Sinjalet e para që Gjykata Speciale do të ngritë aktakuzat

Politika

Sinjalet e para që Gjykata Speciale do të ngritë aktakuzat

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 nëntor 2017 Në ora: 11:03
Gjykata Speciale

Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 1.5 milionë euro për personat të cilët do të mund të jenë të akuzuarit  e Gjykatës Speciale. Madje ka përfshirë edhe shpenzimet e familjarëve të tyre për vizitat që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Kështu ka deklaruar Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Ky ligj i mbulon shpenzimet e familjarëve të tyre që kanë të bëjnë me udhëtimet e tyre, sepse kemi të bëjmë me një gjykatë që tashmë ekziston jashtë Kosovës. U garantohet e drejta që t’i vizitojnë familjarët e tyre që janë të akuzuar në këtë proces. Po ashtu, na obligon që të kompensojmë edhe mbrojtjen e tyre që duhet t’u ofrohet. Ndërsa, në momentin që ata shpallen të pafajshëm, ligji parasheh edhe kompensimin tyre, me një shumë të caktuar financiare, por tashmë nuk mund të flas se sa do të jetë dhe si do të jetë”, ka thënë ministri Tahiri.

Por një gjë të tillë edhe qeveria paraprake kishte paraparë një buxhet të tillë për këta persona që mund të jenë të akuzuar të mundshëm nga Gjykata Speciale. Kështu ka deklaruar për “Bota sot”, ish këshilltari i ish kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj.

Image
Bajram Gecaj

“Edhe qeveria Mustafa kishte paraparë një mundësi të tillë”, ka thënë Gecaj.

Aktakuzat nga Specialja

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se me vetë faktin se Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.5 milionë euro për t’i mbuluar kërkesat për shpenzime për të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale, mund të nënkuptohet se Specialja së shpejti do të nis ngritjen e aktakuzave të para.

“Nëse këta të akuzuar akuzohen për vepra kriminale të rënda gjatë dhe pas luftës, dhe nëse shumica nga ta shpallen fajtor, dhe kanë me mbajte dënime të gjata burgjesh nëpër burgjet e ndryshme jashtë vendit apo edhe në shtetin tonë, bëhet pyetja se a është në rregull që shteti t’i mbrojë edhe me fondin financiar t’iu paguaj mbrojtjen e tyre edhe për ata që shpallen fajtorë. Nëse dikush nga ta shpallet fajtorë dhe dënohet me burg të gjatë, vetvetiu nënkuptohet se ata persona llogariten si kriminelë. Nëse shteti ynë i mbron këta financiarisht a mos po i bjen se shteti ynë po i mbron kriminelët?”, është shprehur Tërnava.

Image
Hajrullah Ternava

Tërnava ka theksuar se mbrojtja do të duhej tu takonte vetëm atyre që shpallën të pafajshëm.

“Mendoj se një mbrojtje apriori e njëjtë për të gjithë, do ta luhat autoritetin ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës. Edhe populli e dinë dhe priten që të zbulohen vepra të ndryshme e sidomos vrasjet politike të aktivistëve të LDK-së, dhe nëse zbulohen ata vrasës, a po u dufka shteti i Kosovës të ua mbulon hargjimet realisht mbrojtës-avokatët e tyre a? Nëse ndodhe kjo,  atëherë po i bjen që në këtë marrëzirë edhe shteti i Kosovës po merr pjesë, dhe qenka qenë edhe në ato kohëra e përzier,  dhe llogaritet se qenka si pjesëmarrëse në këto vrasje politike. Tjetër është nëse dikush mund të dënohet për vepra që akuzohen nga vetë shteti i Serbisë në luftërat që ishin mes dy ushtrive serbe dhe shqiptare. Në këtë rast shteti i Kosovës duhet të bëj ç’mos që t’iu del në ndihmë ushtarëve të saj dhe me të gjitha mundësitë të ju ndihmoj po edhe me mundësinë e financave”, thotë Tërnava.

“Shteti sakrifikohet për individin”

Nga ana tjetër, analisti politik Leon Duhanaj ka thënë se shqiptarët në  përgjithësi, duke u ndjerë të hutuar nga drejtësia si pasojë e mosbesimit në të, mundohen të krijojnë mekanizma mbrojtës nga drejtësia edhe pse gjatë tërë kohës flasin pikërisht për drejtësinë.

“Ndodhë në çdo segment të shoqërisë! Pikërisht sepse në esencë nuk besojmë në drejtësi! Madje as kur hartojmë ligje, as kur votohen në Kuvend, nuk mund t'i trajtojmë ligjet si diçka universale.  Pse? Sepse ne nuk mendojmë  për gjeneratat e ardhshme, por vetëm për vetën tonë. Madje mashtrojmë vetën se mendojmë për fëmijët tanë duke u krijuar ndonjë pasuri materiale të paligjshme”, vlerëson ai.

Image
Leon Duhanaj

Ai ka thënë më tutje, se në kohë lufte, nuk është krim të vrasësh.

“Madje vrasja është e legjitimuar.  Por kjo varet kënd e vret dhe në çfarë rrethanash. Nuk mendoj që Kosova duhet të krijojë mbrojtje institucionale. Ka mënyra tjera me të cilat do të mund të mbështeteshin individ të akuzuar, të cilët nuk i kanë kushtet,  por jo në mënyrë institucionale. Unë besoj që individi duhet të sakrifikohet për liri, pavarësi, shoqëri dhe shtet. Assesi nuk mendoj që shteti dhe shoqëria të sakrifikohet për individin”, vlerëson ai.

Ai në këtë rast ka përmendur edhe disa raste të ushtarëve të UÇK-së, për të cilët thotë se janë torturuar në burgjet e Serbisë, ndërsa shteti nuk është marrë me ta.

“Në kemi patur raste ku ushtarë të UÇK-së, na janë burgosur, gjykuar e dënuar nëpër burgje të Serbisë, duke vuajtur dënimin me vite nën tortura dhe, as shteti as shoqëria nuk është marrë as me mbrojtjen e tyre por as që është interesuar për ta. Pse duhet të ketë standarde të dyfishta? Pse duhet të vlerësohet një ushtarë me pak se një tjetër? Apo din dikush diçka më shumë që as unë, as shoqëria se di”, ka përfunduar Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat