Deputeti i VV-së i kundërpërgjigjet Thaçit: Po luan lojë primitive

Politika

Deputeti i VV-së i kundërpërgjigjet Thaçit: Po luan lojë primitive

Nga: Arbnore Zhushi Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 15:43
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Pas akuzave ndaj bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht Bashkimit Evropian, për Gjykatën Speciale e Demarkacionin, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka hapur një front të ri.

Ai sot përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka hedhur akuza edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, për çështjen e Demarkacionit, duke thënë se institucionet e vendit po vazhdojnë të jenë peng i trillimeve të disa individëve apo ndonjë grupi të caktuar politik.

Presidenti ka thënë se janë qytetarët e vendit ata të cilët pësojnë nga mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, derisa ka shtuar se kjo rrezikon edhe marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me miqtë ndërkombëtar.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, ka shkruar Thaçi.

Në lidhje me këtë deklaratë të presidentit, ka komentuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, akuzat e Thaçit i ka quajtur lojë primitive, duke thënë se ato nuk kanë përmbajtje.

Image
Sami Kurteshi

Sipas tij, përmbajtja e vetme është mbijetesa politike e presidentit dhe mashtrimi i popullit.

“Mendoj se vërtetë në krejt këtë lojë, që nuk është as politike, por primitive, është problem me u merr me të... është sikur me marr një guri në bunar, e krejt bota duhet me u përpjek me e nxjerr atë prej aty. Nuk ka kurrfarë përmbajtje, përmbajtja e vetme është mbijetesa e tij politike edhe ndonjë ditë dhe mashtrimi i popullit të Kosovës si shumë e shumë të tjerë. Sinqerisht nuk ka asgjë përmbajtjesore politike, përveç mashtrimit kriminal edhe të votuesve edhe të qytetarëve”, ka deklaruar deputeti Kurteshi në prononcimin për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat