Suksesi i Kosovës në rangimin e Bankës Botërore, sukses i qeverisë Mustafa

Politika

Suksesi i Kosovës në rangimin e Bankës Botërore, sukses i qeverisë Mustafa

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 tetor 2017 Në ora: 22:56
Isa Mustafa

Një lajm i mirë erdhi sot për Kosovë sa i përket fushës së ekonomisë. Lajmi është se Kosova është radhitur në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës, që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, sipas raportit të Të Bërit Biznes 2018, të publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

Për herë të parë, këtë vit Kosova radhitet  në pozitën e 40-të,  nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të  ku ka qenë vitin e kaluar. Po ashtu, Kosova radhitet e 10-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës. 

Ish deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e kaluar, Muhamet Mustafa shpjegon rëndësinë e renditjes së Kosovës në këtë raport.

“Përmirësimi i rangimit të Kosovës nga vendi i 60 në vendin e 40 sa u përket kushteve për zhvillim të biznesit, në një rangim prestigjioz siç është ai i Bankës Botërore duhet të shihet si një rezultat i logjikshëm i masave sistematike në shumë segmente të masave të politikës ekonomike dhe sistemore që ka marrë Qeveria e Kosovës lidhur me klimën biznesore gjatë dy viteve të fundit. Më herët është theksuar se qeverisja makroekonomike dhe pakot e masave fiskale dhe në disa segmente të tjera ka pasur përmirësim të ndjeshëm dhe kjo është reflektuar në rritjen ekonomike, rritjen e investimeve dhe në më shumë vende pune se sa në vitet e përparme”, është shprehur Mustafa për gazetën “Bota sot”.

Image
Muhamet Mustafa

Sipas tij, një sukses i tillë është rezultat i qeverisë Mustafa, që thotë se është rrëzuar vetëm për të ndaluar suksese të tjera të tilla, derisa shton se ky është një nga lajmet e pakta të mira që kemi marrë kohëve të fundit.

“Natyrisht që ky kredit i shkon qeverisë, e cila siç e kam theksuar edhe në Kuvend, kur u diskutua mocioni i mosbesimit, bëri kthesa pozitive në ekonomi dhe edhe nga ky rangim i ri, që është rezultat jo i vogël, shihet se u shkarkua pa argumente valide dhe në dëm të thellimit dhe stabilizimit të proceseve pozitive që ishin prezent gjatë vitit 2015, 2016 dhe në gjysmën e parë të vitit 2017.  Urojme që qeveria e tashme të vazhdojë me këto procese. Ky përmirësim i rangimit në “Doing Business” është një nga lajmet e pakta të mira që kemi marrë këta muajt e fundit dhe kjo mund të jetë e rëndësishme për përmirësimin e imazhit të Kosovës. Mirëpo është provuar se problemi kryesor i Kosovës është në fakt lufta primitive politike dhe mbi baza partiake dhe të interesit të ngushtë partiak, për pushtet. Kjo është një sëmurje e rëndë e skenës sonë politike”, ka deklaruar profesori Mustafa, i cili ka qenë kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat