“Rasti Kumanova”, politologu tregon pse duhet të ketë hetim ndërkombëtar

Politika

“Rasti Kumanova”, politologu tregon pse duhet të ketë hetim ndërkombëtar

Nga: Gresa Bajraktari Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 16:59
Grupi i Kumanovës

Gjykata Themelore e Shkupit shqiptoi dje dënimin për Grupin e Kumanovës, ku ata u dënuan me 746 vjet burg, 7 prej tyre me burg të përjetshëm, ndërsa u liruan katër të tjerë.

Pas këtij vendimi familjarët dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe kanë mbajtur edhe protesta.

Lidhur me këtë, politologu nga Maqedonia, Xhensur Iseni, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se dënimi nuk ka pasur të bëjë fare me gjendjen faktike dhe se autoritetet qeveritare nuk i besojnë gjyqësorit derisa kërkojnë hetim ndërkombëtar.

“Meqënse nuk është e lehtë të prejudikoj mbi këtë rast mjaft të ndjeshëm për mua si shqiptar i Maqedonisë, unë dua të potencoj një fenomen negativ të gjyqësorit në Republikën e Maqedonisë që gjithmonë për shqiptarët që jetojnë këtu nuk kanë pasur besim në këtë gjyqësor. Pra reformimi i tij do të ishte një sinjal që proceset gjyqësore mund të gjykoheshin në mënyrë më objektive dhe racionale. Pyetja tani që duhet bërë është kualifikimi i veprës, a duhej kështu të kualifikohej vepra apo jo? D.m.th e dimë se të dënuarit janë akuzuar për vepër "terroriste" dhe duke u bazuar këtu edhe ligjet ndërkombëtare për vepra të tilla parashohin "dënim të përjetshëm" si dhe dënime tjera drakonike. Por dënimi i djeshëm nuk kishte të bëjë fare me gjendjen faktike. Me vet faktin që edhe Ministri i MPB-së kërkon hetim ndërkombëtar, me automatizëm mund të thuhet se edhe vet autoritetet qeveritare nuk i besojnë këtij gjyqësori”, është shprehur ai.

Image
Xhensur Iseni

Sipas Isenit, do të duhej të dënoheshin personat që urdhëruan këtë projekt.

“Personalisht nëse dje u dënuan maksimalisht pjesëtarët e grupit të Kumanovës, bashkë me ta do duhet të dënoheshin edhe URDHËDHËNËSIT e këtij projekti. Por fatkeqësisht gjatë proceseve gjyqësore edhe pse të akuzuarit kanë kërkuar që të jenë prezent edhe disa pjesëtarë të qeverisë së kaluar, prokuroria dhe gjykata nuk i kanë pranuar kërkesat në fjalë”, ka thënë politologu Iseni.

Ndërsa, sa i përket asaj se a do të duhej të bëhej hetim ndërkombëtar për këtë rast, ai mendon se duhet të bëhet, që të zbulohet e vërteta e këtij rasti.

“Po realisht kjo do të rriste besueshmërinë, transparencën, dhe marrjen e të gjitha dëshmive në konsideratë me seriozitet të madh, sepse duke dëgjuar avokatët mbrojtës, hedhin dyshime të shumta që të gjitha dëshmitë nuk janë analizuar në mënyrë të drejtë. Nëse autoritetet maqedonase, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme dëshirojnë të pastrojnë këtë punë, të zbulohet e vërteta, duhet të organizojnë hetim ndërkombëtar. Hetim ndërkombëtar ku do të promovojnë edhe vet autoritetet shtetërore, dhe këto nuk bëhen vetëm me fjalë, kjo duhet të organizohet. Hetimi ndërkombëtar duhet të ndihmojë në krijimin e provave që do ta zbardhnin rastin dhe provat që do të dalin nga ky hetim do të duhet të përcillen në gjykatë qoftë nga pala mbrojtëse qoftë nga prokuroria dhe gjykata duke i pasur parasysh ato prova duhet të zhvillojë procesin dhe të sjellë një vendim në bazë të vërtetës materiale. Çdo vendim i sjellë nga gjykata pa e kristalizuar mirë të vërtetën me gjendjen faktike, vendimi nuk mund të jetë i drejtë”, ka deklaruar Xhensur Iseni për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat