“Loja e dytë nga presidenti, Thaçi e Veseli mund ta shkarkojnë Haradinajn”

Politika

“Loja e dytë nga presidenti, Thaçi e Veseli mund ta shkarkojnë Haradinajn”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 nëntor 2017 Në ora: 21:01
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë i ka quajtur të rrezikshme përpjekjet për të kundërshtuar atë që është përkrahur nga SHBA, NATO dhe BE në lidhje me demarkacionin.

Ai ka vazhduar sërish deklaratat në lidhje me këtë çështje, derisa ka thënë se komisioni aktual për këtë çështje po manipulon me opinion publik duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta.

Ai përmes llogarisë së tij në Facebook ka thënë se duke e zvarritur këtë çështje, qeveria po e mban të izoluar vendin.

Lidhur me këtë profesori Jeton Kelmendi thotë se këta po luajnë një lojë që nuk i bën aspak nder vendit.

“Ajo që kemi parë pra me deklaratat, duke u gjuajtur njëri me tjetrin, presidenti dhe kryeministri, njerëzit kryesorë të shtetit, mendoj se është një lojë ping pongu në mes të këtyre dyve që sigurisht nuk i bën nder vendit. Këta po tregojnë se sa e çrregullt është kasta politike, se sa e brishtë është funksionimi demokratik në këtë vend. Realisht, sipas informatave të mia, ky grupi i ri për demarkacionin, ka siguruar edhe dokumente shtesë që janë të padiskutueshme se demarkacioni është bërë në dëm të Kosovës”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Sipas Kelmendit, presidenti po e bën këtë lojë që ta shpëtojë atë që ka bërë kur ka nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin.

“Këtu kemi një lojë të dytë nga presidenti Thaçi i cili po tenton me çdo kusht ta shpëtojë veprën e tij të zezë që e ka bërë kundër shqiptarëve dhe se demarkacioni nuk është çështje politike por tragjikisht siç ka ndodhur është bërë politike, këto janë çështje kombëtare, janë çështje që i kalojnë përmasat e Kosovës, janë çështje që duhet të jenë mbarëkombëtare. Dhe këtu, një frikë në palcë e presidentit se mos po rritet pakënaqësia, ajo idema edhe e deputetëve, madje e kemi edhe çështjen e vizave që as ajo nuk i funksionoi ish qeverisë Mustafa, si vazhdues i asaj maskarade që bëri Thaçi si ministër i jashtëm dhe tani kemi si duket një këmbëngulje jo të madhe të Haradinajt, për ta çuar çështjen deri në fund”, ka vazhduar më tej profesori.

Ai jep një zgjidhje se si do të duhej të veprohej me demarkacionin, derisa thotë se Thaçi e Veseli mund ta shkarkojnë Haradinajn.

“Dhe kjo çështje do të duhej të funksiononte shumë thjeshtë: të gjeturat e komisionit do të duhet të ju dërgohen deputetëve në Kuvend, tu dërgohen dhe më pas të marrë votën dështuese në Kuvend, prandaj PDK, Thaçi dhe Veseli do t’i hakmerren keq Haradinajt, do ta shkarkojnë, nuk do ta lënë ta vazhdojë më gjatë postin e kryeministrit, por kjo është gjëja më e thjeshtë, e dërgon në Kuvend dhe vetëm opozita e djeshme, pra VV, AAK dhe Nisma edhe pse jam i sigurt që ka edhe nga partia e Thaçit që e votojnë kundër, por natyrisht edhe nga LDK që do të votojnë kundër demarkacionit. Nëse vazhdon kështu dhe demarkacioni nuk dështon ose nuk ratifikohet, do të kemi presione siç kemi pasur. Në momentin që do të dështojë, çdo gjë do të kthjellohet dhe do të fillojë nga fillimi”, ka theksuar Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat