Personazhet e aferës “Pronto 2”, pjesë e Qeverisë Haradinaj

Politika

Personazhet e aferës “Pronto 2”, pjesë e Qeverisë Haradinaj

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 10 nëntor 2017 Në ora: 14:00
Mbledhje e Qeverisë

Prokuroria Speciale e Kosovës kohë më parë kishte nisur hetime, pasi kishte prova të mjaftueshme për të dyshuarit e rastit “Pronto2”, ku të përfshirë ishin deputeti i PDK-së Adem Grabovci dhe disa zyrtarë tjerë të PDK-së si Ministri i Inovacionit dhe Ndermarrësisë Besim Beqaj dhe ish-kandidati për kryetar të Gjilanit Zenun Pajaziti.

Mirëpo, nuk ka ende asgjë zyrtare se deri ku kanë arritur hetimet dhe a pritet ngritja e ndonjë aktakuze.

Ehat Miftaraj nga “Instituti i Kosovës për Drejtësi”, duke komentuar në lidhje me këtë, ka thënë se informata e vetme për këtë rast, është aktvendimi për fillimin e hetimeve kundër disa personale, që lidhen me përgjimet e publikuara në media.

Image
Ehat Miftaraj

“Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoron të gjitha rastet e korrupsionit në Kosovë. Lidhur me çështjen Pronto që është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, informacioni i vetëm deri më tani është se është lëshuar Aktvendim për fillimin e hetimeve kundër vetëm prej disa personave, lidhur me përgjimet që ishin publikuar. Standardi lidhur me integritetin e një qeverie matet po ashtu edhe nga individët apo personat të cilët emërohen qoftë në pozitën e ministrit apo ndonjë pozitë tjetër që ndërlidhet me ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive publike”, ka thënë Miftaraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në rastin e personave të cilët kanë qenë pjesë e përgjimeve në rastin konkret, dhe të cilët sot janë në pozita ekzekutive, brenda sistemit gjyqësor apo prokurorial, afera “padyshim se ndikon në besimin e publikut në pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat