AKR-ja e ka në “grusht” Haradinajn, tregon kush qëndron prapa deportimit të turqve

Politika

AKR-ja e ka në “grusht” Haradinajn, tregon kush qëndron prapa deportimit të turqve

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 mars 2018 Në ora: 17:25
Behgjet Pacolli dhe Ramush Haradinaj

Aleanca Kosova e Re, do të mblidhet pas këtij vikendi për të vendosur nëse do të dalë nga koalicioni qeverisës PDK-AAK-NISMA.

Këtë e ka bërë të ditur sekretari i AKR-së Vesel Makolli, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka quajtur kërkesë shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka shkarkuar nga detyra ministrin e AKR-së dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, për shkak se ata nuk e kishin informuar për rastin e shtetasve turq.

Mirëpo, AKR-ja ka konfirmuar se do të shqyrtojë shkarkimin e Sefajt, duke bërë të ditur se do të marrë qëndrim të duhur, konform rrethanave dhe interesave të përgjithshme shtetërore.

Sekretari i AKR-së Vesel Makolli, ka lavdëruar ministrin Sefaj, duke thënë se ai ishte ndër ministrat më të suksesshëm të qeverisë Haradinaj.

Ai ka thënë se Sefaj ishte ministri i parë i Kosovës, që ka ndaluar hyrjen pa leje të një zyrtari serb.

Image
Vesel Makolli

“Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, ka qenë një ndër ministrat më të përkushtuar dhe më të suksesshëm gjatë punës së kësaj qeverie. Ministri Sefaj është një personalitet me një pedigre të konsiderueshme, intelektual me një kulturë të nivelit evropian dhe shumë i suksesshëm në punën e tij. Poashtu, është shumë i drejtpërdrejt, i sinqertë dhe i padjallëzuar, çka te ne shpesh këto veti njerëzore “sjellin probleme”. Duhet të ceket se ai është i pari ministër i Republikës së Kosovës, që e ka ndaluar një zyrtar të lartë nga Serbia që të hyjë në Kosovë pa leje. Rasti i ndalimit të para disa ditëve të Marko Gjuriqit, është një operacion shumë i suksesshëm, i cili i ka treguar botës se këtu ka shtet dhe sa duhet të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e pikërisht Flamur Sefaj, ishte më i miratuar për këtë ndërmarrje dhe ka qenë i lavdëruar nga mbarë opinion”, është shprehur Makolli.

Ndërsa, në lidhje me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, sekretari i AKR-së ka theksuar se është dashur të respektohen më shumë rregullat, mirëpo ka thënë ministri Sefaj i ka besuar AKI-së, për të cilën ka menduar se i ka njoftuar krerët e shtetit.

“Rasti i deportimit të 6 shtetasve turq, është një rast që ka lënë për të dëshiruar një organizim dhe respektim më të madh të rregullave. Për këtë rast, nuk është përgjegjësia e ministrit Sefaj, por më shumë është sinqeriteti dhe besimi i tij i tepërt, në kërkesën e bërë nga AKI-ja, duke besuar se e njëjta i ka informuar krerët e shtetit, pasi që ka inciuese e këtij deportimi”, ka thënë Makolli.

Ndërsa i pyetur nga gazeta se a do të dalë AKR-ja nga koalicioni qeverisës pas këtij rasti, Makolli ka thënë se partia e Behgjet Pacollit, për këtë do të vendosë pas vikendit. Ai ka kujtuar se AKR-ja ishte vendimtare në formimin e Qeverisë dhe se sipas marrëveshjes me partitë e koalicionit, emërimin dhe shkarkimin e ministrave të AKR-së e bën vet kjo parti.

“AKR-ja gjithmonë është shquar me traditën shtetformuese, duke sakrifikuar edhe interest partiake në dobi të shtetit, çka te partitë tjera nuk ndodhë. Ne jemi ata që kemi ndikuar drejtpërdrejt në formimin e kësaj qeverie, andaj çdo veprim i yni, do të jetë së pari duke u bazuar në interesat e shtetit dhe për të mirën e tij. Ne e kemi marrëveshjen e koalicionit, e cila përcakton qartë që për ministrat dhe zv.ministrat e AKR-së, emërimin dhe shkarkimin e bën AKR-ja. Duke qenë se jemi parti liberale, demokratike, shtetformuese dhe jo bllokuese, ne do ta shqyrtojmë të gjithë situatën dhe do të vendosim conform të gjitha kompetencave që do të tejkalojnë këtë gjendje të krijuar, duke marrë parasysh që të marrim veprime që reflektojnë në përmirësimin e imazhit të qeverisë dhe të vendit tonë dhe në interes të ecjes përpara të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ku e kemi vendin historikisht si popull”, ka deklaruar Vesel Makolli.

Ai në fund ka folur edhe për raportet mes Behgjet Pacollit dhe Ramush Haradinajt.

“Presidenti ynë Behgjet Pacolli, i ka të njëjta raportet me kryeminstrin Haradinaj edhe tash dhe e vlerëson maksimalisht qasjen e Haradinajt për këtë rast. Ne pas vikendit do të kemi takim me organet gjegjëse partiake, ku do t’i shqyrtojmë të gjitha rrethanat dhe kërkesën e kryeministrit, duke marrë qëndrim të duhur, konform rrethanave dhe interesave të përgjithshme, e para së gjithash interesave shtetërore”, ka shtuar për “Bota sot”, sekretari i AKR-së Vesel Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat