Sondazhet ndërkombëtare tregojnë për ripozicionim të partive politike

Politika

Sondazhet ndërkombëtare tregojnë për ripozicionim të partive politike

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 7 nëntor 2017 Në ora: 08:02
LDK, fushata

Zgjedhjet e balotazhit do të sjellin një ripozicionim të ri të subjekteve politike të përfaqësuara edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin se në këto zgjedhje bëhet fjalë për një betejë politikë për komunat më të mëdha në vend.

Në raundin e parë të zgjedhjeve Lidhja Demokratikë e Kosovës doli partia më e madhe, pasi që ajo fitoi katër komuna.

Kurse, në zgjedhjet e balotazhit rritje e më tejshme e LDK-së dhe e Vetëvendosjes në disa komuna rrezikon edhe rënien e qeverisë Haradinaj.

“Sa i përket verdiktit të sovranit, në zgjedhjet lokale u pa një disponim tjetër ndaj partive politike, që reflektoi me ndryshimin e pozicioneve të subjekteve politike, ku më e favorizuara doli LDK-ja që sipas votave të fituara është partia kryesore e vendit! thotë për “Bota sot” publicisti Skender Zogaj.

Sipas tij, ky fakt është domethënës i jep të drejtë LDK-së që të manifestoj zëdhënie më të fortë në skenën politike edhe në nivel qendror.

Image
Skender Zogaj

“Ngritja e mocionit për mosbesim kundër Qeverisë është e drejtë legjitime e demokracisë së plotë. Edhe kalkulimet me partitë e tjera opozitare janë të lejueshme, por, unë mendoj se, LDK-ja duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj "flirteve" të mundshme të individëve që janë të gatshëm ta shesin interesin e partisë dhe të vendit për qëllime përfitimesh personale”, tha ai.

Sipas tij, qeveria duhet të rrëzohet vetëm atëherë kur janë gjasat të krijohet qeveri më e mirë!

Balotazhi sjell ripozicionim të partive politike

Analisti Jeton Kelmendi thotë kanë krijuar dilemat dhe dyshimet e subjekteve politike.

“Në këto zgjedhje të balotazhit, janë krijuar dy blloqe nëpër komuna. Kemi për shembull, Prishtinën në balotazh në mes së Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në, në Prizren PDK-në me Vetëvendosjen, në Gjilani, LDK-në me Vetëvendosjen ose në Kamenicë, LDK-në me Vetëvendosjen”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

“Me votat popullore, LDK është partia e parë, PDK është e dyta, Vetëvendosje e tretë dhe AAK është e katërta. Por, zgjedhjet e balotazhit mund të sjellin ndryshime. Varësisht se kush mund ta marr Prizrenin në qoftë se PDK-ja do të mund të marr Prizrenin, Ferizajn dhe Mitrovicën, atëherë mund ta kthej primatin e partisë që qeverisë komuna të mëdha në nivel vendi”, tha më tej ai.

Për Kelmendin Vetëvendosja mbetet në një pikë që duhet analizuar.

“Por në qoftë se LDK e kthen Prishtinë dhe arrin ta mbajë Ferizajn bindshëm arrin të jetë partia e parë në Kosovë, por në qoftë se Vetëvendosje arrin ta fitoj Prishtinën edhe një mandat, ta fitoj Prizrenin, ta marr Kamenicën dhe eventualisht Gjilanin, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do të jetë subjekti i cili qeverisë komuna të mëdha”.

Vetëvendosje nuk e përkrah mocionin nëse ajo nuk fiton komuna

Kelmendi thotë se Lëvizja Vetëvendosje mund ta përkrah LDK-në në mocionin e saj për rënien e qeverisë, nëse ajo fiton dy ose tri komuna në balotazhit.

“Jo që mendoj, po unë kam prova kur e them se LDK do të rikonfirmohet si subjekti më i madh politik në Vend. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë që të jetë subjekti i tretë politikë dhe nuk do të jetë e gatshme që ta rrëzoj qeverinë për faktin se kishim një rast kur LDK kërkoj mocion për ministrin Rikallo, por Lëvizja Vetëvendosje u dorëzua sepse e braktisi Kuvendin dhe u deklarua se është më e rëndësishme fushata se sa të merrej me një çështje jetik për një ministër që supozohet se mund të ketë kryer krime”, tha Kelmendi.

“Pra, në qoftë se LDK do ta marr Prishtinën dhe komunat e tjera të mëdha, atëherë Vetëvendosje do të largohet nga LDK-ja. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të guxoj ta rrëzojë qeverinë, sepse në bazë të sondazheve ndërkombëtare që janë të vërteta dhe që tregojnë se VV del partia e tretë. Përndryshe, Vetëvendosje nuk do të futet një aventurë që ta rrëzojë qeverinë ku nga 32 deputetë, mund të jetë në 20 apo 23 deputet. Kësisoj në qoftë se VV fiton Prishtinën dhe ndonjë komunë tjetër, atëherë gjasat për rrëzimin e qeverisë janë shumë të mëdha”, shtoi Kelmendi.

Mocioni realitet i pashmangshëm

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani thotë se mocioni për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj është i pashmangshëm.

“Kjo qeveri është e përkohshme dhe kalimtare. Por përshtypja ime është se s’ka asnjë fuqi e asnjë gjasë të qëndroje”, thotë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kosova është në një ngërç të fuqishëm që s’ka zgjidhje për tema qe rendojnë qytetarin.

“Mocioni është realitet i pashmangshëm dhe shpresojmë të paktën se deri në pranverë të mos ketë zgjedhje, se s’ka rrugëdalje tjetër”, shtoi Burjani.

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti thotë se më mirë është që kjo qeveri vet të jap dorëheqje.

“Gjithsesi është e qartë se kjo qeveri s’do të shkoj deri në fund të mandatit, andaj opozita duhet veproj mbi riorganizmin e vetë derisa të bëjnë që kjo qeveri të bjerë nga pushteti.

“Mendoj se është herët që të krijohet mocion ndaj kësaj qeverie, dhe me mire është qe kjo qeveri te vete rrëzohet”.

Sipas tij, vetë-rrëzimi i qeverisë do të ishte edhe në interes të opozitës.

“Kjo do i bënte mirë partive në opozitë, pasi para qytetarëve do dilnin qesharak edhe të paafte për të udhëhequr shtetin dhe opozita do të shihej nga ta si një opsion për qeverisje”.

Image
Faton Mehmeti

Nëse opozita në këtë kohë bën mocion dhe rrëzon këtë qeveri, ka mundësi qe t’i rikthehet në bumerang nga votuesit tek të cilët do perceptohen si shkatërrues dhe autor të komplotit . Me mire është që të vete rrëzohet kjo qeveri”, shtoi Mehmeti.

Në zgjedhjet Lokale votohet më shumë për individin se sa për partinë

Analisti Faton Mehmeti thotë se rritja ose rënia në zgjedhjet lokale nuk ka të njëjtin efekt në zgjedhjet qendrore.

“Mendoj se zgjedhjet nacionale dhe ato lokale dallojnë shumë. Është e pashpjegueshme që brenda dy muajve të ndryshojë rrënjësisht perceptimi i qytetarëve ndaj partive politike”, tha Mehmeti.

“Këto zgjedhje lokale duhet parë në këndvështrimin e ndryshimit të perceptimit të qytetarëve ndaj votës. Në këto zgjedhje qytetarët kanë votuar individin, jo partinë politike. Derisa në zgjedhjet qendrore kanë votuar partitë, në lokale individët”.

Sipas tij, nuk duhet parë fuqia politike nga ndonjë subjekt politik në rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat