Urgjenca e Thaçit për Asociacionin në këmbim të imunitetit nga Gjykata Speciale?

Politika

Urgjenca e Thaçit për Asociacionin në këmbim të imunitetit nga Gjykata Speciale?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 prill 2018 Në ora: 07:43
Hashim Thaçi, foto: Bota sot

Situata krijuar së fundi në Mitrovicë, po konsiderohet si një lojë tjetër e Presidentit Hashim Thaçit për të krijuar mjegull patriotike,  derisa po nxiton me urgjencë ta bëjë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Deputetë opozitarë dhe njohës të çështjeve politike, konsiderojnë se krijimi i Asociacionit, nuk është tjetër, veç degradimi i plotë i shtetit të Kosovës me një “Republikë Serpska” e ngjashme me atë të serbëve në Bosnjë.

Pasoja fatale për sovranitetin

Duke folur rreth kësaj çështje deputetja e VV-së Drita Millaku, thënë se Thaçi krijon kriza, madje disa nga to edhe shumë artificiale.

Image
Drita Millaku

“Këtu janë dy çështje, e para çështje është që Thaçi krijojë spektakle për përfitime të veta politike dhe tjetra tentimi që të tregoj fuqinë e vet politike para partnerëve të koalicionit, dhe natyrisht se për të kjo është një medalje. Kurse, tjetra që është shumë më e rrezikshme është se krejt ky spektakël po bëhet për dy çështje, e para është për hapjen e rrugës për formimin e asociacionit të komunave serbe dhe tjetra ka lidhje me Gjykatën Speciale. Pra ai deshi ti tregoj ndërkombëtarëve se ai është në gjendje ta destabilizojë vendin dhe rajonin.

Pra deshi të bëj " me një t'rame shumë të vrame" dhe fatkeqësisht e gjithë kjo bëhet me marrëveshje Thaçi -Vuçiç. Ndërsa pasojat e këtij skenari do të jenë fatale për sovranitetin e vendit Thaçi është njeriu më i rrezikshëm për Kosovën”, ka thënë deputetja Millaku.

Haziri: Thaçi, po dëshiron ta imponoj AKS-në

Opinionisti, Nexhat Haziri, ka pohuar se këtu  nuk ka asnjë dyshim se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës ishte skenar i përgatitur nga presidenti Thaçi me ndihmën edhe të strukturave paralele serbe në veri, Listën Serbe, të cilat këto të fundit kishin bekimin edhe të presidentit Vuqiç.

Image
Nexhat Haziri

Ai ka thënë, se planet e Thaçit tashmë janë të qarta për këdo në Kosovë, ai më këto veprime po kërkon që të faktorizohet si një nga akterët kryesor mbase i vetmi që vendos për fatin e Kosovës.

“Thaçi me skenarin e fundit në veri të Kosovës, që është një produkt edhe i bisedimeve sekrete me presidentin serb Vuqiç, Thaçi, po dëshiron ta imponoj AKS-në si diçka të pa negociueshme, obligative për Kosovën duke mos i marrë për bazë as edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese që ia ka bërë kësaj marrëveshje, pra të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Për Thaçin, nuk është me rëndësi nëse kjo krijesë e tipit të Serpska republikës në Bosnje, e defunksionalizon Kosovën si shtet, qëllimi i tij është që përmes këtyre veprimeve anti shtetërorë dhe antikombëtare, të fitoj një lloj imuniteti në raport me Gjykatën Speciale, Pra të gjitha këto veprime që ai po i ndërmerr i ka bazuar vetëm në interesin e tij politik, orvatjes së tij që të fitoj imunitet në përballje me drejtësinë”, ka thënë opinionisti Haziri.

Nga kjo lojë Vuqiçi përfiton Asociacionin, ndërsa Thaçi dobësimin e Haradinajt

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti konsideron se situata e fundit është vepër me dy autor Hashimi dhe Aleksandri.

Sipas tij, kjo lojë shahu mes tyre është bërë me qëllim që të arrijnë secili qëllimet e veta.

“Nga kjo lojë Vuçiçi përfiton Asociacionin, ndërsa Thaçi dobësimin e Haradinaj në raport me marrjen e vendimeve dhe përparësitë në raport me tenderët. Pra Hashimi nuk është interesuar për vendin, pasi ai është në gjendje të shkatërrojë çdo gjë vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e tij. Kurse Asociacioni është një pazar nga i cili Thaçi pret të përfitojë me mos ndjekjen nga Gjykata Speciale, pasi Serbia mund të tërheq dosjet kundër tij. Pra, këtu çdo gjë është e realizuar rreth rehatisë personale të Thaçit, i cili Kosovën e ka shndërruar në teatër. Gjithashtu e tërë skena në Mitrovicë ka të bëjë me hedhjen pluhur syve të qytetarëve të vendit, karshi pazareve të dëmshme për Kosovën”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se e gjithë ngjarja e krijuar në Veri të Kosovës mund të ketë qenë lojë e Hashim Thaçit në koordinim me Vuqiçin.

Image
Faik Krasniqi

Paralajmërimi i kahershëm i Kurtit

Sipas tij, kjo është bërë për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë nga Thaçi, dhe për këtë janë fajtore pikërisht partitë politike që i kanë lejuar atij të bëj një gjë të tillë.

“Këtij njeriu nuk duhet besuar e as t'i lihet madje në dorë fati i Kosovës, e aq më pak tani kur të gjithë e dimë që po bën pazare të fshehta me Vuqiçin, pazare këto të cilat mund të jenë shumë të dëmshme për sovranitetin e Kosovës. Dhe të jemi të sinqertë tani i vetmi lider që e ka paralajmëruar një bosnjëzim të Kosovës, me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka qenë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Madje, Kurti këtë e ka thënë një dekadë më parë dhe ai paralajmërim i tij, tani veç sot po tentohet të bëhet realitet. Por, në këtë rast fajtore është pjesa dërrmuese e partive politike, që kanë nënshkruar marrëveshjen, për krijimin e këtij Asociacioni, që po duket se do na del ‘dardhë me bisht’ edhe pse gjithmonë kanë thënë se nuk është asgjë tjetër veç se një OJQ. Por, ne duke i njohur serbët dhe politikën serbe, e dimë se ata nuk do të luftonin aq shumë nëse ky Asociacion do të ishte vetëm një OJQ”, ka thënë politologu Krasniqi.

Krasniqi: Thaçi njihet për veprime të tilla

Image
Islam Krasniqi

Në anën tjetër, analisti Islam Krasniqi, nuk mendon se ka qenë një skenar i Thaçit, pasi sipas tij, edhe po të ishte skenar mjafton që ky veprim (arrestimi i Gjuriqit) i ka bërë të ndjen krenar shqiptarët.

“Nuk mendoj se ka qenë një skenar i përgatitur nga presidenti Thaçi, për të krijuar mjegull që të lehtësohet rruga e formimit të Asociacionit, por edhe sikur të ishte skenar i presidentit ai veprim ( arrestimi i Gjuriqit) na ka bërë shumë krenar që së paku Policia e Republikës së Kosovës arriti ta arrestojë një huligan serb i cili u mundua të mos i respektoi institucionet e shtetit të Kosovës. Megjithatë mendoj se Thaçi e ka nënshkruar këtë marrëveshje madje dhe shumë tjera të ngjashme, apo të dëmshme për vendin, me qëllim që ta mbaj minoritetin serb pran vetës, për ti përdorur ata për interesa të veta, duke u munduar kështu edhe ti fuqizojë serbët ashtu siç janë edhe në Bosnjë. Por thashë edhe më lart se edhe  sikur të jetë ky një skenar i Hashim Thaçit, nuk është diçka risi, sepse Thaçi njihet për veprime të tilla, ku i shfrytëzon të gjithë për interesa të veta”, është shprehur analisti politik Islam Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat