Loja e dyfishtë e Presidentit “Frika më e madhe e Thaçit është Gjykata Speciale”

Politika

Loja e dyfishtë e Presidentit “Frika më e madhe e Thaçit është Gjykata Speciale”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 nëntor 2017 Në ora: 10:50
Hashim Thaçi

Marrëveshja e Kosovës për Demarkimin e kufirit me Malin e Zi, është bërë mollë sherri mes presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Derisa ky i fundit, përmes Komisionit të ri Shtetëror, insiston që të dëshmojë se kufiri me Malin e Zi të mbetet në Kullë dhe Çakorr, presidenti mendon ndryshe.

Thaçi në një postim në Facebook, ka hedhur akuza edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, për çështjen e Demarkacionit, duke thënë se institucionet e vendit po vazhdojnë të jenë peng i trillimeve të disa individëve apo ndonjë grupi të caktuar politik.

Presidenti ka thënë se janë qytetarët e vendit ata të cilët pësojnë nga mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, derisa ka shtuar se kjo rrezikon edhe marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me miqtë ndërkombëtar.

“Zhurmëkotët e zakonshëm, të cilët për më shumë se dy vjet shkaktojnë konfuzion, jo më larg se dje, iu rikthyen zanatit të tyre. Ata përsëri arritën që me lehtësi, duke mos argumentuar asnjë pretendim amatoresk të zbuluar nga ta, të manipulojnë mediat dhe nëpërmjet tyre opinionin publik. Kështu, këta individë e ushqejnë sagën e tyre me trillime, të cilat plasohen tek opinion publik, i cili, si gjithmonë e pëson më së shumti jo vetëm për shkak se vazhdojnë të dëgjojnë të njëjtën zhurmë, por edhe sepse mungesa e përgjegjësisë shtetërore për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vazhdon t’i mbajë qytetarët dhe shtetin e Kosovës të izoluar”, ka shkruar Thaçi.

Image
Time Kadrijaj

AAK: Nuk kemi faj për Demarkacionin, nuk është momenti për akuza

Ndërkohë, në partinë e Haradinajt, thonë se Thaçi fajin për Demarkacion, duhet t’ia hedhë qeverisjes së kaluar, duke u arsyetuar se qeveria e re nuk ka shumë kohë që është formuar.

Duke komentuar deklaratën e presidentit Thaçi, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, ka thënë se Presidenca, Qeveria dhe institucionet tjera, duhet të punojnë bashkë që Kosova të jetë sa më shpejtë pjesë e BE-së.

“Për këtë duhet të akuzohet qeveria e kaluar, sepse kjo qeveri nuk ka shumë kohë prej se është formuar, do të thotë ende nuk i ka dy muaj nga formimi i saj. Po mendoj se të gjithë edhe presidenti, edhe qeveria, duhet të punojnë bashkarisht për të kontribuar për mbarëvajtjen e punës dhe të proceseve të vendit tonë, të jenë në shërbim të vendit që Kosova sa më shpejt të jetë pjesë e Evropës dhe të hyjë në BE. Edhe presidenca, edhe Qeveria, edhe Kuvendi, duhet bashkarisht në bashkëveprim, të veprojnë në mënyrën e kryerjes së detyrave që Kosova të arrit synimin drejt anëtarësimit në BE”, ka deklaruar deputetja Kadriu.

Sipas saj, nuk është momenti për akuzat ndërmjet Thaçit e të tjerëve, e as momenti për kërkimin e fajit nga një institucion në tjetrin.

“Nuk është momenti që me akuza qoftë në një drejtim apo në drejtimin e kundërt ose të kërkohet faj prej një institucioni në një institucion tjetër, prej një individi te një individ tjetër. Suksesi duhet të jetë i Kosovës dhe ne duhet të punojmë së bashku në të mirë të proceseve të Kosovës”, ka shtuar për gazetën deputetja e AAK-së.

Nga ana tjetër, opozita deklaratat e presidentit, i quan lojë primitive.

Image
Bajram Gecaj

LDK: Akuzat e Thaçit, të dëmshme për Kosovën

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë se konfrontimet e Thaçit me ndërkombëtarët, janë shumë të dëmshme për Kosovën. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se presidenti problemet duhet t’i zgjidh në tavolinë e jo përmes mediave.

“Hashim Thaçi me pas mundësi, më shumë do të bëjë për veten se sa për vendin dhe qytetarët. Unë këto konfrontimet e tij me komunitetin ndërkombëtar i shoh shumë të dëmshme për vendin. Nuk ka rëndësi se a janë të mira apo i sjellin ndonjë benefit presidentit, megjithatë konfrontimi i tij me bashkësinë ndërkombëtare si BE-në apo SHBA-të, i sjellin dëm vendit. Ne këta i kemi miq dhe këto çështje zgjidhen në tavolinë me takime të ndershme e jo përmes medias”, ka deklaruar Gecaj.

Image
Sami Kurteshi

Kurteshi: Lojë primitive e presidentit

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, akuzat e Thaçit ndaj ndërkombëtarëve i ka quajtur lojë primitive, duke thënë se ato nuk kanë përmbajtje.

Sipas tij, përmbajtja e vetme e akuzave të Thaçit, është mbijetesa politike e presidentit dhe mashtrimi i popullit.

“Mendoj se vërtetë në krejt këtë lojë, që nuk është as politike, por primitive, është problem me u merr me të... është sikur me marr një guri në bunar, e krejt bota duhet me u përpjek me e nxjerr atë prej aty. Nuk ka kurrfarë përmbajtje, përmbajtja e vetme është mbijetesa e tij politike edhe ndonjë ditë dhe mashtrimi i popullit të Kosovës si shumë e shumë të tjerë. Sinqerisht nuk ka asgjë përmbajtjesore politike, përveç mashtrimit kriminal edhe të votuesve edhe të qytetarëve”, ka deklaruar deputeti Kurteshi në prononcimin për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

“Akuzat e Thaçit ndaj Haradinajt, tregojnë pazotësi politike”

Edhe sipas njohësit të çështjeve ndërkombëtare, Jeton Kelmendi, deklaratat e presidentit, janë të dëmshme për vendin. Ai ka vlerësuar se akuzat ndaj miqve të Kosovës, tregojnë pazotësi nga ana e Thaçit, i cili siç ka thënë Kelmendi, “fajin e vet po tenton t’ua hedh të tjerëve”.

“Mendoj se deklaratat e presidentit Thaçi kundrejt shtëpisë evropiane, gjegjësisht miqve tanë, e herë ndaj bashkëpunëtorëve aleatë në qeverinë e tij, tregojnë se sa i paskrupullt është ky njeri. Ky Hashim i ka sjell të gjitha këto të zeza, nënshkrim të marrëveshjeve dhe marrëveshjet dhe dështimet e veta tani tenton t’ua hedh të tjerëve. Nëse BE ka ia ka premtuar këto konsensione kaq të dhimbshme, të cilat i ka bërë me vizat, dhe sërish nuk ia ka bërë, tregon se sa i pazoti, sa i ulët dhe çfarë pazaresh idioteske bën ky njeri”, është shprehur Kelmendi.

Ndërkaq, në lidhje me akuzat e Thaçit ndaj Haradinajt për demarkacionin, analisti ka thënë se ato tregojnë se sa i dobët është politikisht presidenti.

“Nga ana tjetër, duke akuzuar kryeministrin e vet se partia e tij e ka nxjerrë kryeministër, Ramush Haradinajn, sërish tregon se sa i dobët është politikisht, sepse kishte një shumicë mandatin e kaluar, që e krijoi vet prej 87 ulësesh në Kuvend dhe nuk mundi, si paska mundur që ky kryeministër atëherë me 9 deputetë e sot me 8 deputetë, po e pengon liberalizimin dhe nëse e pengon atëherë, pse e lejon aty ku është me 8 deputetë”, ka theksuar Jeton Kelmendi.

Sipas tij, Thaçi çdo herë ka shkaktuar probleme, në mënyrë që pastaj të jetë kryepersonazh i zgjidhjes së tyre.

“Thaçi është njeriu më pervers që ka Kosova dhe tentativa e fundit është që të krijojë amulli, sepse që nga ardhja e tij në skenën politike, qysh në fillim në UÇK, në LPK më parë, në qeveri dhe në institucione, ky gjithmonë ka krijuar tolllvi dhe kriza, sepse është mësuar t’i menaxhojë krizat, ose do të gjejë ai zgjidhjen, ose do ta fundos. Këtë e ka bërë edhe më herët kur krijonte problemet, në mënyrë që vet të ishte kryepersonazhi i zgjidhjes së problemeve. Kësaj radhe ky njeri po tenton ta prish Kosovën me aleatët perëndimor dhe herë duke u sharë do të dalë si zgjedhësi i konfliktit para marrëveshjeve të ndryshme, po tenton të na prish me BE-në edhe pse edhe ashtu jemi prishur, sepse BE-ja dhe politika e saj akoma nuk e kanë ftuar dhe nuk pritet një iniciativë e tillë”, është shprehur më tej Kelmendi.

Kelmendi: Thaçi të çohet në Kushtetuese

Ai ka vlerësuar se presidenti duhet të çohet në Gjykatën Kushtetuese dhe se ajo do të duhej ta shkarkonte. Sipas tij, frika më e madhe e Thaçit, është Gjykata Speciale.

“Ky njeri ka mision të djallit dhe djallëzia duhet t’i ndalet. Në kushte normale, ky duhet të çohet në Gjykatë Kushtetuese, ajo duhet ta thotë fjalën e vet, ta shkarkojë, t’i kthehet partisë ose çështjeve tjera, qeveria duhet të bie dhe të krijohen institucione të tjera e të lira dhe kësisoj nuk duhet të jemi robër të një robëri që iu ka futur frikën në palcë Gjykata Speciale dhe tani duke u frikësuar se po i bie bishti i tij, si dhelprës, po mendon se i ka faj gjithë bota. Jo, nëse ky ka problem, ky duhet t’i zgjedh problemet e veta në mënyrë personale jo ta fut Kosovën në ferr, siç e ka futur që nga fillimi i shfaqjes së tij në skenën politike”, ka përfunduar analisti Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat