“Nënshkroi marrëveshje të gabuara gjatë dialogut”, kjo është kërkesa e re e Thaçit

Politika

“Nënshkroi marrëveshje të gabuara gjatë dialogut”, kjo është kërkesa e re e Thaçit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 tetor 2017 Në ora: 15:16
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Dialogu me Serbinë ka kaluar në nivel presidentësh dhe për të pasur përparim në këtë dialog presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka kërkuar që partitë politike të bashkohen dhe që të formohet Ekipi i Unitetit.

Për këtë ekip, pati kundërshtime nga partitë opozitare dhe analistë.

Se a do të formohet dhe kur do të formohet, gazeta “Bota sot” ka tentuar të marrë përgjigje nga presidenca, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet.

LDK ende pa vendim

Image
Besa Gaxherri

Ndërsa, sa i përket mundësisë që partitë t’i bashkohen këtij ekipi në qoftë se formohet, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxherri, ka thënë se ende nuk kanë vendosur për këtë.

“LDK ka qenë gjatë gjithë kohës me zgjedhje dhe nuk jemi mbledhur organet e partisë për ta diskutuar këtë çështje fare. Andaj, nuk mund të them ende asgjë nëse do ta përkrahim apo jo, mirëpo një gjë mund ta them, duhet të mendojmë që Kosova po bën hapa përpara e që vërtetë ata që fitojnë në zgjedhje duhet të marrin përgjegjësi. Konsideroj se Lidhja Demokratike e Kosovës shumë shpejt do ta merr besimin e popullit dhe ne si udhëheqje, si qeveri do të vendosim për këtë çështje”, është shprehur Gaxherri për “Bota sot”.

Në anën tjetër, analistët shprehin mendimet e tyre për ekipin e unitetit.

“Nuk e kuptoj pse tani duhet të kërkohet që për bisedimet me Serbinë në Bruksel, duhet të formohet i ashtuquajturi grupi i unitetit, kur ky proces tani duhet të shkojë në fazën finale dhe ajo që është deklaruar edhe nga vetë Thaçi, se në fund të këtij dialogu do të ndodhë edhe njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur analisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Tentimi i Thaçit për shfajësim”

Ai ka thënë se me këtë ekip, presidenti po mundohet ta ndajë fajin për disa marrëveshje që i ka arritur.

“Është evidente se këto bisedime nuk kanë rezultuar gjithaq me mënyrën më të mirë apo pozitive për Kosovën, sidomos lëshimet që janë bërë ndaj Serbisë, pikërisht nën udhëheqjen e Thaçi si kryeministër, dhe kjo kërkesë e tij, tani më shumë më tingëllon si ndarje e fajësisë për disa marrëveshje të gabuara që kanë prodhuar bisedimet me Serbinë në Bruksel, dhe të nënshkruara nga vetë Thaçi. Unë e kuptoj procesin e bisedimeve në mes palëve dhe po ashtu kuptoj se nga këto bisedime pritet edhe konsensus, por jo të atillë që dëmtojnë jo pak substancën shtetërore të Kosovës, duke e bërë shtet jo funksional. Dhe unë nuk pres që do të formohet ky i ashtuquajturi grupi i unitetit, pasi kundër një nisme të tillë nga presidenti Thaçi, janë deklaruar edhe vet partitë opozitare”, ka deklaruar Haziri për “Bota sot”.

Loja e partive politike

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj, ka thënë se partitë po luajnë me çështjen e dialogut për interesa politike.

“Presidenti Thaçi, përpos që ka shpreh interes t’u prijë bisedimeve, ai është shprehur pro një përfshirje më të gjerë të spektrit politik. Mirë do të ishte, nëse çështjen e bisedimeve me Serbinë ta merrnin të gjithë seriozisht. Njëherësh edhe të shprehnin gatishmëri për pjesëmarrje në të. Siç e kemi parë, ky proces vazhdimisht kundërshtohet me ngulm nga partitë opozitare, përderisa kur është fjala për pushtet nuk e kundërshtojnë. Pra, partitë luajnë me këtë temë për interesa politike. Ne na kërkohet unitet në çështjet me rëndësi të veçantë kombëtare edhe mirë është ta kemi”, është shprehur Duhanaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat