Arsyet pse pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ultë

Politika

Arsyet pse pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ultë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 tetor 2017 Në ora: 22:46
Zgjedhjet në Kosovë

Në Kosovë të dielën janë mbajtur zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Përqindja e daljes në votime ka qenë jo e kënaqshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), thotë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte rreth 44%.

Me daljen jo të kënaqshme të qytetarëve në votime është shprehur edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se njerëzit nuk duhet ta humbin rastin dhe të votojnë për të ardhmën e tyre.

“Qytetarët duhet të mendojnë se për kë duan të votojnë. Ne duam të shohim persona të zgjedhur që janë meritor, njerëz që janë të respektuar, njerëz që e dinë mirë punën dhe njerëz që kanë përgjegjësi dhe duar të pastra”, vlerësoi Natalya Apostolova.

Sipas analistëve politikë, pjesëmarrja e ultë në zgjedhje paraqet mos seriozitetin e qytetarëve në politikë.

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë për “Bota sot” se pjesëmarrja e ultë në zgjedhje tashmë është e pranishme gjithandej.

Sipas Duhanajt, Kosova i ka karakteristikat e veçanta për pjesëmarrjen e ultë të qytetarëve në zgjedhje.

Duhanaj ka treguar arsyet e pjesëmarrjes së ultë të votuesve, e sipas tij, një prej arsyeve është lodhja dhe demoralizimi i qytetarëve.

“Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, është trend gjithandej. Megjithatë kur flasim për Kosovën, e cila i ka karakteristikat e veçanta, është e çuditshme se si qytetarët nuk e marrin seriozisht pjesëmarrjen aktive në politikë. Pra, është e vetmja mundësi për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në ndryshimin e politikës, megjithatë, një numër i konsiderueshëm nuk e bëjnë. Kjo mund të interpretohet në shumë mënyra si p.sh; që qytetarët janë të kënaqur me jetën dhe politikën që i udhëheq. Ose, është arsye tjetër që mendoj që është me e qëlluar, se qytetarët, janë lodhur dhe demoralizuar aq shumë, sa që më as nuk besojnë në ndryshime pozitive”  ka pohuar Duhanaj.

Ai ka shtuar se, faktor tjetër i rëndësishëm i pjesëmarrjes së ultë të votuesve është emigrimi, sipas tij, shteti duhet ta marrë me serizoitet përfshirjen e diasporën në jetën politike në vend.

“Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe emigrimi. Shumë qytetar të cilët figurojnë nëpër listat zgjedhore janë jashtë vendit dhe nuk votojnë fare. Në këtë rast shteti duhet të marrë me shumë seriozitet përfshirjen e diasporës në jetën politike në vend. Hapi me i rëndësishëm për ta bërë këtë, padyshim që është krijimi i mundësive për pjesëmarrje aktive me anë të votës. Mënyra e tanishme nuk është as e drejtë, as e mjaftueshme. Për ta bërë këtë proçes siç duhet, kërkohet organizim i drejtpërdrejtë i pjesëmarrjes fizike ne votime, duke shfrytëzuar lokalitetet e ambasadave dhe konsullatave gjithandej ku ka diasporë” ka përfunduar Duhanaj.

Në zgjedhjet e së dielës, ishin të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, prej tyre 18 mijë e 11 votues të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat