Rreziku nga ndikimi rus, eksperti i sigurisë alarmon: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Politika

Rreziku nga ndikimi rus, eksperti i sigurisë alarmon: Të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 nëntor 2017 Në ora: 16:33
Vladimir Putin

Një studim i fundit i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë me titull “Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse?”, ka treguar se Kosova është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor dhe vlerave të tij demokratike, veçanërisht që nga viti 2008.

Hulumtimi i QKSS-së konstaton se shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake do të vazhdojnë të përdoren kundër karakterit multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen pretekste për një shtet të dështuar si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore.

Rezultatet e këtij hulumtimi i ka komentuar eksperti i çështjes së sigurisë Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Image
Hajrullah Ternava

Ai ka thënë se për këtë çështje, është e domosdoshme që të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, për të bërë analizat e nevojshme.

Ndonëse kryeministri Ramush Haradinaj, të premten e kaluar, ka kryesuar Këshillin e Sigurisë së Kosovës, në takimin e parë që prej krijimit të Qeverisë, nga kjo mbledhje nuk është bërë e ditur nëse temë e saj ishte edhe rreziku nga ndikimi rus.

Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka bërë vlerësimin e përgjithshëm të gjendjes së sigurisë në vend dhe ka diskutuar për sfidat në fushën e sigurisë në periudhën e ardhshme.

 “Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e interesuar që ta funksionalizojë në tërësi Këshillin e Sigurisë duke zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit me synim të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe teknike të Këshillit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, sipas ekspertit Tërnava, Këshilli i Sigurisë duhet të mblidhet sa herë që të jetë e nevojshme, e sidomos për çështjen e ndikimit të Rusisë në Kosovë.

“Çdo herë kur ka arsye në situata të ndryshme për vendin tonë, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, duhet të mblidhet dhe t’i bëjë analizat rreth situatave të krijuara, e nëse ka nevojë edhe shumë herë duhet të takohet ky Këshill, për qëllimet për të cilat është krijuar. Dhe nuk do të thotë që gjithsesi duhet t’i përmbahet Rregullores, që parasheh që ky Këshill të mblidhet deri në katër herë brenda vitit... nëse ka nevojë edhe më shumë herë duhet të mblidhet ky Këshill. Sidomos pas të gjeturave të hulumtimit nga QKSS-së për ndikimin rus në Kosovë, ky Këshill duhet të mblidhet dhe ta vlerësojë situatën e sigurisë në përgjithësi dhe të ndërmarr masat adekuate të momentit dhe të kohës për eliminimin e ndikimit rus në Kosovë”, ka thënë në prononcimin për gazetën “Bota sot”, Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat