Kërkohet dorëheqja e Haradinajt, deputetët ta shkarkojnë Thaçin

Politika

Kërkohet dorëheqja e Haradinajt, deputetët ta shkarkojnë Thaçin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 mars 2018 Në ora: 20:07
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Opinionisti Nexhat Haziri, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pas zhvillimeve të fundit në vend.

Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke komentuar arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi, ka thënë se po shihet se Kosova po sundohet vetëm nga presidenti Hashim Thaçi.

Sipas tij, Haradinaj, është i pafuqishëm përballë veprimeve dhe personalitetit të presidentit Thaçi.

Image
Nexhat Haziri

“Tashmë shihet qartë se i vetmi person që sundon Kosovën, është presidenti Hashim Thaçi, dhe kjo u vërtetua edhe me ngjarjet në veri të Kosovës me rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit dhe së fundi edhe me arrestimin dhe deportimin e shtetasëve turq me leje qëndrimi të rregullt në Kosovë, e që njihen si gylenist. Për të gjitha këto veprime të presidentit Thaçi, kryeministri Haradinaj ai është njoftuar vetëm nga mediat, gjë që e bënë të jetë i pafuqishëm përballë veprimeve dhe personalitetit të presidentit Thaçi. Gati gati, në paraqitjet e tij në konferenca për shtyp, kryeministri Haradinaj të linte përshtypjen si të ishte zëdhënës i presidentit e lëre më kryeministër i vendit”, është shprehur Haziri.

Ai më tej ka theksuar se Haradinaj duhet të dorëhiqet, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet të fillojnë nismën për shkarkimin e presidentit Thaçi. Ky i fundit, sipas NexhatHazirit, po dëmton interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës.

“Në këto rrethana, aspak të favorshme për vendin pas zhvillimeve të fundit, është e udhës që kryeministri Haradinaj të japë dorëheqje pasi më atë se pyet askush për asgjë, ndërsa deputetët e Kuvendit të fillojnë nismën për shkarkimin e presidentit Thaçi, pasi me veprimet e tij, jo vetëm këto të fundit, por në vazhdimësi, si ajo e tentativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është duke e dëmtuar interesat e qytetarëve të vendit dhe të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik ku funksionon rendi dhe ligji”, ka shtuar për “Bota sot” Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat