Profesori i sigurisë jep alarmin, 350 mijë armë në duar të qytetarëve, ja si të veprohet

Politika

Profesori i sigurisë jep alarmin, 350 mijë armë në duar të qytetarëve, ja si të veprohet

Nga: Naile Ejupi Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 23:31
Armet

Një sasi e konsiderueshme e armatimit është gjetur sot në fshatin Verbovc.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orë 13:20, ata kanë arritur në vendin e ngjarjes nga ku edhe është raportuar se bëhet fjalë për një sasi të madhe të armatimit.

“Gulinov, pushkëmitroloz, municion i gulinovit, predha të mortjave të dorës, zolla, arka e disa lloje të tjera. Ky armatim është në mes të fshatrave Verbovc dhe Shtuticë, në komunën e Drenasit”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Njësia Policore ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, dhe njësitë e specializuara janë në pritje për deminimin pasi që predhat dhe mjetet tjera shpërthyese mund të paraqesin rrezik të ndonjë shpërthimi eventual.

Lidhur me sasinë e madhe të armëve të gjetur, ka folur profesori i sigurisë, Avni Islami i cili thotë se duhet gjetur një formë që qytetarët t’i dorëzojnë armët.

Sipas tij, pothuajse të gjithë vendet të dala nga lufta kanë fenomenin që qytetarët të mbajnë armë pa leje.

“Sasia e armëve e cila gjenden në duart e popullatës është shumë e madhe , konsiderohen se janë diku rreth 350.000 armë , e që shumica e tyre janë pa leje përkatëse apo thënë më mirë, janë ilegale. Ky problem nuk është vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit sepse kur llogariten për kokë banori Kosova del të jetë, pra sikurse vendet e tjera. Vendet e dala nga lufta kështu përballen me këtë fenomen, por ne duhet që sa më parë të gjejmë mënyrën  që të dorëzohen këto armë, duhet gjetur metodë që të stimulohen qytetarët”, ka pohuar Islami.

Image
Avni Islami

Ai ka treguar edhe mënyrën që mund ta bëjë shteti që të mos kenë qytetarët armë pa leje, e kjo sipas tij, është të legalizohen armët, përveç asaj luftarake.

Sipas Islamit, qytetarët janë të vetëdijshëm për rrezikun e armëve,  por shteti duhet t’i menaxhojë ato apo t’i asgjësojë.

“Një metodë është p.sh. shteti ta mundësojë legalizimin e armës që është e lejuar, e nëse arma është luftarake ajo t’i kompenzohet në një formë, e kjo mund të jetë e realizueshme me ndihmën e BE-së ngase është e kushtueshme. Përndryshe, këto armë edhe pse janë në duart e civilëve, ato nuk janë të ekspozuar ashtu sa do të mund të bënin, pra edhe qytetarët janë të vetëdijshëm për rrezikun e tyre, prandaj ato  ruajnë dhe konservohen mirë. Pra, ideja është që ato armë të menaxhohen ose asgjësohen nga shteti i Kosovës”, ka përfunduar Islami.

Sipas statistikave të MPB-së, janë rreth 260 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve të Kosovës.

Policia e Kosovës vetëm për këta gjashtë muajt e parë të vitit ka arritur të sekuestrojë 553 armë ilegale të cilat kanë qenë nëpër shtëpitë dhe në duart e qytetarëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat