Flet avokati i njohur për hapin e fundit nga Gjykata Speciale, tregon si do të funksionojnë avokatët

Politika

Flet avokati i njohur për hapin e fundit nga Gjykata Speciale, tregon si do të funksionojnë avokatët

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 7 nëntor 2017 Në ora: 16:29
Avokati i njohur Tomë Gashi

Avokati i njohur Tomë Gashi thotë se nxjerrja e direktivës nga ana e Gjykatës Speciale për pranimin e mbrojtësve, tregon se ky institucionin është shumë afër funksionalizimit që do të pasojë me ngritjen e aktakuzave ndaj personave të dyshuar.

“Sigurisht që pas nxjerrjes së Ligjit për Gjykatën Speciale që nga muaji gusht i vitit 2015, tani më është shumë afër funksionalizimi i tërësishëm i Gjykatës Speciale dhe kjo është duke u përmbyllur me nxjerrjen e udhëzuesit për regjistrimin e avokatëve mbrojtës, si dhe të avokatëve të viktimave pranë kësaj Gjykate”, Gashi për “Bota sot”. 

Sipas tij, risia në këtë vendim qëndron në atë që mund të aplikojnë që të regjistrohen pa pasur klientë.

“Risia e regjistrimit të avokatëve në këtë Gjykatë është se, avokatet mund të aplikojnë që të regjistrohen këtu edhe pa pasur klientë, gjë që i bie se, më të gjitha punët e regjistrimit do të merret Sekretaria e Gjykatës Speciale dhe janë një mori çështjesh teknike të cilat do të zgjidhen pas fillimit të gjykimeve, një prej tyre është se kush do t’i paguaj avokatët”, tha ai. 

Ai thotë se pavarësisht kësaj, të akuzuarit kanë të drejtë që t’i angazhojnë edhe avokatë që ata vetë i përzgjedhin

“Zyra e regjistrimit-sekretaria apo klientët, varësisht se a kanë klientët mundësi financiare për të paguar avokatët apo jo. Si do që të jetë secili i akuzuar në Gjykatën Speciale do të ketë mundësi që të angazhoj avokat sipas përzgjedhjes së tij personale nëse ka mundësi pagese, apo ata do t’i caktohen zyrtarisht nga Sekretaria e Gjykatës Speciale”, shtoi Gashi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat