Papërgjegjësia e Haradinajt, i sjellë rrezik të ri Kosovës

Politika

Papërgjegjësia e Haradinajt, i sjellë rrezik të ri Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 tetor 2017 Në ora: 15:38
Ramush Haradinaj

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se vendi rrezikon të përjashtohet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për shkak të borxheve të disa ministrive ndaj këtyre të fundit.

Në lidhje me kërkesën e Hoxhajt, që Kosova t’i shlyejë borxhet, janë deklaruar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria: Borxhet do t’i paguajmë në afat optimal

Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria për gazetën “Bota sot”, është thënë se këto borxhe do të  shlyhen në afat optimal.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet që borxhet që implikojnë organizatat ndërkombëtare të shlyhen në afat optimal”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, analistët vlerësojnë se vendi ka ardhur deri në këtë gjendje për shkak të mungesës së përgjegjësisë si dhe strategjisë së Qeverisë së Kosovës.

Image
Ali Hertica

“Shëtitjet” e politikanëve me xhepin e qytetarit

Analisti Ali Hertica, ka thënë se mundësia e Kosovës që të përjashtohet nga organizatat, tregon joseriozitetin e Qeverisë dhe se kjo vie si pasojë e shpenzimeve të buxhetit.

“Paralajmërimi i zv.kryeministrit Enver Hoxhaj në kabinetin e qeverisës se Kosova mund të përjashtohet nga disa organizata ndërkombëtare, tregon se kjo Qeveri nuk është serioze që të kryejnë obligimet që ka Kosova ndaj shteteve, si obligim kushtetues dhe ligjor në konventat ndërkombëtare. Ky tregues është edhe sinjal serioz se vendi rrezikon të përjashtohet nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për shkak se ministrat e Republikës bëjnë vetëm shëtitje, duke shpenzuar e ngarkuar buxhetin dhe xhepin e qytetarit, pa konkretizuar asgjë rreth politikave dhe bashkëpunimit bilateral në të mirë të Kosovës . E gjithë kjo tregon se politikbërësit e Kosovës as që e kanë të qartë pse shëtisin apo nuk dinë arsye dhe kjo ndodh nga ministra, ku e keqpërdorin buxhetin pa i dhënë llogari askujt për bashkëpunime ndaj këtyre organizmave ndërkombëtare“, ka deklaruar ai.

Hertica: Haradinaj dhe Pacolli, fajtorët

Hertica ka fajësuar krerët e shetiti si kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Punëve të Jashtme Behgjet Pacollin, të cilët, sipas tij, nuk kanë reaguar për fushatën e Serbisë, që ka penguar vendin për pranimin në organizatat evropiane.

“Për të gjitha këto ngecje në njohje nga shtetet e tjera dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ato rajonale, ku për të gjitha këto fajtorë janë qeveria dhe ministri i Jashtëm Pacolli  dhe  kryeministri Haradinaj së bashku me kabinetin qeveritar,  të cilat jo vetëm që nuk kanë pasur fuqi që vetë të bëjnë diçka madhore për shtetin që të kyçet në organizata botërore, por as që kanë pasur fuqi të reagojnë ndaj fushatave të egra të Serbisë që po e pengon Kosovën drejt pranimit në familjen Evropiane, e cila ka qenë penguesja kryesore për mospranimin e Kosovës në këto organizata”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se politikanët kanë dështuar pasi që këta të fundit punojnë për egon, e jo për shtetin  e Kosovës.

“Tani në vitet e fundit, edhe përkundër paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të lartë të shtetit se Kosova është drejt liberalizimit dhe kyçjes në organizatat botërore, Kosova as që arriti të bëhet anëtare e UNESCO-s (Agjencisë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara), Këshillit të Evropës dhe as INTERPOL-it, ku kjo tregon se lidershipi dhe politikbërësit e Kosovës, janë duke dështuar në këto parametra politik drejt largimit nga shumë organizata, nga figurat matrapaze politike që punojnë vetëm me egot e tyre e jo për shtetin”, ka thënë Hertica për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mungesa e përgjegjësisë së Qeverisë

Ndërkaq analisti tjetër Faton Mehmeti, e ka cilësuar këtë deklaratë të Hoxhajt serioze, duke thënë se kjo nënkupton mungesë të përgjegjësisë nga Qeveria.

“Duhet të jenë serioze deklaratat e një zv.kryeminstri, i cili ngre alarmin për mundësitë që Kosova të përjashtohet nga disa organizata, për shkak të borxheve. Kjo nënkupton mungesë përgjegjësie nga ana e qeverisë, e cila nuk po bën hapa të duhur për të kyçur vendin në organizata tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka thënë se institucionet e vendit nuk kanë strategji për t`u kyçur në organizata ndërkombëtare.

 “Dështimet e Kosovës në UNESCO dhe Interpol, janë si rezultat i mos angazhimit të institucioneve tona, të cilat nuk kanë strategji se si vendi të kyçet në organizatat ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për qeveri serioze, me ekip profesional dhe jo partiak e të cilët punojnë me tërë dijen dhe kapacitetin në të mirë të Kosovës”, ka shtuar ai. 

Në fund, Mehmeti ka shtuar se duhet të ndryshohet kursi i qeverisë, pasi që vendi është shëndrruar “në plaçkë, ku secili mundohet të gllabërojë diçka”.

“Kjo qeveri, si edhe të shkuarat, ka synim si të pasurohet dhe të zhvas vendin. Kosova është shndërruar në plaçkë, ku secili mundohet të gllabërojë diçka. Duhet ndryshuar kursi i qeverisë , përndryshe Kosovën e presin ditë edhe më të zeza”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat