Kush do ta fitojë garën për Prishtinën? Kjo është vështirësia e Arban Abrashit

Politika

Kush do ta fitojë garën për Prishtinën? Kjo është vështirësia e Arban Abrashit

Nga: Gresa Bajraktari Më: 30 tetor 2017 Në ora: 22:41
Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi

Shumë komuna shkuan në balotazh pas zgjedhjeve të 22 tetorit dhe do të përballen me 19 nëntor. Gara mes partive duket të jetë mjaft interesante, por që vëmendje më të madhe duket se po merr gara për kryeqytetin, ku do të përballen Arban Abrashi nga LDK dhe Shpend Ahmeti nga VV.

Edhe partitë tjera që kanë qenë në këtë garë kanë shprehur përkrahjen e tyre për kandidatin e caktuar.

Lidhur me këtë, analisti politik Leon Duhanaj thotë se kryetari Ahmeti fitoi në zgjedhjet e kaluara duke akuzuar Isa Mustafën, por që bëri gabime të cilat i kritikoi.

“Gara për të parin e Prishtinës, përpos që është e rëndësishme si garë për kryeqytetin, ka edhe një dozë të garës interesante, meqë është udhëhequr nga LVV në mandatin e fundit. Parti e cila në shumë segmente jep shembuj që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk respekton as Kushtetutën e as institucionet tjera. Natyrisht gara është edhe më e rëndësishme pasi që kemi të bëjmë me dy subjekte që kanë pasur gjegjësisht, kanë fuqi elektorale. Kryetari i tanishëm e fitoi Prishtinën para katër vitesh pa bërë shumë premtime, por duke u marrë ekskluzivisht me qeverisjen Mustafa dhe duke e akuzuar atë për dështime dhe për moshën e shtyrë me pretekstin e ndërrimit të gjeneratave. Kryetari Ahmeti, gjatë këtij mandati nuk arriti ta ndajë qeverisjen nga ndikimi i partisë dhe bëri të njëjtat gabime për të cilat kishte akuzuar Mustafën”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, tani gara është ndryshe dhe që do të fitojë ai që arrin të krijojë aleanca të shumëfishta, me parti tjera apo qytetarë.

“Kemi të bëjmë me një kundërkandidat të ri dhe me një kundërshtar më së paku të denjë dhe maksimalisht të përgatitur dhe të simpatizuar nga publiku. E vetmja vështirësi për Abrashin ka qenë kandidatura e tij shumë e vonuar, e cila mund t'i bëhet pengesë. Megjithatë, kam përshtypjen që gara do të jetë shumë e ngushtë dhe se në fund do të fitojë kandidati që ia del të krijojë aleanca të shumëfishta qoftë me qytetarë, qoftë me parti tjera”, ka deklaruar Duhanaj.

Kujtojmë që me 22 tetor kur dhe u mbajtën zgjedhjet lokale, LDK doli parti e parë, duke fituar katër komuna pa balotazh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat