Dënimi tronditës dhe hetimi ndërkombëtar për “Grupin Kumanova”, si mund të veprohet?

Politika

Dënimi tronditës dhe hetimi ndërkombëtar për “Grupin Kumanova”, si mund të veprohet?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 nëntor 2017 Në ora: 11:44
Pamje nga gjykimi i Grupit të Kumanovës

Të enjten Gjykata Themelore e Shkupit u shqiptoi dënimin prej 746 vjet shtetasëve të Kosovës, të njohur si “Grupi i Kumanovës”, ku 7 prej tyre u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa u liruan katër të tjerë.

Pas këtij vendimi familjarët dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe janë mbajtur edhe protesta në disa qytete të Kosovës, si dhe në qytete të Maqedonisë.

Në këto procese është kërkuar që drejtësia të vihet në vend, e ku si zgjidhje është kërkuar të bëhet një hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.

Mungon besimi në gjyqësor

Lidhur me këtë, politologu nga Maqedonia, Xhensur Iseni, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se dënimi nuk ka pasur të bëjë fare me gjendjen faktike dhe se autoritetet qeveritare nuk i besojnë gjyqësorit derisa kërkojnë hetim ndërkombëtar.

“Meqenëse nuk është e lehtë të prejudikoj mbi këtë rast mjaft të ndjeshëm për mua si shqiptar i Maqedonisë, unë dua të potencoj një fenomen negativ të gjyqësorit në Republikën e Maqedonisë që gjithmonë për shqiptarët që jetojnë këtu nuk kanë pasur besim në këtë gjyqësor. Pra reformimi i tij do të ishte një sinjal që proceset gjyqësore mund të gjykoheshin në mënyrë më objektive dhe racionale. Pyetja tani që duhet bërë është kualifikimi i veprës, a duhej kështu të kualifikohej vepra apo jo? D.m.th e dimë se të dënuarit janë akuzuar për vepër "terroriste" dhe duke u bazuar këtu edhe ligjet ndërkombëtare për vepra të tilla parashohin "dënim të përjetshëm" si dhe dënime tjera drakonike. Por dënimi i djeshëm nuk kishte të bëjë fare me gjendjen faktike. Me vet faktin që edhe Ministri i MPB-së kërkon hetim ndërkombëtar, me automatizëm mund të thuhet se edhe vet autoritetet qeveritare nuk i besojnë këtij gjyqësori”, është shprehur ai.

Sipas Isenit, do të duhej të dënoheshin personat që urdhëruan këtë projekt.

“Personalisht nëse dje u dënuan maksimalisht pjesëtarët e grupit të Kumanovës, bashkë me ta do duhet të dënoheshin edhe URDHËDHËNËSIT e këtij projekti. Por fatkeqësisht gjatë proceseve gjyqësore edhe pse të akuzuarit kanë kërkuar që të jenë prezent edhe disa pjesëtarë të qeverisë së kaluar, prokuroria dhe gjykata nuk i kanë pranuar kërkesat në fjalë”, ka thënë politologu Iseni.

Të bëhet hetimi ndërkombëtar

Ndërsa, sa i përket asaj se a do të duhej të bëhej hetim ndërkombëtar për këtë rast, ai mendon se duhet të bëhet, që të zbulohet e vërteta e këtij rasti.

“Po realisht kjo do të rriste besueshmërinë, transparencën, dhe marrjen e të gjitha dëshmive në konsideratë me seriozitet të madh, sepse duke dëgjuar avokatët mbrojtës, hedhin dyshime të shumta që të gjitha dëshmitë nuk janë analizuar në mënyrë të drejtë. Nëse autoritetet maqedonase, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme dëshirojnë të pastrojnë këtë punë, të zbulohet e vërteta, duhet të organizojnë hetim ndërkombëtar. Hetim ndërkombëtar ku do të promovojnë edhe vet autoritetet shtetërore, dhe këto nuk bëhen vetëm me fjalë, kjo duhet të organizohet. Hetimi ndërkombëtar duhet të ndihmojë në krijimin e provave që do ta zbardhnin rastin dhe provat që do të dalin nga ky hetim do të duhet të përcillen në gjykatë qoftë nga pala mbrojtëse qoftë nga prokuroria dhe gjykata duke i pasur parasysh ato prova duhet të zhvillojë procesin dhe të sjellë një vendim në bazë të vërtetës materiale. Çdo vendim i sjellë nga gjykata pa e kristalizuar mirë të vërtetën me gjendjen faktike, vendimi nuk mund të jetë i drejtë”, ka deklaruar Xhensur Iseni për “Bota sot”.

Tronditës dënimi i “Grupit Kumanova”

Image
Adrian Gjoshi

Në anën tjetër, avokati Adrian Gjoshi e ka quajtur tronditës dënimin për “Grupin e Kumanovës”.

“Edhe pse nuk jam i njohur me të gjitha faktet e rastit Kumanova, bazuar në jurisprudencën penale lokale dhe ndërkombëtare, aktgjykimi në rastin Kumanova është drakonik dhe tronditës. Dënimet me burgim të përjetshëm dhe dënimet me burgim afatgjatë ka kohë që praktikohen vetëm në raste të rralla. Po ta shohim edhe në aspektin e të drejtës ndërkombëtare penale, dënimet e tilla, sidomos dënimi me burgim të përjetshëm, aplikohen në raste përjashtuese”, është shprehur ai.

Ndërsa, në lidhje me hetimin ndërkombëtar, Gjoshi ka thënë për “Bota sot” se nuk mund të bëhet, por ai tregon si duhet të veprojnë avokatët e këtij rasti.

“Sa i përket mundësisë që hetimi dhe gjykimi të kryhet nga ndërkombëtarët, mendoj se një mundësi e tillë nuk ekziston. Kështu, sepse në Maqedoni nuk ka prani ndërkombëtare në sistemin gjyqësor siç ka në Kosovë. Ajo çka duhet vepruar është se, avokatët duhet të apelojnë vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, duke u thirrur në shkeljet që ata mendojnë që kanë ndodhur. Presioni publik dhe mediatik shpesh ka rol pozitiv, dhe shërben si një mbikëqyrje publike ndaj sistemit të drejtësisë”, ka deklaruar avokati Gjoshi.

Vendim politik

Image
Islam Krasniqi

E analisti Islam Krasniqi vendimin për rastin Kumanova e quan politik dhe që sipas tij u tregua se sa mizorë janë maqedonasit ndaj shqiptarëve.

“Ky vendim është politik, i cili më së paku ka të bëjë me drejtësinë, ku çlirimtarët privohen nga e drejta e lirisë, ku një pjesë e grupit janë privuar edhe nga e drejta e jetës, pas dorëzimit të tyre në organet e sigurisë së shtetit maqedonas. Ky vendim është në kundërshtim më Konventën Evropiane për mbrojtjen e Lirive dhe të drejtat të njeriut, Konventa që cilat mbron dhe garanton jetën e të burgosurit politik, por edhe të zënëve rob në luftë. Një vendim i tillë nuk është pritur, mirëpo sllavo maqedonasit edhe një herë treguan së sa mizorë janë ndaj shqiptarëve, si e ndajnë drejtësinë për popullin shqiptar, ku përmes agjentëve të tyre i futën në kurth, për t’i privuar nga e drejta e lirisë”, është shprehur ai.

Ai thotë se qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kërkojnë që rasti të shkojë në hetim ndërkombëtar, që të zbardhet e vërteta.

“Qeveria e Kosovës së bashku më qeverinë e Shqipërisë duhet t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe të kërkojnë që rasti i tyre të dërgohet në ndonjë gjykatë ndërkombëtare e cila do të ndante drejtësinë dhe do të mund të nxirrte të vërteten në dritë, duke mos i harruar edhe të vrarët e grupit në burg pasi u dorëzuan. Populli shqiptar do të duhej të organizohej me protesta paqësore në të gjitha vendet e botës ku do që jetojnë, për t’i treguar botës së ende ekzistojnë diskriminime ndajë popullit shqiptar, që edhe bota ta merr çështjen e tyre më prioritet që t’i japë fund ndaj gjithë këtyre padrejtësive”, ka theksuar Islami për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat