Prokuroria në dijeni, “veteranët e vërtetë po vuajnë për shkak të komandantëve matrapazë”

Politika

Prokuroria në dijeni, “veteranët e vërtetë po vuajnë për shkak të komandantëve matrapazë”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 tetor 2017 Në ora: 18:35
ilustrim

Institucionet e Republikës së Kosovës, kanë dështuar në realizimin e të hyrave në buxhetin e shtetit, meqë iu është dashur me doemos të bëjnë ndryshime në orientimin e të hyrave.

Kështu vlerëson kryetari i Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së  Xhevdet Qeriqi. Sipas tij, institucionet e Republikës të Kosovës, kanë dështuar në realizimin e të hyrave në buxhetin e shtetit.

Image
Xhevdet Qeriqi

Të hetohen listat e fryra të veteranëve

Ai ka thënë për “ Bota sot” se veteranët e luftës së UÇK-së, tashmë mbrohen me ligj, meqë institucionet e Kosovës kanë miratuar një ligj për këtë kategori, ku brenda këtij ligji janë të përcaktuara edhe benificionet për luftëtarët e UÇK-së.

“Qeveria e Republikës të Kosovës është e obliguar që ta zbatoj ligjin dhe në këtë rast ti siguroj buxhetin e paraparë me ligj për zbatimin e tij. Ne kemi reaguar me kohë rreth fryrjeve të listave të veteranëve nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranit, e po ashtu kemi kërkuar hetim dhe auditim të këtyre listave, mirëpo nuk kemi gjetur mbështetje nga institucionet për një auditim të pavarur të të gjithë procesit”, ka thënë ai.

Qeriqi ka nënvizuar se edhe vet përfaqësues të institucioneve deklarohen se listat janë fryrë, por fatkeqësisht nuk reagojnë që të gjendet një zgjidhje për pastrimin e këtyre listave.

“Kohëve të fundit jemi të gjithë dëshmitar se qeveria nuk i ka kryer obligimet ndaj luftëtareve, veteranët kanë hyrë në muajin e katërt pa i marrë pensionet, kjo është një padrejtësi që po u bëhet veteraneve, kjo kategori meriton një trajtim më të dinjitetshëm e jo të luhet me ta. Ne po ashtu kemi kërkuar edhe nga prokuroria e shtetit që të hetohen listat e veteranëve gjë që është një lajm i mirë se hetuesit e prokurorisë të shtetit e kemi kuptuar se tashmë kanë filluar të merren me hetimin e listave. Sa i përket uljes apo orientimit të buxhetit nga ana e qeverisë nga një buxheti për investime kapitale apo për sigurime shëndetësore apo qoftë për investime të tjera mendoj se këtë shpjegim duhet ta kërkoni nga qeveria, veteranët e luftës nuk janë fajtor se pse qeveria i ka bërë këto ndryshime në buxhet dhe neve si luftëtar nuk merremi me buxhetin e shtetit ne kërkojmë zbatimin e ligjit për këto kategori”, është shprehur Qeriqi.

Image
Blerim Burjani

Problemet financiare

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani duke folur rreth fryrjes së listave, dhe shkeljeve në procesin e verifikimit të veteranëve, të cilat po hetohen edhe nga Prokuroria ka thënë se në kuptimin ligjore në këtë mënyrë shkelet rregullorja dhe rregullat e përcaktuara financiare.

Sipas tij, rregullat e përcaktuara qeveritare nuk mund të ketë bartje të mjeteve buxhetore në tjetrën dhe asnjëherë qeveria nuk e bëri deri më tash.

“Kjo sjell edhe probleme financiare dhe tregon problemet financiare të shpenzimeve jo të drejta dhe të bëra, andaj për veteranët duhet të ndahet buxheti ekstra. Ra një buxhet i veçantë i cili do të jetë pa probleme të ndarjes së pensioneve për çdo vit, me fjalë tjera duke bërë zgjidhje të qëndrueshme, Kosova ka nevojë për një reformë adekuate sociale”, ka thënë Burjani.

Ai ka theksuar se deri më tani ka shumë ngarkesa sociale të cilat nuk arritën ti reduktojnë madje as ti zgjidhin.

“Këtu shihet defekti përderisa ka skema mbi skema përfituese dhe shpenzuese. Pra edhe në planin social duhet të ketë zgjidhje e jo të krijojë vet, shpenzime mbi shpenzime duke shtjerr buxhetin e Kosovës. Pra nuk lejohen gjëra të tilla të bartjes pre e një skeme sociale, e në anën tjerë buxheti. Pasi një ditë Kosova do të ketë probleme të mëdha dashje pa dashje dhe do të reduktojë skemat e shumta sociale”, është shprehur Burjani.

Image
Faik Krasniqi

Shumëfishimi i numrit të veteranëve

Politologu Faik Krasniqi, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Bota sot” se shëndetësia në Kosovë si njëra nga shtyllat kryesore të vendit gjithnjë e më shumë po shihet si një fushë shumë problematike e përcjellë më një sërë problemesh dhe parregullsish të vazhdueshme, nga të cilat po dëmtohet më së shumti qytetari i Kosovës.

Sipas tij, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, mungesa e sallave të operacionit, mungesa e barnave të listës esenciale, financimi jo i qëndrueshëm i institucioneve publike shëndetësore dhe shumë probleme tjera kanë bërë që shëndetësia në vend të jetë në gjendje të rëndë e gjendur përballë problemeve dhe sfidave të shumta, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, të cilat e kanë sjellë shëndetësinë tonë në këtë gjendje.

“Për këtë gjendje të rëndë padyshim që ka ndikuar njerëz të politikës dhe mjekë të shumtë, që për përfitime personale dhe grupeve të interesit, e kanë sjellë shëndetësinë në këtë gjendje të mjerueshme. Institucionet e Kosovës duhet ta rrisin buxhetin dhe cilësinë në shëndetësi, në mënyrë që qytetari i Kosovës të ketë shërbime më cilësore, e jo paratë e shëndetësisë të shkojnë për buxhetin e veteranëve të UÇK-së, ku 70% prej tyre janë veteranë të rrejshëm. Dhe fatkeqësia më e madhe që veteranët e vërtetë po vuajnë për shkak të komandantëve matrapazë, që për interesa dhe përfitime personale e kanë shumëfishuar numrin e veteranëve të UÇK-së, problem që është fare e thjeshtë të zgjidhet nëse do të kishim drejtësi të pandikuar nga ''peshqit e mëdhenj'' të politikës dhe para politikës”, është shprehur politologu Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat