“Dështakët” e AAK-së, Ramush Haradinaj ua gjen zgjidhjen

Politika

“Dështakët” e AAK-së, Ramush Haradinaj ua gjen zgjidhjen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 nëntor 2017 Në ora: 07:53
Fatmir Gashi dhe Faruk Nura, të dy kandidatët e AAK-së humbën pa balotazh në zgjedhjet lokale. Në pejë kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri fitoj pa balotazh, ashtu sikurse Sokol Haliti në Viti.

Dy ish kandidatë për kryetarë komune në zgjedhjet lokale nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), janë emëruar së fundmi zëvendësministra në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Bëhet fjalë për Faruk Nurën, i cili ka qenë kandidat për kryetar të komunës së Vitisë në zgjedhjet lokale dhe që tani është emëruar zëvendësministër në Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe për Fatmir Gashin që ishte kandidat për kryetar të Pejës, që tani është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

Për këtë, gazeta ka pyetur në Zyrën për Komunikim të Kryeministrit, se pse janë emëruar pikërisht këta persona, mirëpo nuk janë përgjigjur. Një gjë e tillë është kritikuar nga analistët, të cilët thonë se kryeministri i ka ‘rehatuar’ ata në Qeveri, pas dështimit që kanë pasur.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Nuk është qeverisje por sundim në kohë demokracie

Profesori Jeton Kelmendi thotë se kjo qeveri është vetëm për t’i përmbushur apetitet e saj, duke punësuar njerëz të dështuar, që kjo gjë sipas tij është shëmti e kryeministrit.

“Mendoj se kjo mënyrë e zhvatjes së pushtetit nga kreu i qeverisë, nga të gjithë në njëfarë mënyre, por me theks të veçantë kreu i qeverisë Ramush Haradinaj, është mënyra më e shpejtuar, se si riciklojnë njerëzit e dështuar. Vetë fakti se në kabinetin e tij Ramush Haradinaj ka rreth 18 këshilltarë, tregon se kjo qeveri është për të përmbushur apetite të njerëzve, që të futen njerëz në punë. Së fundmi edhe emërimi i zëvendësministrave, njerëz  që kanë dështuar në politikë. Mendoj se është një mënyrë, një vazhdë e shëmtisë së që kryeministri Haradinaj po luan me popullin e Kosovës. Sigurisht se sidomos kandidati Gashi që ishte drejtor në telekomin Mobitel të Serbisë, deri në vitin 2004, ishte një figurë shumë e kompromentuar, e kishte dhe i dështoi në politikë dhe tani duhej ta rehabilitonte”, vlerëson Kelmendi.

Sipas tij, punësimet e tilla tregojnë më së miri çfarë qeverisje kemi dhe se një gjë e tillë duhet të zhduket, pasi atëherë nuk është qeverisje por sundim në kohë demokracie.

“Këto lloj shëmtisë e mohojnë demokracinë në Kosovë, kësisoj kishte bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje kur e mori Prishtinën, me kandidatët e dështuar që komuna i mblodhi në Prishtinë, i emëroi drejtorë dhe si duket këto parti nuk po mund ta kuptojnë çka është pushteti, pushtetin e kanë sa për të punësuar militantët e tyre dhe jo për profesionistë. Prandaj nuk do koment, kjo e tregon më së miri se çfarë qeverisje po kemi, çfarë njerëz po udhëheqin Kosovën. Assesi kjo nuk është qeverisje, është sundim, andaj Kosova sundohet nga diktatorë në kohë demokracie. Them diktatorë sepse asnjë nga 18 këshilltarë nuk guxon ta këshillojë kryeministrin por vetëm idetë e tij duhet t’i duartrokasin. Prandaj kjo logjikë që e kanë partitë në Kosovë duhet të shembet, të zhduket ky model primitiv dhe arkaik”, ka thënë profesori Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Rehabilitim i njerëzve partiak

Në anën tjetër, analisti Leon Duhanaj thotë se një gjë e tillë nuk është e re në Kosovë, por që nëse kryeministri dështon në profesionalizëm, nuk ka arsye më të kërkojë votat nga qytetarët.

“Rehabilitimi apo dhënia e posteve qeveritare personave të cilët kanë pësuar humbje si kandidat për kryetarë komunash, nuk është gjë e re në Kosovë. Kjo shprehi është përsëritur edhe më herët. Kjo është në fakt rehabilitim i njerëzve partiak. Por, përderisa janë poste politikë, është edhe legjitime. Se sa janë kandidat profesionist, këtë duhet ta dinë ata, përkatësisht kryeministri. Kosova ka nevojë për profesionalizëm në qeverisje. Nëse Haradinaj dështon në këtë segment, nuk besoj që.do ketë arsye më të kërkojë votën nga qytetarët. Pra, performanca qeverisëse nuk duhet assesi të jetë ë dobët si pasojë e politikave kadrovike, sepse një gjë ë tillë nuk do t'i falej Haradinaj”, ka thënë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

Militantizmi politik

Ndërkaq, analisti Ali Hertica thotë se punësimet e tilla nuk duhet të jenë pjesë e politikës në shtetin tonë dhe AAK nuk duhet të bëjë punësime të tilla.

“Tradita korruptive e shkëmbimit të votave me poste dhe punësim në administratë, nuk duhet të parazitojë më mbi shtetin, demokracinë dhe shërbimet publike. Kjo ka tjetërsuar edhe luftën politike. Ashpërsia e fushatave tona elektorale buron nga fakti se militantizmi nuk është ideor dhe programor, por luftë çetash politike për të vënë dorë mbi buxhetin e shtetit dhe vendet e punës në administratën shtetërore qe sot po ndodhin në Kosovë si, shkolla, spitale, polici dhe ndërmarrje publike. Kjo prek integritetin e proceseve elektorale, konkurrencën e ndershme, cilësinë e institucioneve dhe shërbimeve publike. Është koha që dhe politika e Kosovës të tregojë vetëpërmbajtjen në këto drejtime, besoj se edhe AAK-ja do të jetë e kujdesshme, të tërhiqet nga territori i pushtuar me militantët partiak që në konceptin e shtetit modern i përket meritokracisë burokratike dhe jo militantizmit politik”, është shprehur ai.

Hertica: As një qeveri nuk duhet të jetë strehë e militantëve partiakë

Sipas tij, asnjë qeveri nuk duhet të jetë strekë e militantëve partiakë e as AAK të jetë model i tillë.

“Në të gjitha institucionet qeveritare prej themelimit të themelit të Republikës së Kosovës tashmë është bërë hit punësimi me Kontratë mbi Vepër, kontratë për Shërbime të Veçanta e çka jo. Në vend që të ndërtojmë një burokraci moderne, profesionale dhe jo politike, ne si përfaqësues të shtetit modern demokratik nuk duhet që subjektet politike të bëjnë shtrirjen e rrjeteve të tyre militantë për ta ruajtur pozicionin që e ka marrë, por ne si shoqëri duhet që ta rrisim profesionalizmi dhe cilësinë për ta shtyrë shtetin drejt zhvillimit dhe jo të jemi dështak dhe t’i rehatojmë militantët të cilët nuk sollën asgjë konkrete për shoqërinë dhe shtyrjes së proceseve social ekonuminë për shtetin, as një qeveri nuk duhet të jetë strehë e militantëve partiakë dhe as AAK nuk duhet të jetë si model i subjekteve tjera politike që kanë emëruar dështakë dhe analfabet të cilët nuk dinë shkrim lexim”, ka deklaruar Hetica për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat