotë për “Bota sot” analisti Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

Sipas tij, zgjedhjet e sotme lokale, do të jenë një test i demokracisë dhe kredibilitetit qytetar për qeverisjen lokale si dhe barometër i besueshmërisë në qeverisjen e nivelit qendror.

“Po ashtu, nga zgjedhjet e sotshme priten ndryshime substanciale në qeverisjet komunale. Ndryshimet në nivelin komunal do të vijnë edhe si produkt i zhgënjimit të qytetarëve në qeverisjen qendrore”, thotë më tej Zeqa.

Ai shtoi se këto zgjedhje do të shërbejnë edhe si një alarm ndërgjegjësimi për partitë politike, për nevojën urgjente të reformave të thella dhe përmbajtjesore.

Zgjedhjet lokale do të jenë një test për nivelin qendror

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër analisti Faton Mehmeti, thotë se këto zgjedhje do të jenë një test edhe për zgjedhjet lokale.

“Ka një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si votojnë qytetarët. Kjo edhe mund jetë një test për nivelin qendror që të kuptojnë se qytetarët dëshirojnë dhe votojnë më tepër njerëz të pranueshëm për ta, të pakorruptuar dhe të sinqertë e punëtorë. Kjo mund të shërbejë si shembull për nivelin qendror që në të ardhmen të konkurrojnë me njerëz të ndershëm dhe të pakorruptuar”, thotë analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, këto zgjedhje pritet të sjellin ndryshime të mëdha, në veçanti në komunat e mëdha.

“Së paku në gjysmën e komunave të mëdha do të ketë ndryshime qysh në raundin e parë, disa shkojnë në balotazh atje ku matematikat e koalicioneve mund të suprizojnë gjithkënd. Këto janë zgjedhjet e para lokale më të paparashikuara, prandaj edhe befasitë s’do të mungojnë”.

Ndryshe, sot janë hapur qendrat e votim në 38 komuna të Kosovës ku qytetarët po votojnë për kandidatët për kryetar të komunave dhe për asambleistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat