Provokimi i dështuar i Serbisë

Politika

Provokimi i dështuar i Serbisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 31 mars 2018 Në ora: 21:40
ilustrim

Ditën e mërkurë, në qiellin e Preshevës u panë avion luftarak serb duke fluturuar në një distancë të ultë ajrore, afër kufirit me Kosovën.

Këta avion ua kthyen kujtimet e luftës banorëve të Preshevës, pasi që nga ajo kohë, nuk ka pasur fluturime të avionëve luftarak serb, por, edhe në Kosovë kjo bëri bujë të madhe, pasi të gjithë e shihnin si provokim të radhës të Serbisë, pas arrestimit të Marko Gjuriqit disa ditë më parë.

Edhe pse Serbia tha se këto ishin vetëm promovime të këtyre avionëve dhe asgjë tjetër, atëherë pse ky promovim ndodhi mbi kokën e shqiptarëve të Preshevës dhe afër kufirit me Kosovën?

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar menjëherë pas atij provokimi, duke bërë thirrje të mos e keqpërdorin hapësirat e komunës së Preshevës për demonstrimin e forcave ajrore.

“Me indinjatë të thellë konstatojmë se veprimet e tilla shtojnë pasigurinë dhe ankthin te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ftoj institucionet përkatëse qendrore të mos keqpërdorin hapësirat e Komunës sonë për demonstrimin e forcave si reagim i ngjarjeve politike të shënuara ditë më parë”, ka thënë Arifi.

Ndërsa, ekspertë  të fushës së sigurisë dhe njohës të çështjeve politike, kanë komentuar për “Bota sot” këto veprime të ulëta të palës serbe.

Kajtazi: Vuqiq po mban nën presion popullin serb me Kosovën

Fadil Kajtazi, njohësi i fushës së sigurisë, thotë për “Bota sot” se kjo është një shpërqendrim i Vuçiqit për qytetarët serbë, pasi sa herë që situata në Serbi është para shpërthimit të protestave nga serbët për shkak të gjendjes ekonomike e problemeve të tjera, Vuçiq inskenon një ngjarje që ta kthejnë vëmendjen nga ajo.

Image
Fadil Kajtazi

“Kosova ka mbetur alternativa e vetme e Vuçiqit për ta mbajtur popullin serb në tension, në gjendje frike dhe paniku, të pasigurisë së përgjithshme, të një lufte psikologjike permanente. Sa herë që situata Serbi është para shpërthimit, pushteti serb inskenon një ngjarje "të rëndësishme" për “popullin hyjnor” serb. Sa herë që populli serb bëhet gati për t’i mbushur rrugët dhe sheshet e qyteteve serbe për të protestuar për gjendjen e vështirë ekonomike, për të protestuar kundër sundimit të mafisë serbe, kundër pa perspektivës, kundër mjerimit ekonomik që ka kapluar Serbinë, Vuçiq gjen elemente për ta lëkundur “djepin e serbëve”, Kosovën, në të cilin po i rrisin fëmijët e tyre shqiptarët. Se Serbia ka qenë e interesuar të inskenojë një ngjarje, flet fakti se si ministri serb i Kulturës edhe pse kishte leje të hyrjes në Kosovë, edhe pse protokolli i Kosovës kishte marrë të gjitha masat për ta pritur në Merdare, ai kishte devijuar rrugën për ta realizuar provokimin, duke tentuar të hyjë dhunshëm në Jarine. Vuqiq, edhe pse lavdërohet për efikasitet të organeve të veta të zbulimit, analitika e tij kësaj radhe i dështoi, pasi nuk kishte paraparë një veprim efikas dhe një vendosmëri të Policisë së Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin”, u shpreh Kajtazi.

Krejt çfarë mund të ndodh me këta avion, sipas Kajtazit, është që ata të bien mbi shtëpitë e shqiptarëve duke mbetur pa karburant, ndërsa thotë se ata nuk mund ta realizojnë edhe një xhiro tjetër për shkak të vjetërisë së tyre.

“Tani Vuçiq për të shpëtuar çka mund të shpëtojë, nxori nga hangarët avionët e ndryshkur "Orao" të cilët mezi ishin bërë gati për fluturim, pasi me kanistra në dorë oficerët serbë kishin dalë për të siguruar hua karotinë, të paktën për një xhiro. Dhe për të gjithë ata që kanë hamendje se çka do të ndodhë me këto fluturime, ju them se këta avion do të bëjnë më vështirësi edhe një xhiro dhe as gjë me tepër. Ka rrezik që njeri nga ta në xhiron e ardhshme të bie në tokë për shkak të mungesës se derivatit dhe Vuqiq pastaj të akuzojë Policinë e Kosovës se e ka rrëzuar. Qytetarët shqiptarë të Luginës së Peshevës, kanë nevojë të frikësohen vetëm për faktin se ndonjëri nga këta avion mund të bije mbi shtëpitë e tyre nga shkau i mungesës së derivatit ose nga ndonjë defekt si shkak i pamundësive financiare që ka Serbia për mirëmbajtje të rregullt të këtyre avionëve”, tha Kajtazi.

“Çdo lëvizje shihet si kërcënim”

Njohësi  tjetër i fushës së sigurisë, Drizan Shala, thotë për “Bota sot” se çdo lëvizje e fundit e Serbisë, shihet si kërcënim i tyre ndaj Kosovës, për shkak të ngjarjeve të ndodhura ditëve të fundit.

Image
Drizan Shala

“Autoritetet e ushtrisë serbe kanë deklaruar se ata po bënin një provë për ushtrimin taktik “Sadejstvo 2018”, dhe këto lëvizje është duke i monitoruar NATO, mund të themi që situata e krijuar nga ngjarjet e fundit në Kosovë që çdo lëvizje të shihet si kërcnëim ndaj sigurisë, e ku këto bëhen edhe në afërsi të territorit të Kosovës”,  theksoi Shala.

Mirëpo, ai në mënyrën ligjore dhe juridike e shpjegon se këto nuk mund të quhet zyrtarisht kërcënim apo provokim, sepse ato fluturime janë kryer në kuadër të marrëveshjes së Kumanovës me shtetin serb.

“Por, siç jemi të njoftuar, marrëveshja e Kumanovës i definon zonat e sigurisë siç janë: Hapësira Ajrore e Sigurisë (Air Safety Zone -ASZ) është e definuar në një zonë 25km nga vija kufitare,  ndërsa zonë tokësore e sigurisë ( Ground Safety Zone- GSZ) është e definuar në një distancë 5km para kufirit të Republikës se Kosovës. Dhe nga kjo siguria e Kosovës është në kuadër të marrëveshjes se Kumanovës me shtetin e Serbisë respektivisht forcave të saja policore ushtarake”, potencoi Shala.

Avionët ushtarakë, metodë e vjetër provokimi

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyqi, thotë se kjo është metodë e vjetër e provokimit e përdorur edhe më parë nga Serbia, Rusia dhe Turqia, por, Serbia e ka të pamundur të ndikojë për arsye se është shtet i vogël, e mbi të gjitha NATO është në Kosovë.

Image
Enver Bytyqi

“Fluturimi i avionëve të një vendi afër ose në hapësirën ajrore të një vendi tjetër është metodë e vjetër e provokimit. Në kohën tonë këtë lloj presioni po e ushtrojnë Rusia, Turqia dhe Serbia në rastin e Kosovës. Por, ndërsa Rusia dhe Turqia shpresojnë të korrin ndonjë sukses nga provokime të tilla, Serbia e ka këtë krejtësisht të pamundur, sepse ajo është një vend i vogël dhe kryesorja është  sepse vërtetë Kosova nuk është në NATO, por është NATO-ja në Kosovë. Nëse një vend ndjehet i sigurt duke qenë anëtar i NATO-s një vend tjetër si Kosova ndjehet dy herë më i sigurt kur mbrohet direkt nga NATO dhe trupat e saj janë prezent. Për këtë arsye nuk ka asnjë rrezik real”,  tha Bytyqi.

E gjithë kjo, sipas tij, është një akt që Vuçiq përpiqet të fitojë kapital politik dhe elektoral, duke i gënjyer ende nacionalistët serbë për fuqinë imagjinare të shtetit të Serbisë.

“Por këto fluturime i shërbejnë në rrafshin politik Aleksandër Vuçiq. Sepse duke demonstruar të ashtuquajturën forcë, i gënjen ende nacionalistët serbë për fuqinë imagjinare të Serbisë. Me këtë akt ai përpiqet të fitojë kapital politik dhe elektoral. Të gjitha ngjarjet që ndodhën me arrestimin e Gjuriç dhe deri të fluturimi i avionëve janë skenarë të parapërgatitur në dijeninë e Vuçiq, e të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tashmë duhet të jesh idiot të mos i kuptosh këto skenarë. Mjafton të lexohet reagimi i Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të kuptosh se acarimi i situatës shkon në favor të Serbisë. Hashim Thaçi i kontribuoi kësaj fushate”,  përfundoi Bytyqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat