“Rama më parë reagon për ngjarjet në Angola se sa për dënimin e 37 shqiptarëve në Kumanovë”

Politika

“Rama më parë reagon për ngjarjet në Angola se sa për dënimin e 37 shqiptarëve në Kumanovë”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 4 nëntor 2017 Në ora: 15:24
Kryeministri Edi Rama

Publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu e ka quajtur të pakuptimtë mos reagimin e qeverisë Rama për dënimin me 746 vjet ndaj 37 shqiptarëve, të cilët u përfshinë në përleshje të armatosur me forcat maqedonase në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Në një prononcim për “Bota sot”, Shahu ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Rama më parë përgjigjet për ngjarjet botërore që nuk ndërlidhen fare me Shqipërinë, se sa për dënimin e 37 shqiptarëve për rastin Kumanovë.

Image
Rexhep Shahu

“Qeveria e Tiranës më parë prononcohet për ngjarjet në Angola se sa për ngjarjet ku jetojnë shqiptarët në hapësirat e tyre jetike natyrale”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, shqiptarët e Kumanovës dhe të Maqedonisë janë të huaj për Qeverinë e Shqipërisë.

“Qeveria e Presidenca e Shqipërisë nuk bëjnë asgjë nëse nuk kanë shumë leverdi politike, nuk bëjnë asgjë, sepse grupi i Kumanovës është i huaj për to, vetë Kumanova është e huaj dhe e largët për ta. Shqiptarët e Kumanovës, të Maqedonisë, e të tjerë janë të huaj për Qeverinë e Shqipërisë dhe autoritetet aktuale të Tiranës zyrtare”, ka shtuar Shahu.

Ndryshe, të enjten Gjykata në Shkup ka dënuar me 746 vjet, 37 shtatë shqiptarë, të cilët u përshinë në konfliktin e armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. Nga 37 pjesëtarët e dënuar, shtatë të akuzuar janë dënuar me burg të përjetshëm, 13 me nga 40 vjet burg, kurse të tjerët me nga 20 vjet, 18 dhe 12 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat