“Lufta” e hapur mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt!

Politika

“Lufta” e hapur mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 nëntor 2017 Në ora: 16:26
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi po del të jetë një mollë sherri mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Tashmë ka filluar një luftë mes këtyre të dyve.

Përderisa kryeministri Haradinaj me të ardhur në pushtet, krijoi një komision të ri për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, presidenti Thaçi po tallet me këtë komision, dhe ka drejtuar kritika dhe akuza në drejtim të tij.

‘’Mund të formohen dhjetëra komisione te tilla, cka do të gjejnë ata, letra të reja, hije përronjësh, disa lugina të reja, kjo nuk është cështje mes profesorëve të katedrave por ëahtë cështje me pergjegjësi më të lartë’, ironizonte ditë më parë presidenti Thaçi me komisionin e Haradinajt.

Ndërsa, sot Thaçi ka vazhduar “luftën” më Qeverinë e cila udhëhiqet nga Haradinaj.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar. Ndërsa, në rast se institucionet tona shtetërore do të vazhdojnë të mbetën peng të trillimeve individuale apo qoftë edhe të një grupi politik të caktuar, atëherë sigurisht që pasojat për shtetin tonë mund të jenë edhe më të rënda. Nuk mund të mbetemi peng të tekave të askujt dhe kauzave të rrejshme, të cilat jo vetëm që na mbajnë të izoluar, por rrezikojnë të prishin marrëdhëniet shtetërore me Malin e Zi, por mbi të gjitha, rrezikojnë të prishin bashkëpunimin dhe besimin që ka Kosova me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ka shkruar Thaci, duke drejtuar direkt akuza në drejtim të Qeverisë Haradinaj dhe komisionit të themeluar nga kryeministri.

Krejt këto akuza të Thaçit në drejtim të komisioni për Demarkacion, erdhën pasi kryetari i komisionit, Shpejtim Bulliqi, gjatë ditës së djeshme deklaroi se kanë zbuluar fakte të reja se demarkimi i kufirit me Malin e Zi është bërë gabim.

“Ne atje patëm rastin të takohemi me disa institucione relevante dhe nga të cilat ne arritëm të sigurojmë disa materiale të cilat janë të vlefshme për punën tonë por janë të vlefshme edhe për procesin. Janë disa prej materialeve të cilat me kohë do ti bëjmë publike. Sigurisht që dëshmojmë se kemi humbur territor sepse arsyeja e shkuarjes sonë atje ishte kjo. Kemi pasë një lëvizje në terren atje, kemi parë disa pika, kemi qenë deri në pikën e Kullës  kemi lëvizë me organet e Policisë kufitar,. Kemi shqyrtuar disa nga pikat që kanë qenë me rendësi dhe të cilat na japin një rezultat praktik të asaj që ne kemi lexuar dhe përpunuar në aspektin profesional’, deklaroi Bulliqi.

Ndërsa, ende nuk ka asnjë reagim nga zyra e kryeministrit në lidhje me akuzat e Thaçit drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe komisionit për demarkacion.

Ditëve të fundit, krejt çka ka thënë Haradinaj sa i përket demarkacionit, është se këtë çështje synon ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Por, Haradinaj si duket ka harruar premtimet e tij, i cili pas marrjes së postit të kryeministrit premtonte liberalizim vizash brenda tremujorit të parë. E duke e ditur që komisioni i themeluar prej tij, ende nuk ka prezantuar asnjë raport, atëherë është e qartë, që edhe njëherë, si shumë herë tjera, Ramush Haradinaj po del një gënjeshtar dhe mashtrues para popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat