Haradinaj dorëzohet për Demarkacionin

Politika

Haradinaj dorëzohet për Demarkacionin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 1 nëntor 2017 Në ora: 09:17
Ramush Haradinaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli  gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i ka kushtuar theks të veçantë çështjes se demarkacionit me Malin e zi.

Ai ka thënë se, kjo çështje është e përfunduar, pasi marrëveshja është ratifikuar nga Mali i zi, ndërsa është shprehur se me Malin e Zi Kosova duhet t`i vazhdojë raportet e mira.

 “Demarkacioni është një temë që rëndon politikën e brendshme, marrëdhëniet Kosovës me Malin e Zi që ka një fqinjësi të mirë. Kam vizituar Malin e Zi, qëndrimi i tyre është i pa luhatur dhe është një shtet që lobon për Kosovën me një zë të lartë.

Mesazhi i Pacollit

Sipas tij, Demarkacioni nuk duhet të ndërlidhet me marrëdhëniet e mira që ka Kosova me Malin e Zi.

Pacolli tha se ajo marrëveshje nuk ka mundësi të rinegociohet ngase kanë kaluar të gjitha procedurat në Mal të Zi.

“Demarkacioni për ne është çështje e mbyllur, këtë e kam dëgjuar në secilin takim që e kam pasur në Mal të Zi, dhe kjo temë për ta është humbje kohe”, tha Pacolli.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi duke se çdo ditë e më shumë po shkon drejt zbehjes, pasi që edhe vetë Qeveria e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nuk janë më kritik sikur në kohen kur Haradinaj ishte në opozitë.

Se në emër të kujt është duke folur dhe dhënë deklarata të tilla Behgjet Pacolli, ne kemi marrë një deklaratë nga Vesel Makolli sekretar në AKR. Sipas tij, më mirë është që një prononcim ta jep vetë Behgjet Pacolli.

Makolli sqaron Pacollin

Sidoqoftë, ai ka thënë se Pacolli ka qenë në vizitë në Malin e zi dhe i ka interpretuar qëndrimet e tyre që kanë qenë të ditura edhe më herët.

“Normalisht se AKR është në koordinim edhe me Qeverinë dhe Ramush Haradinaj dhe normalisht Pacolli e ka përcjell qëndrimin e Malit te zi pas takimeve që kishte atje. Komisioni është formuar dhe ata do të gjejnë faktet e nevojshme dhe normalisht ne presim nga ata që të na i ofrojnë gjetjet e tyre që më pas të vimë në përfundim se si do të veprojmë” ka thënë Makolli nga AKR.

Image
Vesel Makolli

Mirëpo, Faton Avdullahu ish zëdhënës i Qeverisë Mustafa ka thënë se me atë çfarë po bën Mali i Zi e sidomos me atë që po abstenon të bëj në raport me Kosovën, sa i përket demarkacionit, po i mbron interesat e Kosovës të cilat po dëmtohen nga qasja në themel e dëmshme dhe kokëfortë e Qeverisë Haradinaj dhe e ministrit Pacolli.

“Sigurisht se për këtë qasje të Podgoricës zyrtare meritë të madhe ka gjeopolitika evroperëndimore, ku SHBA-t janë akteri kryesor në Ballkan. Aktualisht Mali i Zi po e mbron Kosovën nga rreziku dhe dëmet e qeverisë aktuale, më shumë se që po i shkon për dore ta bëj këtë opozita aktuale. Është kështu mbase për shkak se opozita tash sa kohë është e preokupuar me zgjedhje dhe ka mungesë potence ta bëj opozitarizmin mirëfilli. Por, kështu është edhe pse VV sa i përket demarkacionit ka qasja po aq të gabueshme sa qeveritarët aktual, me çka ajo ja ka lidhur duart vetes, për ta luftuar bashkë me LDK-në një të keqe të madhe. Qasja e VV mbi demarkacionin mund të jetë  shtylla kryesore e jete zgjatjes së kësaj qeverie” ka thenë ai.

Image
Faton Abdullahu

Avdullahu tregon rrezikun që paraqet kjo qeveri

Sipas Avdullahut, qeveria aktuale krejt çka do të bëj rreth demarkacionit është ta prolongoj këtë çështje deri në pafundësi, me të vetmen justifikim që të perceptohet si e moralshme, sepse po e mbaka fjalën, por me të vetmin synim që të mbesin sa më gjatë në pushtet.

“Mirëpo gjatë kësaj periudhe djallëzore prolongimi, do të dëmtohet në bosht të interesit të tij qytetari i Kosovës me mungesë vizash dhe do të dëmtohet interesi nacional i Kosovës me mungesë konstruktiviteti, sidomos në raport me SHBA. Krejt kjo nuk është krejt. Kur kësaj i shtohet edhe shpërblimi me plotë ngazëllim që këta qeveritar i dhanë "Listës Serbe" edhe pse e kanë ditur se me këtë po e institucionalizojnë involvimin e Beogradit zyrtarë në Kosovë, atëherë kjo qeveri bëhet edhe e rrezikshme. Prandaj duhet të ndalet menjëherë”, është shprehur Avdullahu.

Në anën tjetër, zyrtar nga Vetëvendosje të cilët që nga fillimi kanë qenë kundër demarkacionit më Malin e zi në formën siç është tani, kanë thënë se dyshojnë se mund të ketë zgjidhje të drejtë  pasi që qëndrimet jo unike të zyrtareve të qeverisë e komplikojnë zgjidhjen e drejtë.

Image
Rexhep Selimi

“Qeveria e Kosovës duhet të ketë pozicionim më të qarte dhe unik lidhur me Demarkacionin më Malin e Zi. Kjo çështje krijoi shumë situata të renda në mandatin e Qeverise se Kaluar kur ish kryeministrat donin ta shtynin më dhunë kufirin brenda territorit të Kosovës. Deklarimet dhe qëndrimet jo unike të zyrtareve të qeverisë më njeri tjetrin veç sa e komplikon zgjidhjen e drejtë. Po ashtu edhe tendenca për ta hequr qafe më anë të arbitrazhit nuk do të jetë zgjidhje as e drejtë e as e mire” ka thënë për “Bota sot” Rexhep Selimi nga vetëvendosje.

Kelmendi: Haradinaj po përgatitë opinionin

Ndërkaq, Jeton Kelmendi analist politik, ka thënë se deklaratat e zëvendës kryeministrit të parë  sigurisht që kanë diçka të vërtetë.

Image
Jeton Kelmendi

“Për çështjen e demarkacionit nuk kam më dilema dhe më bindje them se është i gabuar ky demarkacion por sigurisht Behgjet Pacolli ka ketë mandat dhe flet edhe në emër të Qeverisë sepse kjo qeveri ka kryeministrin që ka tetë ulëse në Kuvend, dhe ka zëvendësit e tij dhe pozitën e krye parlamentarit që thonë se demarkacioni është në rregull, dhe nuk mund të themi se kush flet në emër të kësaj. Mendoj që kjo është një taktizim për ta përgatitur opinionin se kjo është punë e kryer dhe ka mbaruar dhe kështu duhet ta pranojmë, natyrisht se kryeministri nuk ka fytyrë tu thotë popullit se demarkacioni është punë e kryer dhe është në rregull” ka thënë Kelemendi.

Sipas tij, të gjitha gjasat janë që ky demarkacion është kryer dhe ne i humben dy vjet e gjysme por që në atë kohë ishte në opozitë Haradinaj dhe nuk ia merrte mendja se mund të vinë gjerat kështu sepse nuk mund të del haptas dhe të arsyetohet.

“Është hapi i parë që po dorëzohet Ramush Haradinaj para çështjes se demarkacionit por nuk po e thotë vetë por po i nxjerr të tjerët të tjerët. Mënyra se si ka shkarku dhe ka emërua komisione është arbitrare dhe po ashtu vetë Haradinaj ka dal ka thënë se nuk mund të dërgohet në Arbitrazh pa pëlqimin dy palëve”ka theksuar ai.

Abazi: Pacolli nuk ka mandat

Image
Haki Abazi

Kurse, Haki Abazi njohës i çështjeve politike në vend ka bëre të ditur se Behgjet Pacolli ka bërë deklaratë të pakoordinuar dhe është shumë e vështirë që të merret seriozisht një deklaratë të tillë përderisa komisioni i ri është duke kryer punët në atë drejtim.

“E kam thënë disa here qe këto çështje,  nuk janë kaq lehtë të kalueshme dhe duhet strategji për riparimin e dëmit të bërë. Ose arbitrazh apo rinisja nga fillimi do të mund të krijonte një zgjidhje afat gjatë. Duhet të përfundojë koha kur bëhen favore duke bërë kompromis me demokracinë. Thaçi duhet të paguajë koston e demarkacionit por Kosova jo dhe Pacolli nuk ka mandat që të merret me çështjen e demarkacionit.

Haziri: Kryeministri duhet të falje publike

Image
Nexhat Haziri

Edhe sipas analistit politik Nexhat Haziri, deklarata e ministrit të punëve të jashtme, Behgjet Pacollit e bërë gjatë raportimit në Komisionin për punë të jashtme sa i përket marrëveshjes për ratifikim të demarkacionit me Malin e zi, dhe pozicionin e Podgoricës zyrtare në raport më të çështje, është një realitet që e ka përcjellë  Pacolli në këtë komision.

“Edhe më parë Podgorica zyrtare ka deklaruar se kjo çështje për ta është punë e kryer. Dhe kështu duhet ta kuptojnë edhe partnerët qeverisës të  Pacolli në Qeverinë e Kosovës, dhe nuk shohë këtu për një mundësi të përçarjes në mes partnerëve të koalicionit qeverisës. Ajo që duhet, është se kryeministri duhet të reflektoj dhe të kërkoj falje publike qytetarëve të Kosovës, për ngritjen e një kauze të rrjeshme sa ishte në opozitë. Ky reflektim i tij do ti ndihmonte edhe procesit të liberalizimit të vizave, në mënyrë që Kosova dhe qytetarët e sajë mos ta vazhdojnë këtë izolim ndërkombëtar”, ka thënë Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat