Qeveria zvarrit përgjigjen për familjen Dehari, VV: Ja kush e inskenoi vdekjen e Astritit

Politika

Qeveria zvarrit përgjigjen për familjen Dehari, VV: Ja kush e inskenoi vdekjen e Astritit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 nëntor 2017 Në ora: 08:01
Familja e Astrit Deharit

Edhe pse po mbushen gati një vit nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, ky rast ende nuk është zgjidhur.

Dehari kishte vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku vuante masën e paraburgimit si një nga të dyshuarit për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Prokuroria ka pranuar ditëve të fundit se nuk ka prova që i lidh aktivistët e Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, me sulmin e Kuvendit.

Ndërkohë, familja e Deharit, i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një kërkesë të re për të urdhëruar një ekspertizë të pavarur në një institut zviceran, mirëpo ende nuk kanë marrë përgjigje.

Gashi: Çështja është duke u zvarritur

Image
Tomë Gashi

Avokati i familjes së Deharit, Tomë Gashi, i cili edhe i ka dorëzuar dokumentin Zyrës së Kryeministrit beson se Ramush Haradinaj ka rol në këtë aspekt dhe se ai do të urdhërojë angazhimin e Institutit Zviceran të zbardh rastin.

“Angazhimi i Institutit zviceran në rastin e Astrit Deharit në duar të kryeministrit z.Ramush Haradinaj. Sipas kërkesës së prindërve të Astrit Deharit znj. Xhemile dhe Avni Dehari, kam paraqitur kërkesë të re drejtuar Kryeministrit z.Ramush Haradinaj, që në kuadër të kompetencave të tij të obligojë Ministrinë e Drejtësisë që të angazhojë Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne- Zvicër: Centre Hospitalier Universitaire Vaudois –CHUV për hetime të pavarura, dhe në kuadër të hetimit të pavaruar të kryejë edhe ekspertiza të pavarura lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje! Astrit Dehari më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka shkruar avokati Gashi në postimin e tij në Facebook ditë më parë.

Ndërkaq, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, ai ka konfirmuar se nuk ka marrë ende përgjigje nga Zyra e Kryeministrit në lidhje me kërkesën e familjes së Astrit Deharit.

“Ne e kemi bërë kërkesën ndaj Kryeministrit, por ende nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, përgjegjësia për mos-zbardhjen e këtij rasti ishte edhe e Qeverisë së kaluar, e cila siç ka thënë Gashi, nuk ka mundur të angazhojë institutin e njëjtë në Zvicër, me pretendimin që Zvicra nuk është shtet i Bashkimit Evropian.

“Këtu duhet të ndahen në dy pjesë së paku. Nuk është përgjegjësia e qeverisë së tanishme për shkak se këta kanë pak ditë që e kanë marrë kërkesën dhe po presim përgjigjen e tyre. Ndërsa përgjegjësia e qeverisë së mëhershme ka qenë ajo që nuk kanë mundur ta angazhojnë institutin e njëjtë në Zvicër, me pretendimi se Zvicra nuk është shtet i Bashkimit Evropian. Çështja është duke u zvarritur, kështu që po presim shumë shpejt që Haradinaj të përgjigjet në kërkesën e familjes Dehari të cilën e kam dërguar unë si avokat i tyre”, është shprehur avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

Ndonëse të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me kërkesën e familjes Dehari për zbardhjen e këtij rasti.

E në Lëvizjen Vetëvendosje, ripërsërisin se aktivistët e saj, janë duke u gjykuar padrejtësisht nëpër gjykata.

Kurteshi: Institucionet e drejtësisë kanë inskenuar rastin Dehari

Image
Sami Kurteshi

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, ka thënë se aktivistët Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, janë të pafajshëm dhe se ata nuk e kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Kurteshi ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë, kanë inskenuar edhe rastin e aktivistit të tyre, Astrit Dehari.

Sipas deputetit të VV-së, “vrasja” e Deharit dhe sulmi në Kuvend, janë inskenuar nga qarqe kriminale brenda gjyqësisë, prokurorisë dhe Policisë së Kosovës.

“Institucionet e drejtësisë jo vetëm që kanë dështuar, po ato e kanë inskenuar rastin. Kjo është një vrasje me paramendim. Nga krejt të dhënat, dëshmitë, faktet, analizat po del se inskenimi se sulmi mbi Kuvendin, ka qenë i inskenuar prej këtyre qarqeve kriminale brenda gjyqësisë, prokurorisë dhe  policisë. Sulmi ka qenë i inskenuar, arrestimi dhe përndjekja ka qenë e inskenuar, vrasja ka qenë e inskenuar. Përpjekja e tyre të pengojnë ligjin ndërkombëtar, është vetëm përpjekja e fundit që t’i ikin përgjegjësisë. Kjo nuk ka qenë dështim i tyre, por inskenim i tyre”, ka pohuar deputeti Kurteshi.

Edhe sipas njohësi të çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, konsideron se drejtësia në Kosovë, me rastin e Deharit ka dështuar.

Ai ka thënë se ndonëse Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim që ekspertiza të kryhej nga një institut i pavarur, kjo gjë nuk është bërë.

Image
Muhamet Kelmendi

Shteti dështoi

Kelmendi e ka cilësuar rastin Dehari si një rast shumë të rëndë për drejtësinë e vendit.

“Drejtësia në Kosovë, në rastin e Astrit Deharit ka dështuar, sepse kemi të bëjmë me një vepër që ka një vit që është kryer dhe kërkesa e prindërve dhe familjes së tij është që analiza apo ekzaminimi të bëhet drejtpërdrejt nga një institut i pavarur, kryesisht në Zvicër. Ne kemi një vendim të Kuvendit të Kosovës, ku është lejuar që të kërkohet drejtpërsëdrejti që ekzaminimi i tillë të bëhet nga një institut në Zvicër dhe natyrisht se ky veprim nuk është kryer, pasi nuk është dërguar rasti atje që ta thotë fjalën e vet instituti, për një çështje që është mjaft e rëndë, mjaft konfliktuoze. Sepse të vdes njeriu në burg, dhe kur je në kujdes të shtetit, është një çështje që kërkon një analizë të thellë dhe është një rast shumë i rëndë për drejtësinë në Kosovë”, është shprehur Kelmendi.

Edhe analisti politik Faik Krasniqi, e quan dështim të shtetin moszbardhjen e këtij rasti.

Image
Faik Krasniqi

Ai ka thënë se në Kosovë ka shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, duke theksuar se numri më i madh i tyre bëhet nga institucionet shtetërore.

“Në Kosovë ka shumë shkelje të të drejtave të njeriut, derisa numri më i madh i shkeljeve vjen pikërisht nga institucionet shtetërore. Në rastin Dehari, shteti ka dështuar për të vënë drejtësi në vend. Arsyet mund të jenë edhe politike, por drejtësia në vend ka dështuar në këtë rast, dhe konsideroj që avokati Tomë Gashi ka bërë mirë që ia ka dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj, për të dhënë urdhër që instituti zviceran ta zbardh rastin e Astrit Deharit. Ky rast duhet të zbardhet, dhe të dihet e vërteta rreth këtij rasti. Tek e fundit familja e të ndjerit duhet ta di të vërtetën e vdekjes së djalit të tyre. Të zbardhet e vërteta: ishte ''vrasje'' apo ''vetëvrasje''”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat