“Serbia do ta njohë Kosovën, pastaj nisin bisedimet për Plavën, Gucinë e Preshevën”

Politika

“Serbia do ta njohë Kosovën, pastaj nisin bisedimet për Plavën, Gucinë e Preshevën”

Nga: Naile Ejupi Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 16:53
Rama dhe Vuçiq

Takimet në mes të presidentit shqiptar, Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq janë shpeshtuar kohëve të fundit, mirëpo se çfarë diskutohet në mes tyre shumë pak tregohet.

Dje është raportuar në media se Vuçiq është duke biseduar për problemin e Kosovës që ta zgjidhin me një kompromis që do t’i paraprijë kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportimeve në media, Vuçiq është duke përgatitur një zgjidhje anakronike për kohën e sotme, që në një mënyrë të kthehet në parimin etnik, që tri komunat e pjesës veriore të Kosovës të kalojnë në territorin serb dhe për këtë Serbia duhet të lëshojë pe, që eventualisht Presheva të kalojë në territorin e Kosovës.

Duke komentuar këtë, analistët shqiptarë kanë pohuar se takimet e shpeshta të Ramës me Vuçiqin janë që të bëhet një fqinjësi e mirë në mes Kosovës, Serbisë e Shqipërisë.

Analisti Ilir Vata, thotë se Serbia së shpejti do ta njohë Kosovën dhe debatet për fqinjësi janë pas humbjes së madhe të shqiptarëve në territore.

Sipas Vatës, pas njohjes, duhet diskutuar për Plavën dhe Gucin dhe Preshevën..

“Çështja e fqinjësisë së mirë është një nga kushtet e BE-së për t’u anëtarësuar vendet e reja dhe kryesisht ato të Ballkanit dhe Serbia është përballë këtij presioni, por më parë Serbisë i duhet ta njohë Kosovën si shtet dhe pastaj të hyjë në negociata për një vijë të kufirit.. Parë në këtë këndvështrim, Serbia së shpejti do ta njohë Kosovën, sepse qëndrimi i saj as në lindje, as në perëndim dëmton interesat e Serbisë në Bashkimin Evropian, madje dhe të rajonit. Kosova tashmë është shtet i pavarur, madje dhe vetë politika serbe e pranon këtë në një farë mënyre dhe do të jetë çështje kohë pranimi i këtij realiteti të ri në rajon. Pas njohjes së Kosovës, Serbisë do t'i duhet që përveç bisedimeve të shtojë në agjendë dhe vijën kufitare, që në fakt ende ka territore shqiptare jashtë Kosovës siç është Pllava dhe Gucia, pjesa e Preshevës etj. Pra, çdo debat për kufijtë shqiptarë, fqinjët janë të humbur, sepse padrejtësia e ndarjeve të kufijve në vitin 1913, ka bërë që trevat shqiptare të jenë të ndara në mënyrë të padrejtë”, ka pohuar Vata.

Image
Ilir Vata

Sipas tij, askush nuk mund të vendos për kufijtë e Kosovës përveç institucionet e saj legjitime.

“Askush nuk mund të vendos për kufijtë e Kosovës vetëm institucionet e saj legjitime, parlamenti, pra qytetarët e Kosovës. Në këtë kuptim edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vepron si një shqiptar. Në këtë kontekst, deklarata e kryeministrit Rama është në vijim të përpjekjeve të tij për një klimë paqeje mes Serbisë dhe Kosovës dhe në këtë drejtim ka një farë kontributi roli i tij dhe i Shqipërisë. Fokusi është i qartë tashmë përcaktimi i vijës së vijimësisë është përcaktuar nga ndërkombëtarët për Kosovën”, ka theksuar Vata.

Sipas Vatës, takimet e Ramës me Vuçiqin janë për një klimë më të butë dhe kësisoj nuk duhet shikuar nëse është çështje e Kosovës apo e Shqipërisë.

“Sa i përket takimeve të shpeshta të kryeministrit Rama me Vuçiqin, ato vazhdojnë të jenë për një  klimë të butë marrëdhëniesh mes Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, pra për një qasje të re marrëdhëniesh mes shqiptarëve dhe serbëve në tërësi. Nuk mund të ndahen gjërat se kjo çështje është e Kosovës dhe nuk është e Shqipërisë, pasi çështjet e mëdha u përkasin shqiptarëve, dhe në çështjet kombëtare si Shqiptari në Vlorë dhe si ai në Mitrovicë”, ka përfunduar Vata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat