Rexhep Selimi flet për deklaratën e Pacollit, del kundër Ramush Haradinajt

Politika

Rexhep Selimi flet për deklaratën e Pacollit, del kundër Ramush Haradinajt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 tetor 2017 Në ora: 23:05
Rexhep Selimi

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, me ç’rast ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi.

Pacolli ka thënë se demarkacioni nuk mund të rinegociohet ngase kanë kaluar të gjitha procedurat në Mal të Zi.

 “'Demarkacioni për ne është çështje e mbyllur’, këtë e kam dëgjuar në secilin takim që e kam pasur në Mal të Zi, dhe kjo temë për ta është humbje kohe”, tha Pacolli.

Sipas tij, Demarkacioni nuk duhet të ndërlidhet me marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Malin e Zi.

 “Unë  e kam vizituar Malin e Zi dhe qëndrimi i Malit të Zi ndaj Kosovës mbetet i pa luhatur. Konsiderohet si vend strategjik, me të cilën Mali i Zi duhet të zhvillojë gjithmonë marrëdhënie të mira dhe Kosova konsideron se duhet të ketë marrëdhënie të mira me një vend, i cili pa asnjë hezitim e njeh Republikën e Kosovës dhe punon në të mirën e saj. Unë vizitova Malin e Zi, kam pasur takim me të gjithë, praktikisht, dhe aty ku kam qenë kam dëgjuar se demarkacioni është një gjë dhe nuk duhet assesi ajo të ndërhyjë ajo në marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Malin e Zi. Mirëpo, demarkacioni për Malin e  Zi është një çështje e mbyllur. Është një marrëveshje, e cila është nënshkruar dhe është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe kjo çështje praktikisht është punë e kryer për ta”, tha Pacolli.

Një deklaratë e tillë ka sjellë reagimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili ka thënë se qeveria e Kosovës duhet ta ketë një pozicionim më të qartë dhe unik për demarkacionin.

Duke komentuar deklaratat e mëhershme të qeverisë rreth demarkacionit, Selimi ka thënë se zyrtarët qeveritarë me qëndrime jo unike vetëm e kanë komplikuar zgjidhjen e drejtë.

Ai ka shtuar se dërgimi i demarkacionit në arbitrazh nuk është zgjidhje e drejtë dhe e mirë, ide kjo e dhënë nga kryeministri Haradinaj i cili ka paralajmëruar dërgimin e Demarkacionit në Gjykatën e Arbitrazhit.

 “Qeveria e Kosovës duhet të ketë pozicionim me të qartë dhe unik lidhur me Demarkacionin me Malin e  Zi. Kjo çështje krijoi shumë  situata të rënda në mandatin e Qeverisë  së  kaluar kur ish kryeministrat donin ta shtynin me dhunë kufirin brenda territorit të Kosovës. Deklarimet dhe qëndrimet jo unike të zyrtarëve të qeverisë me njëri- tjetrin veç sa e komplikon zgjidhjen e drejtë. Po ashtu edhe tendenca për ta hequr qafe me anë të arbitrazhit nuk do të jetë zgjidhje as e drejtë e as e mirë”, ka thënë Selimi për gazetë "Bota sot".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat