“PDK-ja e gatshme për të rrëzuar qeverinë”

Politika

“PDK-ja e gatshme për të rrëzuar qeverinë”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 2 nëntor 2017 Në ora: 09:43
Qeveria PANA-Lista serbe

Që nga krijimi i saj në shtator të këtij viti, qeveria e drejtuar nga koalicioni PAN është përballur me reagime të ndryshme kundër saj. Madje, opozita ka deklaruar se në momentin e parë që do t`i vije rasti, do të ngrisin mocionin për rrëzimin e kësaj qeverie. Si rrjedhojë, vendit kanoset nga zgjedhje të reja qysh në pranverën e vitit të ardhshëm.

Përfaqësues të partive politike dhe analistë thonë se Qeveria e Kosovës nuk do të funksionojë asnjëherë siç duhet në këtë mandat, kjo për faktin se numrat e paktë të koalicionit e shpiejnë drejt fundit këtë Qeveri.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Zgjedhjet e ardhshme nuk kane shpëtim

Bajram Gecaj, zyrtar i LDK-së ka thënë se kjo qeveri është rezultat i aktiviteteve “të sekserëve dhe matrapazëve”, duke përdorur me gjasë metoda korruptive dhe shantazhuese; është e përbëre nga 24 subjekte politike; dhe ndodhet në margjinat e votave të nevojshme; pra mund të sigurojë maksimum 61 apo 62 vota.

Sipas tij, kjo është vetëm çështje kohe deri kur të “plasi sherri” në mes gjithë atyre partnerëve të koalicionit me lloj - lloj ngjyrash.

“Zgjedhjet e ardhme nuk kane shpëtim, vetëm vonim, dhe shtetin nuk e rrezikojnë zgjedhjet por jetë zgjatja e kësaj qeverie. A do ta rrëzojë PDK këtë qeveri vet apo jo mbetët të shihet, megjithatë, ne si parti institucionale dhe me traditë nuk i varrim shpresat tona në veprimet e PDK-së, apo të cilido subjekt tjetër politik. Ne do të punojmë që këtë qeveri ta përmbysin në afatin më të shkurtë të mundshëm. E kemi parë në disa raste se është shumë e vështirë të sigurohen në vazhdimësi 61 deputetet e koalicionit qeverisës në Kuvend, mos të flasim për ato çështje të cilat kërkojnë dy të tretat. Prandaj kjo qeveri duhet përmbysur sa më parë që të jetë e mundur sepse është qeveria më e dobët dhe më e keqe që ky vend e ka pasur ndonjëherë”, ka thënë  Gecaj.

Image
Blerim Burjani

Ndryshimi i koalicionit si opsion

Duke folur rreth kësaj çështje njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani ka thënë për “Bota sot”, se PDK do të rrëzoje këtë qeveri për shkak se nuk ka politikë të qartë shtetërore dhe është mjaft konfuze.

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka njerëz dhe kapacitete për të zgjidhë probleme.

“PDK-ja e ka kuptuar se kjo qeveri është dështim edhe para se të themelohet por si të shkohej sërish në zgjedhje, këtë e ka evituar përkohësisht PDK-ja por me kalimin e kohës po shihet se asnjë temë e madhe nuk mund të zgjidhet. Realisht PDK-ja shumë shpejtë do të pranojë se shteti është në ngërç dhe pa zgjidhje , i ka dy rrugë të ndryshojë koalicionin apo të shkojë sërish në zgjedhje”, ka thënë Burjani.

Ai ka nënvizuar se LDK-ja nuk pranon që partitë e vogla të udhëheqin me shtetin.

“Ata e kanë të qartë se me këtë qeveri nuk do të mund të zgjidhin asnjë problem në mungesë të votave në kuvend. Pasi PDK-ja ose duhet të ftojë parti tjera në koalicion ose duhet të pranojë dështimin e kësaj qeverie”, është shprehur Burjani.

Image
Lirim Zorra

“PDK-ja mund të jetë e gatshme për të rrëzuar qeverinë”

Nga ana tjetër, Lirim Zorra ligjërues në Kolegjin ISPE konsideron se një qeveri  me minimumin e numrave në Parlamentin e Kosovë, gjithmonë i ka ditët e numëruara, për arsye të presioneve ndërpartiake.

Sipas tij, mos koordinimi për ligjet, nismat legjislative, dhe qëndrueshmëria e saj varet vetëm nga partnerët e koalicionit e në këtë rast nga: PDK, AAK, Nismës, AKR-së dhe minoriteteve të cilat në një moment mund ta shohin si opsion të vetme shkuarjen në zgjedhje.

“Natyrisht, se si opsion ata shohin zgjedhjet, sesa qëndrimin në qeveri, edhe pse kjo varet nga rezultati i raundit të dytë. Po ashtu, edhe nga sondazhet të cilat i bëjnë partitë politike për të ditur se ku janë në momente të caktuara. PDK-ja mund të jetë në çdo kohë e gatshme për të rrëzuar qeverinë e tyre, kur numrat mund të jenë në favorin e saj, mirëpo momentalisht nuk shoh ndonjë favorizim në numra për PDK-në me rezultatin e fundit nga zgjedhjet lokale, ku me 62 vota kjo qeveri gjithmonë duhet të bëjë favore këtyre individëve për t’ju marr votën. Hatër mbetjet midis partnerëve të koalicionit vetëm do të rriten me raundin e dytë të zgjedhjeve dhe me kalimin e 100 ditëve të para të qeverisë Haradinaj”, ka thënë Zorra.

Image
Hidajet Ahmeti

Ndikimi i Listës serbe

Analisti politik Hidajet Ahmeti, ka gjykuar konstalacionin qeverisës aktual dhe determinimin e çdo procesi të rëndësishëm nga votat e Listës serbe, pasi sipas tij, është dëshmia më e qartë për mos stabilitetin dhe jetë shkurtësinë e kësaj qeverie.

“Demokracia parlamentare është e mbështetur në numra, e cila prodhon qeverinë e vendit dhe determinon jetëgjatësinë dhe stabilitetin e qeverisë. Edhe ashtu, instalimi i çdo sistemi parlamentar në gjitha vendet e botës e posaçërisht në vendet në tranzicioni tregojnë për qeveri jo stabile dhe jetëshkurtra. Tradicionalisht është dëshmuar se PDK-ja, madje edhe kur ka qenë nën ombrellën e qeverisë, dhe atëherë kur janë prishur interesat e tyre, ata kanë zgjedhur metodën për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Ai ka theksuar, se nga gjitha këto premisa logjike rrjedhimisht ndërtojmë teorinë, e cila prodhon situatën e rrëzimit të qeverisë, brenda logjikës së interesave të PDK-së.

“PDK-ja  vepron e funksionon brenda frymës  se interesave klineteliste, nepotike e klanore e jo brenda frymës së sinqeriteti, seriozitetit, mirëqenies qytetare e zhvillimit ekonomik”, është shprehur Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat