Tahiri: E turpshme përfshirja e shërbimit sekret turk dhe deklarimi i liderëve të painformuar

Politika

Tahiri: E turpshme përfshirja e shërbimit sekret turk dhe deklarimi i liderëve të painformuar

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 mars 2018 Në ora: 13:12
Ramush Tahiri

Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq, drejtor dhe profesorë të kolegjit ‘Mehmet Akif’ nga Kosova për në Turqi ngjalli reagime të shumta.

Për këtë  krerët e vendit kanë kërkuar përgjegjësi nga AKI, Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme, derisa kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kërkuar lirimin e detyrës nga ministri Flamur Sefaj dhe drejtori i AKI-së, Driton Gashi.

Lidhur me gjithë këtë, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është turp dhe shkelje ligjore nëse në aksionin e AKI-së është angazhuar edhe shërbimi sekret i Turqisë.

“Nëse është e vërtetë se është angazhuar shërbimi sekret i Turqisë dhe ka marrë pjesë në gjithë aksionin ndërsa AKI dhe Policia e Kosovës kanë asistuar është turp dhe shkelje ligjore dhe kushtetuese”, është shprehur ai.

Ndërsa, për shkarkimet nga kryeministri, ai thotë se mbetet të shihet nëse do të ketë pajtim nga AKR për shkarkimin e ministrit të brendshëm apo do të shkohet në zgjedhje.

“Vendimi i kryeministrit për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të shtetit pas skandalit me deportimin në Turqi të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje të rregullt e valide qëndrimi dhe leje pune në Kosovë. Tash dihet që drejtorin e ri të AKI ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i takon AKR. Mbetet të shihet a do të ketë pajtim për këtë apo do të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Ne marrëveshjen Pacolli-Haradinaj ishte paraparë që Pacolli do të jetë përgjegjës për ministrat e AKR pra edhe për këtë të brendshmin, e duket ai tash ka shprehë pakënaqësi duke adresuar çështjen më lartë se kinse dikush u ka dhënë urdhër dhe aksionin e ka kryer AKI e policia veç ka asistuar. Tash a del a jo nga Qeveria mbetet në konsekuencën e tij edhe politike dhe njerëzore”, vlerëson Tahiri.

Ai shpjegon se shkarkimet janë rrugë normale, por nëse bëhet fjalë për shkelje të ligjit, atëherë duhet të merren gjykatat.

“Shkarkimet janë rrugë normale për të adresuar përgjegjësinë pas rastit të deportimit të gjashtë shtetasve turq me leje të rregullta qëndrimi në Kosovë dhe me leje përkatëse pune në fushën e arsimit. Nëse bëhet fjalë për shkelje të ligjit atëherë kompetente janë gjykatat e Kosovës e përzënia mund të bëhet si masë pas kryerjes së dënimit. Kjo ngjarje duket si një ndikim i huaj në Kosovë që cenon integritetin institucion aq më parë që mediat zyrtare të Turqisë shkruajnë për pjesëmarrje të shërbimit të këtij shteti në gjithë këtë aksion”, shprehet ai më tej.

Tahiri e quan të turpshme deklarimin e zyrtarëve të lartë që nuk kanë qenë të njoftuar për gjithë aksionin.

“Jo vetëm e turpshme por lëshim serioz dhe mosfunksionim i shtetit është deklarimi i zyrtarëve më të lartë që nuk kanë qenë të njoftuar për këtë ndërmarrje e as për ardhjen e aeroplanit special në aeroportin e Prishtinës dhe të nënpunësve të shërbimit të huaj për të kryer aksion në Kosovë edhe të bëjnë foto me të ndaluarit. Kjo tregon brishtësinë institucionale të hallkave themelore të shtetit të Kosovës. Simptomatike se asnjë drejtor i AKI që nga themelimi nuk mundi në mënyrë të rregullt ta përfundojë mandatin”, përfundon politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat