Kushtet që duhet të plotësohen që Demarkacioni të shkojë në Arbitrazh

Politika

Kushtet që duhet të plotësohen që Demarkacioni të shkojë në Arbitrazh

Nga: Bota sot Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 09:20
Kufiri Kosovë-Mal i Zi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, çdo ditë e më shumë po përmend idenë që Demarkacioni me Malin e Zi të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit.

Por lidhur me këtë, specializanti i fushës së arbitrazhit në Universitetin e Georgetown në SHBA, Visar Ramaj thotë se karakteristikë kryesor e arbitrazhit është pajtimi i të dyja palëve.

“Arbitrazhi paraqet metodë alternative të zgjidhjes se kontesteve, e cila si karakteristike kryesore e ka pajtimin e palëve që vendimi i arbitrazhit për kontestin e tyre të jetë përfundimtar dhe i detyrueshëm për palët”, thotë Ramaj për “Bota sot”.

Image
Visar Ramaj

Ai thotë se natyra juridike e arbitrazhit kërkon plotësimin e tri parakushteve: ekzistimin e një kontesti,  pajtimin me shkrim të palëve për zgjidhjen e kontestit me shkrim dhe zbatimin e vendimit të arbitrazhit si përfundimtar dhe të detyrueshëm, pa mundësi të ankesës.

Sipas tij, në rastin e Kosovës dhe Malit te Zi në lidhje me përcaktimin e vijës kufitare asnjë prej kushteve as nuk plotësohet, dhe është vështirë të pranohet nga Mali i Zi.

“Fillimisht, nga aspekti juridik nuk kemi kontest. Në mes të Kosovës dhe Malit të Zi ka një Marrëveshje për Demarkacion të nënshkruar, e cila është ratifikuar në Parlamentin e Malit te Zi dhe pretë ratifikimin në Parlamentin e Kosovës. Ne një situatë të tillë nuk ka kontest në raportet Kosovë - Mali i Zi, por kjo është diskutim i brendshëm i Kosovës. Për më tepër, edhe nëse nuk do të votohej në Kuvendin e Kosovës, ende nuk janë definuar pretendimet e Kosovës, nëse ato janë sa i përket metodologjisë (kufijtë kadastral apo kontrolli efektiv) apo nëse kemi pretendime për gabime sa i përket metodologjisë së  përzgjedhur”, thotë Ramaj.

“Se dyti, parakusht kryesor për arbitrazh është një marrëveshje me shkrim në mes të dyja palëve në lidhje me arbitrazhin. Në një marrëveshje të tillë palët duhet pajtuar se Vendimi i arbitrazhit do jetë përfundimtar, duhet përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes arbitrave (gjyqtarëve), vendin e arbitrazhit dhe institucionin, gjuhën dhe ligjin e aplikueshëm”, është shprehur Ramaj.

Sipas tij, për të qenë i vlefshëm arbitrazhi, një marrëveshje e tillë duhet të jetë me shkrim dhe e nënshkruar nga dy palët.

“Së treti, vendimi i cili del nga një procedure e tillë është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, shtoi Ramaj.

Ndryshe, Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015, por ajo nuk arriti të miratohet në Kuvend pas kundërshtimit të fuqishëm nga ana e partive opozitare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat