Arsyet e ndikimit rus në Kosovë, ja si të veprohet përballë rrezikut nga Rusia

Politika

Arsyet e ndikimit rus në Kosovë, ja si të veprohet përballë rrezikut nga Rusia

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 nëntor 2017 Në ora: 14:47
Vladimir Putin

Gjatë ditës së premte Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar hulumtimin gjithëpërfshirës “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?”, ku sipas këtij hulumtimi Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Hulumtimi i QKSS-së konstaton se shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.

Më tej, sipas hulumtimit, gjatë periudhës janar-korrik 2017, niveli i mallrave ruse të importuara në Kosovë tejkalon shumën prej 10 milionë euro, ndërsa shifrat e eksportit të Kosovës drejt Rusisë mbeten zero.

Për këtë raport, lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në Kosovë, Zyra për Komunikim e Kryeministrit nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës “Bota sot”, ndërsa ekspertët japin vlerësimet e tyre rreth ndëryjës së Rusisë në Kosovë.

Ndërhyrja e Rusisë, rrezik për Kosovën

Image
Selim Daku

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku thotë se ndikimi dhe ndërhyrja e Rusisë në Kosovë po rritet, pasi këtu ka rrjetin e ndikimit, e që është Lista Serbe dhe organizata nga shoqëria civile, ato fetare dhe media.

“Është normale që Rusia të synojë ndërhyrje dhe rritje të ndikimit në Kosovë. Me ndërhyrje dhe rritje të impaktit të Rusisë po ballafaqohen shumë shtete sot. Në Kosovë Rusia ka një rrjet të sigurt të shtrirjes së ndikimit, duke përfshirë aktorë institucional siç është lista serbe dhe ata jo institucional siç janë organizatat e shoqërisë civile, organizatat fetare dhe mediat. Ndërhyrja e Rusisë përmes serbëve të Kosovës dhe faktorëve të tjerë rrezikon qenësinë e shtetit të Kosovës”, është shprehur Daku.

Sipas tij,  ky rrezik do të bëhej i papërballueshëm për shtetasit e Kosovës nëse valës së ndikimit rus në Kosovë do të i kontribuonin me apo pa vetëdije edhe nga pala shqiptare.

“Aktualisht, qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve nuk duhet të presin mirësjellje nga Rusia. Ne jemi të vetëdijshëm që Rusia është pengesë serioze në rritjen e numrit të njohjeve dhe rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Institucionet shtetërore duhet të ndërtojnë strategji të veçantë që i qaset problemit rus. Konsideroj që sado që rritet ndërhyrja e Rusisë në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk lëkundet orientimi popullor pro perëndimor i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Daku.

Sa i përket mënyrës se sa ndikon në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare kjo ndërhyrje e Rusisë, ai mendon se kjo ndërhyrje do të duhej të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Orientimi properëndimor i Kosovës, raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, nuk janë të mjaftueshme që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kosova duhet të punojë pandërprerë në përmbushjen e standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare për zhvillim dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, SHBA-të dhe BE-ja duhet të kenë parasysh që fillimi i stopimit të zhvillimit të përpjekjeve të Rusisë për ndërhyrje në Ballkanin Perëndimor do të niste me rritjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Prandaj, rritja e ndërhyrjes ruse në Kosovë do të duhej të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka vazhduar më tej Daku për “Bota sot”.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci tregon edhe si do të duhej të veprohej, që një ndërhyrje e tillë e Rusisë në Kosovë të stopohej.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk do të ndalonte përpjekjet ruse për ndërhyrje në Kosovë. Forcimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik dhe specializimi i mekanizmave të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në mund të ishin element që do të ndikonin në minimizimin e ndërhyrjeve të tilla. Ndërhyrja ruse nuk do të stopohet pse ne kemi orientim properëndimor, përkundrazi, ajo mund të ndodhë vetëm nëse një gjë të tillë e bëjnë institucionet e sigurisë në Kosovë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Arsyet e ndikimit rus

Image
Fadil Kajtazi

Për këtë çështje versionin e tij e ka dhënë edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, i cili shpjegon se çka ndikon tek Rusia që të ketë ndërhyrje në Kosovë.

“Pozita gjeografike e Kosovës i ka determinuar edhe një pozicion gjeopolitik ku gërshetohen interesa te shumta. Struktura etnike e popullsisë, struktura fetare, kulturore, e bën Kosovën si vend atraktiv te shteteve te ndryshme për te shfrytëzuar qofte si trampoline për t’u hedhur drejt perëndimit, ose drejt lindjes. Fakti se jemi shtet i ri dhe i pa konsoliduar ende, gjithashtu krijon qarje për te depërtuar element që mund të destabilizojnë situatën. Dhe fakti se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe fakti se ajo po tenton që këtë pretendim ta realizojë duke lëvizur në orbitën ruse është një gjë që duket pa e futur në mikroskop”, ka deklaruar Kajtazi për “Bota sot”.

Ai thotë se është një kontingjent që i futë në veprim elementet kriminale dhe që kryesit gjendet në Beograd dhe disa vende të Lindjes së Largët.

“Të gjenden elemente kriminale për t’i futur në aktivitete kriminale dhe me prirje që ato të eskalojnë në veprime subversive, nuk është e vështirë. Vendi si Kosova ka njerëz të kësaj kategorie me bollëk. Kjo nuk është e vështirë të realizohet në të gjitha vendet e Ballkanit. Por, në këtë rast kemi dy politika: ajo perëndimore e cila po tenton ta ndërtojë paqen në Ballkan dhe ato lindore – ruse që përmes Serbisë po përpiqet ta minojë këtë paqe. Dhe ky kontingjent që i futë në veprim elementet kriminal është i prodhuar nga struktura të specializuara kryesisht në Beograd dhe në disa vende të Lindjes së Afërt”, ka vazhduar më tej ai.

Sipas Kajtazit, ky kontingjent është i pozicionuar mirë në parti politike, në media e institucione shtetërore.

“Ky kontingjent është i pozicionuar mire në parti politike, media dhe institucione shtetërore i cili për detyrë ka ta sabotojë funksionimin e shtetit dhe ta largojë Kosovën nga rruga euro atlantike. Kjo është mënyra më e mirë e kthimit të Serbisë në Kosovë ndonëse për dikë kjo duket absurditet. Kjo strukturë që në gjuhën e shërbimeve quhet “agjenturë infuente” këtë sabotim e bën në emër të “atdhedashurisë”. Sulmi më i freskët i kësaj kategorie është ai që është duke akomoduar ne media dhe parti politike me qellim për të devijuar diskursin euroatlantik të Kosovës. Për këtë punë, Serbia ka logjistikën, rusët kanë hapur kuletën dhe lakmitarët e lekut po bëjnë kërdi dhe po e minojnë ardhmërinë këtij vendi dhe populli të shumëvuajtur”, ka theksuar eksperti i sigurisë,  Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

Ndikimi më i madh në veri të vendit

Image
Nexhat Haziri

Raport real e quan analisti Nexhat Haziri raportin e QKSS-së, derisa thotë se ky ndikim është më i madh në veri të vendit.

“Kujtoj se është një raport real mbi aktivitetin e agjenturave të shërbimeve të huaja në vendin tonë, në veçanti ato që janë kundër shtetit të Kosovës dhe të cilat synojnë destabilizimin e vendit në aspektin politik dhe të sigurisë, siç është shërbimi rus në Kosovë dhe ndikimin e tyre sidomos në pjesën veriore të vendit, pra në këtë pjesë e cila është e populluar nga komuniteti pakicë serb dhe ku institucionet tona kanë një autoritet të kufizuar, në raport me institucionet paralele serbe të cilat i financon Beogradi zyrtar”, vlerëson ai.

Ai tregon se si duhet të veprohet që Kosova të përballet me këtë ndërhyrje.

“Ajo çka duhet të bëjë Kosova është për tu përballur më këtë shërbim, është rritja e pranisë së institucioneve të sigurisë në këtë pjesë të vendit, policisë dhe AKI-së dhe në bashkëpunim edhe me shërbimet e vendeve mike dhe përkrahëse të pavarësisë së vendit tonë, të mundohet që t’i zmbrapsë agjentët rus që hynë e dalin lirshëm në pjesën veriore të Kosovës. Hap i parë do të ishte qe tu ndalohet hyrja të gjithë shtetasve rus në Kosovë, pasi që Rusia nuk njeh pasaportat e Kosovës dhe rrjedhimisht qytetarët tanë nuk kanë mundësi për tu udhëtuar në Rusi, pra kjo do të ishte një reciprocitet. Po ashtu në koordinim edhe faktorët ndërkombëtarë të sigurisë që janë të pranishëm në Kosovë, do të duhet të ndalohen të gjitha veprimet apo aktivitet e shoqatave apo asociacioneve ruse të ashtuquajtura humanitare në veri të vendit”, ka përfunduar Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat