Me SHIK-un të merret Gjykata Speciale, koha po vjen të zbardhen vrasjet dhe dhuna politike

Politika

Me SHIK-un të merret Gjykata Speciale, koha po vjen të zbardhen vrasjet dhe dhuna politike

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 nëntor 2017 Në ora: 19:05
Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, më 19 nëntor do të përballet në balotazh me Ismail Kurteshin nga Lëvizja Vetëvendosje

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së dhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ka treguar pritshmëritë e tij për balotazhin e 19 nëntorit dhe komunat të cilat do të fitojnë në balotazh. Haziri në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se LDK-ja është kthyer si partia e parë në Kosovë pas 10 viteve  në zgjedhjet lokale dhe kjo i bënë ata të bëhen gati për zgjedhje të reja parlamentare.

“Bota sot”: Keni një përqindje shumë më të lartë se kundërkandidati juaj në balotazh, pritni përqindje më të lartë më 19 nëntor?

Lutfi Haziri: Besoj që do të rritet definitivisht. Gjilani ka folur fortë dhe  shumë qartë në raundin e parë se e ka estagluar  nacional-demokracinë që e kemi instaluar në  28 vitet  e fundit si pasardhës të nacional- demokratëve në Anamoravë. Është rikthyer bastioni i LDK-së, pas asaj plasaritje edhe varre që e ka shkaktuar në 2006 pa fajin e anëtarësisë. Rezultati , rritja e LDK-së  dhe rritja e imja si kandidat në Gjilan konfirmon qartë se në Anamoravë dhe në Gjilan LDK-ja është rikthyer si bastion dhe shpresoj shumë se do të rritet në mënyrë jashtëzakonisht të madhe edhe në raundin e dytë mbështetja për mua si kandidat. 

Image
Gazetarja e gazetës “Bota sot”, Naile Ejupi, gjatë intervistës me nënkryetarin e LDK-së Lutfi Haziri. Në sfond shihet foto e Presidentit Rugova në zyrat e selisë së LDK-së

“Bota sot”:Kohëve të fundit ka pasur deklarata në kuvend për veprimtarinë e SHIK-ut, a  jeni në pajtim për formimin e një komisioni hetimor ndaj SHIK-ut dhe vrasjeve të pas luftës?

Lutfi Haziri: Ka pasur iniciativa edhe më herët sa i përket tendencave që të hetohet përmes komisioneve. Në Ballkan nuk hetohen rastet e tilla, ose të kaluarat e organizatave të tilla përmes komisioneve parlamentare,  sepse është natyra politike, politizohet me gjithçka. Gjithçka që mund të lidhet me të kaluarën e kësaj organizate duhet të lidhet me tribunalin e Hagës, dhe me tribunalin e Gjykatës Speciale, nëse ka të dhëna, nëse ka shënime, evidenca, fakte e akte, atëherë është në mandatin e Gjykatës speciale të merret me çdo lloj dhune, me çdo lloj vrasje, zbardhje vrasje dhe abuzimeve tjera. Praktikisht nuk duhet të shpresohet që ka rrugë tjetër përpos drejtësisë. Dje ka qenë 2 nëntori dhe në botën perëndimore kjo është ditë e lutjes për të vdekurit, ku edhe shtëpia e zotit edhe familjet edhe të gjithë njerëzit e besimit për t’u lutur. Me 2 nëntor është përvjetori i Haki Ymerit, një profesori e aktivisti të LDK-së, një veprimtari i madh dhe i shpallur hero me të vërtetë. Vrasja e tij nuk është zbardhur që ka ndodhur pas luftës, ka qenë koha kur ka qenë duke shkuar në shkollë, në kohë kur ka qenë duke vazhduar misionin në lirinë e Kosovës, dikush ka bërë vetëgjyqësi dhe ata që kanë bërë vetëgjyqësi duhet të gjykohen. Koha po vjen të zbardhen vrasjet dhe dhuna politike.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të Shtunën dhe të Dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat