Veriu i Kosovës, “mollë” e ndaluar për Ramush Haradinajn!

Politika

Veriu i Kosovës, “mollë” e ndaluar për Ramush Haradinajn!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 1 prill 2018 Në ora: 10:43
Ramush Haradinaj

Mitrovica e Veriut edhe me tej po vazhdon të mbetet zonë e ndaluar për udhëheqësit e shtetit të Republikës së Kosovës.

Nuk kalon pothuajse asnjë vikend, që kryeministri Ramush Haradinaj nuk viziton ndonjërën prej bjeshkëve të Kosovës.

Janë bërë 7 muaj nga dita që kur qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj kaloi në Kuvend me 61 vota. Por, përkundër që kaluan kaq muaj, i pari i qeverisë ende në mënyrë zyrtare nuk e ka vizituar pjesën veriore të Mitrovicës, pjesë kjo që ligjërisht do të duhej të ishte nën drejtimin e këtij të fundit. Ndërsa, Haradinaj vetë e ka pohuar se pjesën veriore të Kosovës e ka vizituar, por vetëm atëherë kur është takuar me kriminelin e kësaj pjese, Milan Radojicic.

Njësia Speciale e Kosovës, të Hënën theu barrikadën, ajo u fut në Veri të Kosovës dhe arrestoi zyrtarin serb, Marko Gjuriq. Por kur pritet që edhe Haradinaj ta bëjë një gjë të tillë? “Bota sot” ka provuar të kontaktojë më zyrën e kryeministrit, por kontakti ka qenë i pamundur.

Kurse, analistët dhe njohësit e asaj pjese të Kosovës, vlerësojnë se Haradinaj dhe kabineti i tij, nuk po mund ta vizitojnë lirshëm pjesën veriore të Mitrovicës, apo siç e quajnë ata pjesën e ‘okupuar’ të qytetit, në të cilën veprojnë institucionet paralele të Serbisë. Deputeti i Kuvendit të Kosovës thotë se në veri të Kosovës po qeverisë Serbia. Ndërsa, kryetari i Këshillit Rajonal për të Drejtat e njeriut në Komunën e Mitrovicës thotë se jo vetëm ky kryeministër, por, asnjeri nga kryeministrat nuk e kanë vizituar atë pjesë.

“Atje banorët po jetojnë sikurse të ishin pakicë”

Image
Ismail Kurteshi

Deputeti i Lëvizjen Vetëvendosje, Ismail Kurteshi në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se në veri të Kosovës po qeverisë Serbia.

Ai thotë se qeveria e Kosovës duhet punuar për të kthyer nën menaxhimin, këtë pjesë të Kosovës.

“Më e rëndësishme është që me ndiku te ajo pjesë që tanimë është e okupuar prej Serbisë. Çka do që në bëjmë ndaj kësaj terminologjie është se atje po qeverisë Serbia dhe duhet bërë që atë pjesë me kthye nën qeverisjen e Kosovës”, u shpreh deputeti i VV-së.

Kurteshi thekson se një gjë të tillë nuk ka arritur për ta bërë asnjë qeveri e Kosovës deri me tash. Sipas tij, qytetarët e asaj zone po jetojnë sikurse të ishin pakicë.

“Një gjë të tillë nuk ka arritur për ta bërë asnjë qeveri e Kosovës deri me tash, por edhe vizitat e kanë rëndësinë e vet e sidomos vizita e shqiptarëve që po jetojnë në veri, e të cilët po jetojnë në shtetin e tyre sikur të ishin pakicë në një shtet që absolutisht nuk ka kurrfarë demokracie”, ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, për gazetën “Bota sot”.

“Në Mitrovicën Veriore institucionet e Kosovës nuk kanë qasje”

Image
Halit Barani

Halit Barani, aktivist për të drejtat e njeriut dhe kryetar i Këshillit Rajonal për të Drejtat e njeriut në Komunën e Mitrovicës, për gazetën “Bota sot” tha se në pjesën e veriore të qytetit veprojnë institucionet e Serbisë.

Sipas tij, pjesa Veriore rrallë herë vizitohet nga udhëheqësit e shtetit. Barani thotë se edhe kur ndodh një gjë e tillë zgjedhën rrugët dytësore.

“Në pjesën e okupuar të qytetit veprojnë institucionet e Serbisë. E jo vetëm ky kryeministër, por, asnjeri nga kryeministrat nuk e kanë vizituar atë pjesë. Edhe kur kanë dashur ta vizitojnë kanë zgjedhur rrugët dytësore për të shkuar deri në kufi. Kujtojmë kohën kur ish-kryeministri, Isa Mustafa, kishte shkuar maleve dhe jo rrugës kryesore”, u shpreh ai.

Barani thotë se në Mitrovicën Veriore institucionet e Kosovës nuk kanë qasje.  Sipas aktivistit për të drejtat e njeriut, udhëheqësit e shtetit nëse vendosin të vizitojnë duhet të jenë nën përcjellën e KFOR-it.

“Në atë pjesë të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje. Pra, matan Urës së Ibrit e deri në kufi nuk kanë qasje, ose vetëm nëse shkojnë me KFOR ose me ndonjë siguri të mëdha, që të kujtojnë luftën, se ndryshe një gjë e tillë ndryshe është e pamundur”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut dhe kryetar i Këshillit Rajonal për të Drejtat e njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani për gazetën ‘Bota sot”.

Barani, krejt në fund, thotë se kjo pjesë është duke u anashkaluar edhe nga mediat vendore. Sipas tij, përkundër që kishte raportuar për 37 raste,  asnjëra nga këto nuk ishte publikuar në media. Rasti i fundit thotë se është therja me thikë e një adoleshenti.

“Veriu në ndikim të strukturave paralele”

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, sipas analistit politik, Nexhat Haziri, kjo është një çështje që po i përcjellë të gjithë kryeministrat e Kosovës.

Ai thotë se përkundër marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shuarjen e strukturave paralele, kjo pjesë vazhdon të përballet më të njëjtin problem.

“Kjo është një çështje që po i përcjellë të gjithë kryeministrat e Kosovës, pra edhe kryeministrin Haradinaj që veriu i vendit mbetët siç thuhet ‘mollë e ndaluar’”, tha Haziri.

Sipas tij, pjesë e Veriut është rezistente ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës. Haziri thotë se atje funksionojnë institucionet paralele serbe të cilat janë nën ndikimin politik dhe financiar të Beogradit.

“Kjo tregon se kjo pjesë e vendit është rezistente ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës dhe si e tillë atje funksionojnë institucionet paralele serbe të cilat janë nën ndikimin politik dhe financiar të Beogradit, edhe përkundër gjoja marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shuarjen e këtyre strukturave paralele”, ka përfunduar analisti politik, Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat