Primati i LDK-së dhe mësimi nga e kaluara

Politika

Primati i LDK-së dhe mësimi nga e kaluara

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 31 tetor 2017 Në ora: 08:04
LDK

Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) në vitin 2014-të për qeverisje të përbashkët, kishte qenë fatal për elektoratin e LDK-së, derisa këta të fundit kishin pësuar humbje. Një koalicion i tillë kishte sjellë pakënaqësi të madhe te votuesit e LDK-së e sidomos ata që këtë parti me vite e mbajnë në zemër. Tash, pas zgjedhjeve lokale, LDK në gjithë vendin ka shënuar ngritje të votave, sidomos në Komunat ku ajo ka fituar bindshëm pa shkuar fare në balotazh. Menjëherë është vërejtur se mos shkuarja në qeverisje me PDK-në ka bërë që kjo parti të dalë fituesja e zgjedhjeve lokale të tetorit.

Elektorati anti PDK

Bajram Gecaj, zyrtar në Lidhjen demokratike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se është më se e vërtetë, se ka një disponim të përgjithshëm anti PDK në elektoratin e Kosovës.

Ai ka shfaqur besimin se njëra nga arsyet e fitores së LDK-së në zgjedhjet lokale ka qenë edhe refuzimi i koalicionit me PDK-në pas zgjedhjeve qendrore.

Image
Bajram Gecaj

“Besoj fuqishëm se ka ardhur koha që PDK-ja të shkojë në opozitë në të gjitha nivelet, dhe të punoj shumë në reformimin e saj nëse vërtetë dëshiron dhe ka ambicie që një ditë të rikthehet në skenën politike. Ishte kërkesë e qartë e elektoratit të LDK-së e cila më pastaj edhe u formalizua në të gjitha organet partiake, se me PDK-në nuk do të kishte koalicion qeverisës, dhe këto qëndrime u respektuan në tërësi nga lidershipi i partisë. Prandaj, unë besoj se disponimi popullor për dhe me LDK-ne është në ngritje e sipër dhe se nga ky moment të gjithë aktivistët dhe përkrahësit e LDK-së duhet përfituar në maksimum, e që fitoren e arritur në nivel lokal ta shpijmë para dhe të sigurojmë fitore edhe më bindëse në nivelin qendrorë” ka thënë ai.

Sipas Gecajt, LDK ka marrë mësime nga e kaluara dhe se tani, në fazën e balotazhit, e gjithë anëtarësia e LDK-së do të mobilizohet në maksimum, e që fitoren e arritur me 22 tetor ta kurorëzojë siç është më së miri edhe me 19 nëntor.

Megjithatë, ai ka refuzuar të thotë se arsyeja kryesore e fitores së LDK-së ishte mu refuzimi i koalicionit me PDK-në, edhe pse element me ndikim.

“Arsyeja kryesore është programi qeverisës i LDK-së, historiku i saj i një partie e cila interesin nacional e vendosë çdo herë mbi atë partiak, gruporë apo individual, qeverisje me duar të pastra në nivelin qendrorë dhe lokal, si dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë e të cilët premtojnë qeverisje të mirë e demokratike”, është shprehur Gecaj.

Tutje, sipas tij,  puna e drejtë, e moralshme dhe e palodhshme e të gjithë aktivistëve të LDK-së është garancioni më i mirë se rezultati nuk do të mungojë as në balotazhin e 19 nëntorit, por as në sfidimin e ardhshëm dhe të shpejt në nivelin qendrorë.

Zogaj: Ka gjasa që LDK të dalë fituesja absolute e zgjedhjeve

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka thënë për gazetën “Bota sot” se koalicioni qeverisës i LDK-së me  PDK-në ka qenë një e keqe e madhe për interesin partiak.

Mirëpo, sipas Zogajt, mos kënaqësia e anëtarësisë është ekzagjeruar sepse, ai koalicion ka qenë sakrifikim i interesit të partisë për interesin e shtetit.

Image
Skender Zogaj

“Për një pjesë të anëtarësisë ky veprim ishte i papranueshëm dhe ndodhën kundërshtime të shumta. Doli se kishin pasur të drejtë sepse PDK-ja tradhtoi LDK-n dhe u rrënua koalicioni qeverisës. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit LDK-ja doli e vetme dhe anëtarësia iu rikthye dhe tregoi se LDK-ja është partia kryesore e Kosovës. Kjo fitore është krejtësisht simbolike sepse, në zgjedhjet lokale llogaritet se ka dalë vetëm gjysma e anëtarësisë së LDK-së, kështu që janë gjasat reale që në zgjedhjet a ardhshme të del fituesja absolute e të  gjitha zgjedhjeve. LDK-ja nuk varet nga  "blerjet" e partive tjera por ka nevojë të zgjoj anëtarësinë e saj e cila në dhjetë vitet e kaluara ka pasur disa pakënaqësi që nuk ka mundur t'i diskutojë praktikisht, për shkak të dobësive subjektive të partisë dhe disa halabakëve që LDK-s janë përpjekur t'ia  serojnë praktikën e partive të tjera, që për konceptin dhe vizionin e  LDK -s janë të papranueshme! Kjo siç po shihet nuk do të lejohet prandaj LDK-në e presin kohë të mira” ka thënë Skënder Zogaj.

Ndërkaq, politologu Mentor Tahiri ka thënë se bërja e koalicioneve me partitë tjera edhe sidomos me rivalin e saj kryesor PDK-në, e ka tjetërsuar gjithmonë identitetin politik të LDK-së, e padyshim që kishte edhe efektin e ndërsjellë të vetë PDK-ja.

“Se koalicionet për LDK-në janë të dëmshme, u dëshmua edhe në zgjedhjet e 11 Qershorit, kur ajo u përfshi në një koalicion jo të natyrshëm me AKR-në. LDK-ja historikisht është krijuar në rrethana të vështira, ajo i hapi derën gjithë pluralizmit ndër shqiptarë andej dhe këndej kufiri, andaj edhe sot ajo funksionon vetëm duke qenë vetvetja dhe pa kompromise të tilla që e komprometojnë profilin e saj politik të një partie bartëse të së djathtës anti-komuniste shqiptare”, ka nënvizuar ai.  

“LDK dëshmoi se ka filluar t’i hapë derën një gjenerate të re politikanësh”

Në anën tjetër, Tahiri ka thënë se duhet pranuar, se gjatë fushatës që u mbajt për zgjedhjet lokale të 22 Tetorit, LDK dëshmoi se ka filluar t’i hapë derën një gjenerate të re politikanësh.

Image
Mentor Tahiri

“Kjo gjeneratë e re së bashku me menaxherë të fuqishëm të pushtetit lokal sikurse në rastet e Pejës apo Fushë Kosovës, i dha një siguri më shumë qytetarit të Kosovës, duke qenë edhe pika kyçe e rikthimit të besimit të elektoratit.  Natyrisht, në zgjedhjet e fundit jo gjithçka ishte e suksesshme për LDK-në, andaj edhe konceptuesve të politikave në LDK iu kërkohet që menaxhimit të burimeve njerëzore brenda partisë t’i kushtojnë më shumë vëmendje. Është e patolerueshme që të ketë kandidatura formale pa analizuar realitetin politik që mbretëron në ndonjë pjesë të caktuar të Kosovës” ka thënë Tahiri.

Sipas tij, nëse sanohen edhe këto boshllëqe atëherë ky rezultat në zgjedhje eventuale nacionale të parakohshme, do të jetë në kuadër të një trendi të rritjes.

“Kosovës i duhet një stabilitet institucional që mund të ofrohet vetëm nga parti të profilizuara qartë politikisht. Nuk ka ky vend luksin që qeverisjen t’ia lejojë subjekteve eksperimentale politike ku ka më shumë profil klanor dhe interesa financiare, se sa qartësi të orientimit politik”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat