Nëse qeveria nuk i mbijeton mocionit, LDK do ta udhëheqë qeverinë e re

Politika

Nëse qeveria nuk i mbijeton mocionit, LDK do ta udhëheqë qeverinë e re

Nga: Naile Ejupi Më: 31 tetor 2017 Në ora: 17:52
Isa Mustafa

Që nga dita e parë e formimit të qeverisë aktuale, jetëgjatësia e saj ishte paraparë të jetë e shkurtër.

Sipas shumicës, qeveria aktuale e formuar me ndihmën e votave të minoriteteve dhe Listës Serbe nuk do të arrijë ta përfundojë mandatin e saj.

Ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Lista serbe mund të largohet nga qeveria dhe kjo për shkak të ushtrisë.

Sipas politologut Mentor Tahiri, presidenti serb ka informacione për brishtësinë e kësaj qeverie, prandaj ky ekzekutiv me të vërtetë e ka të pamundur rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri ka konsideruar se shumica aktuale parlamentare është në pikën kritike.

“Të gjitha këto tani për tani janë vetëm spekulime dhe prognozime. Presidenti serb sigurisht ka informacione nga Lista Serbe lidhur me brishtësinë e qeverisë aktuale. Ky ekzekutiv i Kosovës vërtetë e ka të pamundur rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm. Po konfirmohet se shumica aktuale parlamentare nuk ka më shumë se 61 vota, gjë që është një pikë mjaft kritike. Në rastin e parë që do të ketë mundësi, Lista Serbe do të veprojë me kushtëzimet e saj”, ka nënvizuar Tahiri për gazetën "Bota sot".

Sipas Tahirit, në rast se ky ekzekutiv nuk i mbijeton një mocion të mundshëm, LDK-ja do ta kryesojë qeverinë.

 “Që tani dihet se kjo qeveri nuk ka forcë të përballojë sfidat që e presin. Qysh tani ka vështirësi edhe me miratimin e ligjeve ku kërkohet një shumicë e thjeshtë. Në anën tjetër bazuar në konstalacionin aktual të preferencave elektorale në Kosovë, siç edhe u konfirmua në zgjedhjet e 22 Tetorit, duket se LDK ka primatin si forca më dominante në vend. Së këndejmi është lehtë e parashikueshme se në rast se ky ekzekutiv nuk mbijeton një mocion të mundshëm, është LDK ajo e cila do të kryesojë me qeverinë. Mocioni është i mundshëm pasur në konsideratë divergjencat që do të shpërfaqen në shumicën parlamentare”, ka përfunduar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat