Tahiri tregon pse LDK-ja u rikthye si forca e parë politike

Politika

Tahiri tregon pse LDK-ja u rikthye si forca e parë politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 tetor 2017 Në ora: 22:22
Ramush Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës doli e para në zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë.

Kjo parti fitoi katër komuna në balotazh, ndërsa që në 10 komuna të tjera shkon në balotazh.

Në vend të dytë është renditur PDK, më pas Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe në fund AKR.

Lidhur me gjithë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, politologu Ramush Tahiri thotë se LDK-ja është forcë e parë dhe duket se është bërë një rikthim dhe besim i ri.

“Në Ferizaj po thonë PDK është e para edhe në asamble edhe në balotazh...Pra varet prej qytetit. Edhe në Prishtinë duket Abrashi ka marrë më shume se vetë kandidatët e LDK-së. Duhet një analizë e disa faktorëve dhe rrethanave. Është fakt i pamohueshëm se LDK-ja ka dalë forca e parë politike...duket një rikthim dhe një besim i ri dhe një interes i shtuar”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duket se votuesit që e kishin ndëshkuar LDK-në për koalicion me PDK-në janë kthyer dhe që ata lëvizin tek LDK dhe VV.

“Të shihet a është si te VV edhe votë pro edhe kundër dhe a është votë e qëndrueshme sepse duket që qytetari atëherë e ndëshkoi LDK-në për koalicionin me PDK-në sikur që tash iu rikthye kur LDK doli e vetme. Duket ky është ai elektorat që lëvizë herë te VV herë te LDK”, vlerëson politologu Tahiri.

Ndryshe, në balotazh do të shkojnë këto komuna: Prishtina ku në balotazh janë VV-LDK, Gjakova AAK-AKR, Gjilani LDK-VV, Ferizaj PDK-LDK, Podujeva LDK-VV, Prizreni PDK-VV, Mitrovica PDK-AKR, Vushtrri PDK-LDK, Istog LDK-AAK, Rahovec AAK-PDK, Kamenicë VV-LDK, Malishevë Nisma-PDK, Klinë PDK-AAK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat