“Vetëvendosje të identifikojë vandalët që keqpërdorën protestën për Deharin”

Politika

“Vetëvendosje të identifikojë vandalët që keqpërdorën protestën për Deharin”

Nga: Naile Ejupi Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 22:27
Prinderit e Astrit Deharit

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është qëlluar dje me mjete të forta dhe me ngjyrë, gjatë mbajtjes së marshit protestues “Drejtësi për Astritin”.

Sipas njoftimit të Policisë, disa persona kanë shfaqur agresivitet të theksuar dhe sjellje të dhunshme dhe për pasojë janë shkaktuar dëmtime të theksuar në objektin e Qeverisë si thyerje xhamash dhe dëmtim dritaresh me ngjyrë.

“Për të neutralizuar veprime të tilla të dhunshme Policia ka paralajmëruar dhe ka urdhëruar të tillët që të ndalojnë veprimet agresive, mirëpo përkundër kësaj të njëjtit kanë vazhduar duke mos iu bindur urdhrave të Policisë si dhe duke vazhduar edhe më tej me veprime të tilla të dhunshme”, thekson Policia.

Për veprime dhe sjellje të tilla, policia ka shoqëruar për në stacionin policor dy persona të dyshuar dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë hetimore.

“Përveç dëmeve materiale persona të lënduar nuk ka pasur”, thekson Policia në Komunikatë.

Përkundër që aksioni i personave ka ndodhur gjatë kohës së marshit të partisë së tyre, Vetëvendosja ka mohuar se ky sulm është bërë nga aktivistët e saj.

“Lëvizja Vetëvendosje distancohet nga ngjyra e hedhur drejt ndërtesës së Qeverisë. Këto veprime nuk kanë qenë pjesë e agjendës organizative dhe janë njëkohësisht të papranueshme”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes, në të cilën përshkruhet ecuria e marshit protestues për Astrit Deharin, me rastin e një vjetorit të vdekjes së tij, në rrethana ende të pasqaruara përfundimisht.

“Bota sot” ka kontaktuar me zyrtarin e VV-së për medie lidhur me dyshimet e tyre se kush mund të fshihet prapa sulmit të ndërtesës dhe nëse ky gjest do të ndikojë në fushatën e tyre, mirëpo, ai nuk ka dashur të komentojë më tepër.

Image
Shkodran Hoti

“E kemi dhënë përgjigjen në komunikatë. S’kemi për të shtuar më shumë”, është shprehur shkurtimisht, zëdhënësi për medie në selinë e Vetëvendosjes, Shkodran Hoti.

Ndërsa, analistët politikë duke komentuar sulmin e objektit qeveritar, shprehen se Vetëvendosja është dashur të ndërmarr masat e kontrollimit të gjendjes.

Analisti politik, Skënder Zogaj, ka thënë për “Bota sot” se përgjegjësia për pengimin e veprimeve keqbërëse i takon Vetëvendosjes.

Sipas tij, aktivistëve të Vetëvendosjes u ka takuar të identifikojnë dhe t’i pengojnë vandalët që kanë keqpërdorur qëllimin fisnik të protestës për zbardhjen e rastit të vdekjes së Astrit Deharit.

Image
Skender Zogaj

“Pavarësisht se kush e ka sulmuar objektin e Qeverisë së Kosovës, përgjegjësia i takon Vetëvendosjes, sepse ajo ka qenë organizatorja e protestës dhe është dashur që të ndërmarrë të gjitha masat e kontrollimit të gjendjes dhe të pengimit të veprimeve keqbërëse të individëve të caktuar që mund të jenë infiltruar brenda protestuesve! Aktivistëve të Vetëvendosjes u ka takuar të identifikojnë dhe t'i pengojnë vandalët që e kanë keqpërdorur qëllimin fisnik të protestës për zbardhjen e rastit të vdekjes se Astrit Deharit. Vetëvendosja nuk mund të shfajësohet, aq më pak kur karakteristika shqyese e identitetit të saj është prishja e rendit dhe qetësisë publike dhe ataku ndaj pronës dhe personave zyrtar të Qeverisë së Kosovës. Ky pasion për fat të keq u shpreh prapë dhe kjo do të shkojë në dëm të VV-së edhe sa i përketë fushatës”, ka theksuar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat