“Shukatet” Qeveria, Behgjet Pacolli demanton keq Haradinajn. A do ta shkarkojë Ramushi Pacollin?

Politika

“Shukatet” Qeveria, Behgjet Pacolli demanton keq Haradinajn. A do ta shkarkojë Ramushi Pacollin?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 30 tetor 2017 Në ora: 21:50
Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli

Ramush Haradinaj, para se të vije në postin e kryeministrit insistonte që vija kufitare me Malin e Zi do të jetë në Kullë dhe Çakorr. Madje ai me gotën me raki në duar kundërshtonte ashpër këtë marrëveshje, e deputetët e partisë së tij hidhnin gaz lotsjellës në Kuvend. Haradinaj, madje edhe “flinte” në hollin e Kuvendit të Kosovës, vetëm që të kundërshtonte versionin aktual të Demarkacionit.

Edhe pas zgjedhjes kryeministër, në ditën e parë të punës Haradinaj formoi një komision të ri, në krye të secilit e emëroi ish deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqin. Haradinaj premtoi që çështjen e demarkacionit do ta rinegociojë me Malin e Zi.

“Ne i gëzohemi marrëdhënieve të mira që kemi me Malin e Zi. Edhe ndjenja është e mirë. Jemi përkrahur në momente kyçe. Edhe ne e kemi përkrahë rrugën euro-atlantike të Malit të Zi dhe anëtarësimin në NATO. Nuk e shohim si vështirësi në marrëdhëniet tona. Vështirësi shohim në marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa me Malin e Zi, jo. Versioni i tashëm i marrëveshjes është i gabuar, mirëpo do të korrigjohet ky version. Pra, një komision i ri do ta korrigjojë nga pala jonë. Do ta negociojmë me Malin e Zi dhe besoj se do të arrijmë deri te një zgjidhje”, shprehej kohë më parë Haradinaj.

Por, atij ashpër i ishte kundërpërgjigjur kryeministri malazez, Dushko Markoviq, i cili i dërgoi sinjale të qarta Haradinajt. Ai ia bëri me dije se demarkacioni nuk do të rinegociohet, qoftë as edhe për një centimetër.

“Dua të porosis qeverinë e Kosovës, kryeministrin e ri që të jenë të përgjegjshëm ndaj kësaj çështje, sidomos të përgjegjshëm ndaj malit të Zi si shtet mik. Vend i cili ka mbështetur Kosovën dhe i ka mirëkuptuar rrethanat atje, por që për këtë çështje nuk mund të ketë negociata, pa marrë parasysh vendimeve që ata kanë marrë. Çështja e ratifikimit të marrëveshjes është në kompetencë te institucioneve të Kosovës, shpresoj që rreth saj të sillen me përgjegjësi. I kuptoj rrethanat në Kosovë por Podgorica ka bërë të gjithën që është pjesë e saj dhe se për këtë çështje më nuk do të bisedohet, qoftë edhe për një centimetër”, kishte deklaruar kryeministri i Mali të Zi.

Po ashtu, edhe zyrtarë të BE-së ia kishin bërë të qartë që Demarkacionin është kushti kryesor për liberalizim të vizave dhe kusht i panegociushëm.

Por, si duket Haradinaj, tashmë ka filluar të dorëzohet për çështjen e Demarkacionit. Ai tashmë ka dhënë shenjat e para që po tërhiqet nga fjalët e tij.

Haradinaj duke e ditur që nuk ka shumicën në Kuvend që nevojiten për ratifikimin e Demarkacionit, ka theksuar që nuk pretë befasi në votimin ne Kuvend, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes në arbitrazh.

Goditjen e fundit Haradinajt sot ia dha zëvendësi i parë i tij, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili mbanë postin e zëvendëskryeministrit` të parë në Qeveri.

Pacolli demantoi keq Haradinajn, i cili thoshte se marrëveshja e Demarkacionit do të ri egociohet.

Sipas Pacollit, Demarkacioni për Malin e Zi është e mbyllur.

“Unë  e kam vizituar Malin e Zi dhe qëndrimi i Malit të Zi ndaj Kosovës mbetet i pa luhatur. Konsiderohet si vend strategjik, me të cilën Mali i Zi duhet të zhvillojë gjithmonë marrëdhënie të mira dhe Kosova konsideron se duhet të ketë marrëdhënie të mira me një vend, i cili pa asnjë hezitim e njeh Republikën e Kosovës dhe punon në të mirën e saj. Unë vizitova Malin e Zi, kam pasur takim me të gjithë, praktikisht, dhe aty ku kam qenë kam dëgjuar se demarkacioni është një gjë dhe nuk duhet assesi ajo të ndërhyjë ajo në marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Malin e Zi. Mirëpo, demarkacioni për Malin e  Zi është një çështje e mbyllur. Është një marrëveshje, e cila është nënshkruar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe kjo çështje praktikisht është punë e kryer për ta”, tha Pacolli gjatë ditës së stome gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Ndërsa, deri më tani ende nuk ka asnjë reagim nga Haradinaj. Por si duket, tashmë Pacolli ka filluar ta vejë në praktikë marrëveshjen e nënshkruar me PAN-in, e cila e bëri Haradinajn kryeministër.

Marrëveshja PAN-AKR e vë Pacollin mbi Haradinajn në vendimmarrje.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.

Kjo pikë e marrëveshjes theksonte faktin se Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, do ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai i emëron vet që t’i shkarkojë kurdo që dëshiron.

Ndërsa, duke pas parasysh që Haradinaj mban postin e kryeministrit, e Pacolli atë zëvendëskryeministrit, ende nuk dihet masa që do të ndërmarrë ndaj këtij të fundit, për shkak të deklaratave krejt ndryshe nga kreu i qeverisë? A do ta shkarkojë Haradinaj Pacollin, apo si do të veprojë? Kjo mbetet të shihet, por duke pas parasysh që qeveria është varur nga votat e AKR-së, atëherë një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë.

Po ashtu, edhe nga LDK Haradinajt i është kërkuar që të mbajë premtimet e tij sa i përket kthimit të kufirit në Kullë dhe Çakorr, ose ndryshe të kërkojë falje popullit.

“Themelet e kësaj qeverie janë veprimet përmes sekserëve e matrapazëve, dhe me ndihmën e metodave korruptive e shatazhuese. Prandaj, asgjë e mirë nuk mund te pritet nga kjo qeveri. Fushata e AAK-së dhe e Ramush Haradinajt ishte fokusuar dhe përqendruar ne çështjen e demarkacionit, duke mbajte qëndrim se me ta në qeveri vija kufitare do të kthehej në Çakorr dhe Kullë; prandaj ne presim që kjo qeveri te realizojë ato premtime, ose të dali para popullit, të kërkojë falje dhe të na tregoj se gjithë atë rrëmujë dy-vjeçare e kishin bërë vetëm për arsye politike dhe vetëm e vetëm për të arritë kolltukun e qeverisjes”, ka theksuar zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj gjatë ditës së sotme në një prononcim për gazetën “Bota sot’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat