Dialogu me Serbinë, “pala shqiptare të bashkohet ashtu siç kishte bërë Presidenti Rugova”

Politika

Dialogu me Serbinë, “pala shqiptare të bashkohet ashtu siç kishte bërë Presidenti Rugova”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 31 tetor 2017 Në ora: 22:24
Takimi Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Në Serbi është mbajtur mbledhja e parë e Grupit punues për ofrimin e mbështetjes për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, dialog i cili është  i iniciuar nga presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me këtë, analisti, Faton Mehmeti ka thënë se Serbia ka platforme të qartë për Kosovën dhe se vazhdimisht punon të jetë sa më e zëshme në Bruksel.

“Serbia ka një platformë të qarte për çështjen e Kosovës, respektivisht për bisedimet në Bruksel. Në kuadër të kësaj platformë janë edhe grupet punuese, të cilat punojnë në hartimin e marrëveshjeve dhe propozimeve që pala serb i paraqet në bisedimet me Kosovën në Bruksel. Përkundër platformës se saj, Serbia po punon edhe më shumë që të jetë sa më e fuqishme dhe të jetë në një zë për çdo gjë që flitet në Bruksel”, ka thënë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, për palën e Kosovës, Mehmeti ka shtuar se nuk ka platformë dhe kanë sjellë rezultate të pa dobishme e pazbatueshme.

“E kundërta ndodh me palën shqiptare të Kosovës, të cilët as nuk kanë platformë dhe as unitet mes tyre për qëllimet e arritjes se ndonjë rezultati. Egot e sëmura për t’u spikatur si udhëheq i delegacioneve dhe bisedimeve nga ana e palës shqiptare të Kosovës, kanë sjellur edhe rezultate krejt të padobishme dhe asnjëherë të zbatueshme. Ndërkohë që Serbia po përpiqet me të gjitha mënyrat e saja për të ndarë Kosovën, respektivisht për të futur nën administrim të saj Trepçën po rezulton me shtimin e punëve tek grupet punuese”, ka shtuar ai.

Mehmeti ka sugjeruar palën e Kosovës që të mblidhet dhe të bashkohen siç bërë Presidenti historik Ibrahim Rugova, pasi sipas tij nëse nuk veprohet kështu Serbia do të avancojë.

“Pala shqiptare në Kosovë duhet urgjentisht të mblidhet, të lëna mënjanë dallimet partiake, për të dalur me një zë karshi Serbisë, ashtu siç e kishte unifikuar presidenti Rugova dikur delegacionin e Kosovës. Nëse kështu nuk veprohet, fatkeqësisht Serbia vetëm do  avancoj me rezultate në dobi të Kosovës”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat