Eksperti i ekonomisë tregon pse Kosova nuk duhet të tërhiqet nga CEFTA

Politika

Eksperti i ekonomisë tregon pse Kosova nuk duhet të tërhiqet nga CEFTA

Nga: Arbnore Zhushi Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 15:51
Dogana e Kosovës

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka paralajmëruar shqyrtimin e tërheqjen së Kosovës nga marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA. Ai ka thënë se kjo është e mundur nëse nuk do të merren parasysh kërkesat që përfaqësimi i Kosovës të jetë i barabartë me shtetet tjera, pra si Republikë e jo siç është tani ku përfaqësimi bëhet si UNMIK.

"Fatkeqësisht po them se kjo marrëveshje është bërë në fund të vitit 2006, edhe njihet me preambulën UNMIK, ndoshta është institucioni i vetëm që nuk njihet si Kosovë apo Republika e Kosovës. Ne jemi të ftuar me datën 23 të këtij muaji të marrim pjesë në organizimin e tryezës së CEFTA-s. Natyrisht aty kemi mi ngrit disa çështje. Kemi kërkuar edhe nga zyra e BE-së që të bëhet presion ndaj UNMIK-ut që të heq dorë nga preambula dhe të njihemi si Republika e Kosovës. Natyrisht është edhe një mundësi tjetër që të gjitha shtetet anëtare ta pranojnë Kosovën që të trajtohet e barabartë, përndryshe ndoshta do ta shqyrtojmë mundësinë e tërheqjes nga CEFTA, nëse nuk marrin për bazë kërkesën tonë", ka theksuar Hasani.

Por, njohësit e çështjeve ekonomike, tërheqjen e Kosovës nga CEFTA, nuk e shohin si hap të mençur. Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, eksperti Lekë Musa, ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendit, nuk mund të bëhet përmes izolimit të ekonomisë.

Image
Lekë Musa

“Tërheqja e Kosovës nga CEFTA, nuk është hap i mençur. Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet, duke izoluar ekonominë, mirëpo përkundrazi, duke integruar atë. Është dëshmuar në historinë ekonomike se vendet e vogla nuk kanë gjasa që të mbijetojnë të izoluara”, ka pohuar Musa.

Sipas tij, tregu i Kosovës duhet të insistojë në hapjen dhe integrimin sa më të madh, pasi në të kundërtën, siç ka theksuar ai, nuk ka gjasa për mbijetesë.

“Kosova si treg është shumë i pafavorshëm për shkak të madhësisë së tregut, prandaj, do të duhej të insistojmë në hapjen dhe integrimin sa më të madh, sepse përndryshe, nuk kemi gjasa që të mbijetojmë ndryshe”, ka shtuar Lekë Musa për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat