Vuçiq me ndikim të jashtëzakonshëm në Qeverinë Haradinaj

Politika

Vuçiq me ndikim të jashtëzakonshëm në Qeverinë Haradinaj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 nëntor 2017 Në ora: 11:44
Ramush Haradinaj, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka parashikuar se në të ardhmen Lista Serbe mund të largohet nga Qeveria e Kosovës për shkak të ushtrisë.

Ai ka deklaruar se pas këtij skenari LDK mund të bëhet pjesë e Qeverisë. Madje, Vuçiq ka thënë se në krye të LDK-së shpejt mund të emërohet Vjosa Osmani ose Lutfi Haziri.

Mirëpo, Bajram Gecaj, ish zv.ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal si dhe njëkohësisht anëtar i LDK-së, ka thënë se e ka siguruar Vuçiqin dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë se LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie.

Gecaj: LDK nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie

Sipas Gecajt, ata do ta përmbysin qeverinë aktuale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Image
Bajram Gecaj

“Unë menjëherë kam thënë publikisht se propagandës së elementëve të koalicionit qeverisës dhe të VV-së, ju kishte bashkangjitur tani edhe pjesa tjetër e koalicionit i cili kishte përkrahur mocionin e vetëbesimit kundër qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja. Megjithatë e sigurova Aleksandar Vuçiq, dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë, që LDK nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie, por se do ta përmbysi atë në afatin më të shpejt të mundur” ka pohuar Gecaj.

Sipas Gecajt, Vuçiqi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në qeverinë aktuale, e këtë ndikim nuk e ka pasur asnjëherë në qeverinë Mustafa.

Ai ka shtuar se nuk ka e as nuk do të ketë ndonjë zyrtar të Serbisë që mund të ketë ndikim në politikë-bërjen e LDK-së.

“Edhe pse Aleksandar Vuçiq tani për tani ka ndikim të jashtëzakonshëm dhe vendimtar në Qeverinë Haradinaj, një ndikim të tillë nuk e ka pasur kurrë në Qeverinë Mustafa, dhe posaçërisht jo tani kur ne jemi në opozitë. Pra, as nuk ka as nuk do të ketë kurrë ndonjë zyrtar i Serbisë ndikim në politik-bërjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e cila është më meritorja për largimin e pushtimit shumëvjeçar serbo-sllav nga territori i Kosovës. Tani koha se kur kjo mund të ndodhë varet nga rrethanat politike, sepse në këtë moment koalicioni ende zotëron, edhe pse mu në margjinat e nevojshme, 61 apo 62 vota, kështu që rrëzimi i saj mund të vijë në momentin kur në mesin e atyre 24 partive shumëngjyrëshe nga koalicionin qeverisës të “plasi ndonjë sherr” i papërballueshëm, e që unë besoj se nuk do tu shkojë shumë gjatë. Një gjë që është e sigurte është se kjo qeveri nuk do të mund të shtyjë para asnjë çështje të rëndësisë së madhe nacionale, veç interesave partiake, klanore e individuale të qeveritarëve të përbashkuar me ndihmën e sekserëve e matrapazëve” ka theksuar Gecaj.

Zogaj: PDK fajtore

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend duke komentuar deklaratën e presidentit serb janë shprehur se ai është në dijeni për vështirësitë e qeverisë aktuale.

Analisti politik, Skender Zogaj, ka konsideruar PDK-në si fajtore që qeveria e Kosovës është në këtë gjendje, sa që presidenti serb ta rrëzojë atë.

Sipas Zogajt, largimi i Listës serbe nënkupton fundin e kësaj qeverie dhe për largim të saj nuk ka dyshim se Vuçiqi do ta bëjë këtë.

“Presidentit serb Vuçiqi  i ka rënë sëpata në mjaltë, sepse, zhvillimet primitive politike të PDK-së, e kanë dobësuar shtetësinë e Kosovës deri në masën që, armiqtë e përbetuar dhe xhelatëve shekullore që na kanë vrarë e na kanë prerë dhe që tash të mund të mbajnë në duar gërshërët e prerjes së fatit tonë! Kjo është gjendje absurdi! Një gjendje e mjerë për të gjithë shqiptarëve pa dalim, që kanë lejuar veten të bien në këtë pozitë kaq poshtëruese, sepse është fakt që, Presidenti serb Vuçiq e rrëzon kur t'i teket Qeverinë e Kosovës, sepse e ka nën urdhra të plotë "Listën srpska", largimi i së cilës nga koalicioni nënkupton fundin e kësaj Qeverie. Dhe, nuk ka asnjë fije dyshimi se Vuçiqi këtë ka për ta bërë, kur ta hetojë se për Kosovën do të jetë më së keqi! Dhe, kurdo që të ndodh kjo, Kosova do ta ketë edhe një shkundje të thellë, e me pakënaqësi të reja, të dhimbshme dhe të kushtueshme.” ka deklaruar Zogaj.

“Luftë speciale kundër LDK-së”

Sipas Zogajt, për ardhje të reja qeveritare është vështirë të thuhet, kurse sa i përket përmendjes së emrave që do të vijnë në krye të LDK-së, nuk janë metodë e LDK-së.

“Sa i përket ardhjeve të reja qeveritare është vështirë të thuhet, sepse, në gjendjen ekzistuese kur na duhet dalja nga kriza e thellë në të cilën jemi, nuk shoh mundësi për ndryshime të forta e cilësore. Sa i përket përfoljes së emrave të përveçëm janë thashetheme abuzive, të dobëta dhe qëllim këqija që po vazhdojnë të zihen për të ushqyer injorancën me kurse devijante kah e keqja dhe aspak për të mirën e Kosovës. Si, dhe kush, e me çfarë ruleti qenka gjetur që Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri do të vinë në krye të Qeverisë?! Kjo nuk është metoda e LDK-s, por është e kuluareve dhe e luftës speciale, që ka për qëllim të prodhojë mjegulla” ka theksuar Zogaj.

Ai ka shtuar se partitë politike duhet të mendojnë thellë për rrezikun që i kanoset vendit dhe për këtë duhet të bisedojë kryeministri.

Sipas Zogajt, LDK-ja nuk duhet të anashkalohet, por të gëzojë konsideratë më të lartë dhe të vihet në thelbin e ngjarjeve shtetërore të vendit.

“Unë mendoj se, të gjitha partitë politike, pozitë e opozitë duhet të mendojnë thellë për rrezikun që i kanoset vendit. Të zbusin gjakrat e pista të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht, dhe ta nxjerrin vendin nga pengu i zi! Unë do të dëshiroja që Kryeministri Haradinaj të mos hezitojë të bisedojë me të gjitha partitë politike shqiptare dhe ta kuptojë e të pranojë vlerat dhe potencialet konkrete qeverisëse, deri në masën e vet sakrifikimit, nëse për këtë shihet se ka nevojë. Edhe diçka, LDK-ja jo vetëm që nuk duhet të anashkalohet, por duhet të gëzoj konsideratën më të lartë dhe të vihet në thelbin e ngjarjeve shtetërore të vendit, sepse, pa LDK-në, nuk ka asnjë gjasë të shkohet përpara, sepse, kush nuk e din që, LDK-ja është partneri kryesor i demokracisë dhe integrimeve euro-atlantike!” ka përfunduar Zogaj.

Kurse, politologu Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se Presidenti serb ka informacione nga Lista Serbe lidhur me brishtësinë e qeverisë aktuale.

Image
Mentor Tahiri

Brishtësia e qeverisë aktuale

Sipas Tahirit, ky ekzekutiv me të vërtetë e ka të pamundur rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm.

“Të gjitha këto tani për tani janë vetëm spekulime dhe prognozime. Presidenti serb sigurisht ka informacione nga Lista Serbe lidhur me brishtësinë e qeverisë aktuale. Ky ekzekutiv i Kosovës vërtetë e ka të pamundur rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm. Po konfirmohet se shumica aktuale parlamentare nuk ka më shumë se 61 vota, gjë që është një pikë mjaft kritike. Në rastin e parë që do të ketë mundësi, Lista Serbe do të veprojë me kushtëzimet e saj” ka nënvizuar Tahiri.

Sipas tij, kjo qeveri nuk forcë të përballojë sfidat që e presin.

“Që tani dihet se kjo qeveri nuk ka forcë të përballojë sfidat që e presin. Qysh tani ka vështirësi edhe me miratimin e ligjeve ku kërkohet një shumicë e thjeshtë. Në anën tjetër bazuar në konstalacionin aktual të preferencave elektorale në Kosovë, siç edhe u konfirmua në zgjedhjet e 22 Tetorit, duket se LDK ka primatin si forca më dominante në vend. Së këndejmi është lehtë e parashikueshme se në rast se ky ekzekutiv nuk mbijeton një mocion të mundshëm, është LDK ajo e cila do të kryesojë me qeverinë. Mocioni është i mundshëm pasur në konsideratë divergjencat që do të shpërfaqen në shumicën parlamentare”  ka përfunduar Tahiri.

Ndryshe, sipas deputetes Vjosa Osmani, Vuçiq nuk ka aspak të drejtë të përzihet në çështjet politike të Kosovës dhe është shprehur e bindur se LDK se në asnjë mënyrë nuk bëhet pjesë e Qeverisë Haradinaj.

“Vuçiq nuk ka të drejtë të përzihet në çështje të brendshme politike të Republikës së Kosovës, as në tema që lidhen me partitë politike e as në ato që kanë të bëjnë me përbërjen e Qeverisë së Kosovës apo transformimit të FSK-së në Ushtri”, ka thënë Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat