Politologu paralajmëron rrezikun nga iniciativa e re e Serbisë

Politika

Politologu paralajmëron rrezikun nga iniciativa e re e Serbisë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 nëntor 2017 Në ora: 16:00
Ivica Daçiq

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë se duhet të organizohet një konferencë e re ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia për ta gjetur një zgjidhje për Kosovën.

Kjo ide e Daçiqit, është kundërshtuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se dialogu duhet të përmbyllet me marrëveshje për normalizim dhe njohje të ndërsjellët në mes të dyja vendeve.

E duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, politologu Mentor Tahiri, ka treguar edhe arsyet se pse Serbia po pretendon organizimin e kësaj konference.

Image
Mentor Tahiri

“Serbia pretendon organizimin e një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, për dy arsye. Arsye e parë është që të ri-negociohet forma e pavarësisë dhe të minimizohet subjektiviteti i Kosovës në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë.  Kurse arsye e dytë është vetë dëshira e qeverisë aktuale serbe, që për çfarëdo ndryshimi qëndrimesh lidhur me pranimin e faktit se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, skena politike serbe të shfajësohet para opinionit publik në Serbi, pikërisht përmes një konference ndërkombëtare”, është shprehur Tahiri.

Ai ka vlerësuar se organizimi i një konference të tillë, do të vendoste Kosovën në një listë me shtetësitë e kontestuara apo ato të paralajmëruara si Katalonia, Kurdistani dhe Sahara Perëndimore.

Sipas tij, Qeveria duhet të jetë e kujdesshme lidhur me këtë iniciativë të Serbisë.

“Në konotacionin e zhvillimeve të tanishme në botë, organizimi i një konference ndërkombëtare për Kosovën, do ta vendoste vendin tonë në një listë me shtetësitë e kontestuara apo ato të paralajmëruara si Katalonia, Kurdistani, Sahara Perëndimore, etj. Kosova edhe pse ende nuk është e pranuar si anëtare e OKB-së, është një shtet me subjektivitet ndërkombëtarë të qartë në organizma botërore politike, ekonomike e deri te sportive, kurse gjithashtu ka kontroll të plotë mbi kufijtë e saj të jashtëm. Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme lidhur me iniciativën serbe për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën.  Organizimi i një konference të tillë, me automatizëm do të nënkuptojë se do të duhej të ri-negocioheshin elemente të shtetësisë së vendit, gjë që është e papranueshme”, ka thënë më tej politologu.

Tahiri ka theksuar se iniciativat e tilla të Serbisë, mund të parandalohen përmes seriozitetit karshi komunitetit ndërkombëtar dhe poashtu edhe përmes zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosova këto iniciativa të dëmshme që vijnë nga Serbia, mund t’i parandalojë duke treguar më shumë seriozitet karshi komunitetit ndërkombëtar, duke krijuar një shtet të mirëfilltë ku barazia, ligji dhe rendi sundojnë funksionalisht dhe jo vetëm në letër. Gjithashtu duhet dhënë fund disa aventurave të dëmshme për nevoja të brendshme të skenës politike, si ajo e demarkacionit më Malin e zi. Përndryshe të rikujtojmë se, Kosova tanimë ka bërë kompromiset e saj kur me 2008 shpalli pavarësinë e saj në formën çfarë është. Kompromiset e Kosovës janë gatishmëria për të pranuar një sistem politik-kushtetues çfarë është tani në fuqi, duke i hequr vendit atribute të rëndësishme të cilat ishin aspiratë legjitime e popullit të Kosovës. Janë krijuar mekanizma të shumtë brenda sistemit-politik kushtetues të cilat favorizojnë joproporcionalisht peshën politike të komuniteteve joshqiptare, kurse kushtetuta aktuale nuk e përcakton Kosovës si shtet të popullit shqiptarë, ashtu siç e përcaktonte kushtetuta e shpallur me 1990, gjë që ishte aspirata baza e gjithë rezistencës deri në çlirimin e vendit”, ka përfunduar politologu Mentor Tahiri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat